LSDM kërkoi përgjegjësi nga Tripunovski për skandalin me mjetet e IPARD
Partia opozitare, LSDM, sot kërkoi nga Qeveria që ta thërrasë në përgjegjësi ministrin aktual të bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Cvetan Tripunovski, për atë që ata e quajtën “mega-skandali” me pezullimin e fondeve IPARD në vlerë prej mbi 130 milionë eurosh. Sipas njoftimit të partisë, edhe dy javë pas publikimit të rastit, ministri Tripunovski “i ikën përgjegjësisë dhe të vërtetës” lidhur me suspendimin e mjeteve evropiane, transmeton Portalb.mk.
“Në vend të përgjigjeve konkrete, ai ndaj një kërkese zyrtare të një organi parlamentar dërgon një dokument bosh, pa shpjegime për arsyet e pezullimit, pa afate, pa plan se si do të tejkalohet kriza. Një asgjë e madhe,” thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Partia thekson se kjo situatë është “turp dhe fyerje” për ekonominë dhe sektorin bujqësor, sepse ndikon drejtpërdrejt te 3 000 biznese të reja potenciale dhe 10 000 vende pune që janë bllokuar, si dhe te të gjithë bujqit që për vite me radhë kanë investuar punë, kredi dhe para personale për realizimin e projekteve të tyre.
LSDM pyet Qeverinë pse po e mbron Tripunovskin për këtë skandal, duke kërkuar që, në vend të minimizimit të rastit, të ndërmerren masa të menjëhershme.
“Një ministër që publikisht deklaron se nuk ndjen përgjegjësi për një skandal prej 130 milionë eurosh nga vetë resori i tij, nuk duhet të mbetet në detyrë. Ministër që ua fsheh të vërtetën bujqve dhe që rrezikon mbijetesën e tyre, nuk ka kredibilitet të drejtojë bujqësinë,” thuhet më tej në njoftim.
Skandali i fundit jo vetëm që vërteton paralajmërimet e BE-së për dobësi institucionale, mungesë kontrolli dhe kapacitete të pamjaftueshme, por edhe tregon se rekomandimet për forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit ishin urgjente dhe të justifikuara.
Ministri Tripunovski ndërkohë ka bërë të ditur se nuk do të japë dorëheqje.
Kujtojmë se, Ilija Stoilev, i cili ushtronte detyrën e drejtorit të Agjencisë së Pagesave, më 6 nëntor u arrestua dhe u dërgua në paraburgim nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas së cilës u shkarkua nga funksioni. Ndërkohë, ministri i bujqësisë Cvetan Tripunovski njoftoi dje se drejtore e re e Agjencisë së Pagesave është emëruar Daniela Lazarova Irotova, ish-këshilltare shtetërore në Ministrinë e Bujqësisë.
- LEXO: Çka kërkonte BE nga RMV në raportin e progresit, para se të plasë skandali me fondet IPARD?
- LEXO: Nikollovski për fondet IPARD: 130 milionë euro të bllokuara, 3.000 biznese dhe 10.000 vende pune në rrezik
- LEXO: RMV, pesë persona në pranga për korrupsion me fondet IPARD në bujqësi, të përfshirë edhe zyrtar