LSDM paralajmëroi publikimin e bombave të reja 2.0 kundër pushtetit
Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipce, njoftoi se partia e tij do të nxjerrë përsëri bomba, ndërsa në vend të bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme, bombat tani do të jenë akuza penale kundër zyrtarëve aktualë për korrupsion që do të përgatiten nga aktivistë të rinj të partisë, të cilët Filipce i quajti “forcë e re”, transmeton Portalb.mk.
Sot, në një konferencë për shtyp, ai i bëri thirrje kryeprokurores evropiane, Laura Kovesi, të vizitojë Maqedoninë për ta njohur atë me, siç e tha ai, “përvetësimin që VMRO-DPMNE po kryen me fondet evropiane”. Filipce njoftoi gjithashtu se partia do të ftonte edhe zyrtarë italianë kundër korrupsionit që kanë përvojë në shtypjen e mafies, në mënyrë që pasi të kishin shtypur Cosa Nostra-n, të mposhtin “mafian aktuale të VMRO-DPMNE”.
“LSDM i bën thirrje prokurores evropiane Laura Kovesi të njihet me përvetësimin e fondeve evropiane, përfshirë atë që është tashmë e qartë, programin IPARD në të cilin janë në rrezik 130 milionë euro. E vetmja gjë që po bën qeveria me skandalin IPARD është të defokusojë publikun. Në vend të përgjegjësisë pas arrestimit të drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare, anëtar i VMRO-DPMNE-së, shohim vetëm spin dhe akuza ndaj opozitës. Ky nuk është një vilajet i errët i VMRO-DPMNE-së për të luajtur me fatin e Maqedonisë dhe të ardhmen evropiane të qytetarëve të saj”, tha Filipçe.
Iniciativa e dytë e Filipçes është një ekip antikorrupsion, i cili, siç tha ai, do të përbëhet nga ekspertë, këshilltarë në fushën e drejtësisë dhe financave, por mbi të gjitha, aktivistë dhe studiues të rinj të LSDM-së, e cila është në kuadër të programit të partisë “Fuqia e Re”. Sipas Filipçes, ky ekip do të hetojë skandalet, do të zbulojë të gjitha skemat e korrupsionit dhe do të paraqesë raporte përkatëse në institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Parandalimi dështoi, korrupsioni u përshkallëzua. Kushdo që vodhi do të mbajë përgjegjësi. Kemi përgatitur bombat e reja, 2.0, nesër do të shpallim një të re, për një skandal dhe skemë të re korrupsioni të partisë në pushtet”, tha Filipçe.
Kujtojmë se në vitin 2016, kur Zoran Zaev shpaloste bombat, u zbulua se, përmes tri sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008-2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor. Komunikimi është ndjekur para se të dorëzohen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlerës së urdhrit gjyqësor me numër 1.541 ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.
- LEXO: Më kanë përgjuar mua dhe fëmijët e mi, u shpreh i bindur kryeministri Mickoski
- LEXO: Afera e re e spiunimit në RMV, gjyqësori përballet me një mundësi të re për t’u “korrigjuar”
- LEXO: RMV, është shtyrë seanca kuvendore për mbikëqyrjen e ASK-së
- LEXO: Mickoski: Shumë shpejt do të shihni se si është përgjuar vitet e fundit, do të tmerroheni