Homologu bullgar me mesazh Mucunskit: Ai e di shumë mirë çfarë duhet të bëjë 

Kam biseduar shumë herë me Timço Mucunskin. Ai e di shumë mirë qëndrimin tonë. Por, nga tani, roli i tij është ta bindë qeverinë e vet që t’i përmbahet konsensusit të vitit 2022, deklaroi ministri i jashtëm bullgar, Georg Georgiev, lidhur me çështjen e deblokimit të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.  

“Sivjet, në maj, parlamenti bullgar me 209 vota miratoi një vendim që e detyron qeverinë të respektojë vetëm konsensusin e vitit 2022 dhe asgjë tjetër. Nga ana jonë është bërë kërkesë shumë serioze. Por deri më tani, nuk kemi marrë përgjigje pozitive nga Shkupi,” tha Georgiev. 

“Fatkeqësisht, ka shumë veprime nga fqinjët tanë jugperëndimorë që na japin arsye të dyshojmë në sinqeritetin e tyre ndaj procesit të integrimit evropian,” shtoi ai, duke kujtuar se në vitin 2018 pikërisht Bullgaria e hapi temën e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. 

“Ne nuk mund të akuzohemi në asnjë mënyrë për qëllimet tona dhe për respektimin e rëndësisë së këtij procesi. Por moszbatimi i konsensusit të vitit 2022, fakti që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe autoritetet atje refuzojnë kategorikisht të nisin reformat, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe futjen e bullgarëve në Kushtetutë në të gjitha pjesët e saj, tregon se që në fazën më të hershme, pra në fillimin e procesit të anëtarësimit, ai është minuar nga mungesa e veprimit politik,” deklaroi Georgiev, duke shtuar se shpreson sinqerisht që këto standarde negative të imponuara të kapërcehen dhe që të vazhdohet me punën thelbësore. 

Sipas tij, “vetëm atëherë Bullgaria mund të jetë e dobishme dhe mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vërtetë në rrugën e zgjerimit.” 

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Waddeful, javën e kaluar, në një postim në Instagram pas takimeve në Shkup me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Jashtëm Timço Mucunski shkroi:

“Tani, përparimi në marrëdhëniet me Bullgarinë është veçanërisht i rëndësishëm për të arritur suksese të mëtejshme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Nga ana tjetër, qëndrimi i VMRO-DPMNE-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese nuk ndryshon. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një nga paraqitjet e fundit kur u deklarua në lidhje me hapat specifikë për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë, tha se është i gatshëm të ulet për të biseduar, por se qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje është i njohur, si dhe vijat e kuq.

Sipas Mickoskit, deri sa ai është kryeministër, “tradhti dhe kapitullime të tilla nuk do të ndodhin”. Kryeministri Mickoski ka thënë disa herë se qeveria e tij nuk do të lejojë ndryshime kushtetuese pa angazhime specifike nga fqinji i saj lindor dhe garanci të qarta nga Bashkimi Evropian, duke vënë në dukje se ai gjithashtu pret respekt të vazhdueshëm për të drejtën ndërkombëtare si një parakusht për përparim.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.