LSDM: Reagimi i Gashit për aktgjykimin në Hagë i papërshtatshëm, vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen
LSDM-ja opozitare e cilësoi si „jashtëzakonisht të papërshtatshëm“ reagimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, transmeton Portalb.mk.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës më 16 shtator i shpalli Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin fajtorë për disa vepra. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18, Selimi me 13, ndërsa Krasniqi me 25 vjet. Të katër u liruan nga një pjesë e akuzave për krime kundër njerëzimit, ndërsa aktgjykimi i nënshtrohet procedurës së apelit.
Nga LSDM-ja thonë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen, pavarësisht nga kombësia e të akuzuarve apo konteksti politik.
“Nëse gjykata ka marrë vendim se dikush është fajtor, atëherë kjo duhet të pranohet, derisa një gjykatë më e lartë të thotë ndryshe”, thuhet nga partia.
Në reagim, LSDM-ja thekson se vetë fakti që ekziston procedurë ankimore do të thotë se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar, por kjo nuk e ndryshon parimin e respektimit të vendimit gjyqësor të shkallës së parë.
Partia i referohet veçanërisht reagimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke vlerësuar se ai, si bartës i një funksioni të lartë shtetëror, duhet të sillet në përputhje me qëndrimin institucional të shtetit.
“Reagimet e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, janë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Ai ushtron funksion shtetëror, është kryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i një shteti që dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta”, thuhet në komunikatë.
Nga LSDM-ja theksojnë se aktgjykimi nuk duhet të interpretohet si aktgjykim kundër popullit shqiptar apo kundër të drejtës së Kosovës për pavarësi, por si vendim gjyqësor që u referohet personave konkretë dhe veprave penale konkrete.
“Gjykata gjykon individë”, thonë nga partia, duke shtuar se shndërrimi i aktgjykimit gjyqësor në çështje etnike, sipas tyre, krijon ndarje shtesë.
Në këtë kontekst, LSDM-ja i referohet edhe rastit të Ratko Mlladiqit, për të cilin, siç kujton partia, gjithashtu ishte mbështetur qëndrimi se aktgjykimet gjyqësore duhet të respektohen.
“Ligji nuk zgjidhet sipas kombësisë”, është mesazhi i LSDM-së.
Partia opozitare në reagimin e saj bën paralelizëm edhe me gjendjen në sistemin vendor të drejtësisë, duke e akuzuar pushtetin për presione politike ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë. LSDM-ja pretendon se Komisioni Evropian në raportet e tij ka theksuar probleme të tilla, ndërsa njëkohësisht akuzon se në vend “lëndët hiqen mënjanë” dhe se bëhen interpretime politike të ligjeve.
Nga partia porosisin se i njëjti parim duhet të vlejë si për gjykatat ndërkombëtare, ashtu edhe për ato vendore – askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Kryeparlamentari Afrim Gashi, pas vendimit të djeshëm në rrjetin social Facebook, shkroi se asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës.
“Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre. Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon. Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon”, shkroi Gashi dje në Facebook.
Aktgjykimi kundër Thaçit dhe tre të bashkëakuzuarve u dha pas një procesi shumëvjeçar para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjykata konstatoi përgjegjësi penale për krime lufte të lidhura me ndalimin e paligjshëm dhe arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan përtej dyshimit të arsyeshëm.