“Heshtja e administratës” në RMV mbetet problem: 438 ankesa për informacione të paarritshme në vitin 2025
Raporti vjetor i Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik për vitin 2025 sot do të shqyrtohet nga Komisioni parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive. Sipas raportit, të publikuar në ueb-faqen e Kuvendit, gjatë vitit të kaluar në Agjenci janë dorëzuar gjithsej 626 ankesa për shkak të heshtjes së organeve të shkallës së parë – mbajtësve të informacionit, ose për shkak të përgjigjeve të tyre të dhëna në akte administrative dhe reale, transmeton Portalb.mk.
Nga numri i përgjithshëm i ankesave, 438 ose 69,96 përqind kanë të bëjnë me mosveprimin e mbajtësve të informacionit ndaj kërkesave për qasje në informacione me karakter publik.
Në raport vlerësohet se “heshtja e administratës” vazhdon të mbetet problem serioz, pavarësisht angazhimeve të Agjencisë. Si një nga arsyet përmendet ndërgjegjësimi dhe kuptimi i pamjaftueshëm, veçanërisht te një pjesë e strukturave drejtuese në institucionet në nivel qendror dhe lokal, për rëndësinë e së drejtës për qasje të lirë në informacionet me karakter publik.
Agjencia konstaton se është e nevojshme të forcojë angazhimin aktiv me nëpunësit administrativë dhe strukturat drejtuese, me qëllim që të ndikohet në ndryshimin e mentalitetit burokratik dhe gradualisht të zvogëlohet, ndërsa në të ardhmen edhe të eliminohet plotësisht „heshtja e administratës“.
Ndryshe, nëse një qytetar kërkon informacion nga një institucion shtetëror dhe nuk e merr atë, ai mund të dorëzojë ankesë pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, i vetmi organ që e mbron këtë të drejtë. Deri më tani mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të dorëzuar ankesë ishte përmes postës elektronike. Por, që në korrik të këtij viti, nëse ankesa dërgohet përmes email-it, ajo duhet të vërtetohet me nënshkrim elektronik, i cili kushton nga 2.000 deri më 4.000 denarë në vit. Me fjalë të tjera, nëse një person dëshiron të dorëzojë ankesë, ai person ose duhet të blejë një nënshkrim elektronik për ta vërtetuar ankesën, ose të paguajë për shërbime postare.