LSDM-ja dorëzoi interpelancë për ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoillkoviq
Grupi parlamentar i LSDM-së sot në Kuvend dorëzoi interpelancë për punën e ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit aktual të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoillkoviq. Opozitarët kërkojnë përgjegjësi politike për një nga, siç thonë, zbatuesit e agjendave të ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të Kinës dhe Rusisë, si dhe për përhapjen e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, transmeton Portalb.mk.
Bazat e interpelancës, siç tha deputeti Mitko Trajçuleski në konferencën e sotme për shtyp, janë sjellja e papranueshme dhe e pahijshme ndaj deputetëve, si dhe veprimtaria politike që është në kundërshtim me interesat kombëtare dhe strategjike të vendit. LSDM-ja kërkon përgjegjësi politike nga Stoillkoviqi, duke e akuzuar për lidhje me struktura të inteligjencës serbe, si dhe për paraqitje publike dhe aktivitete të lidhura me Rusinë.
“E hapim edhe çështjen e udhëtimit të tij në Kinë dhe paraqitjes me delegacionin e SNS-së dhe Vuçiqit. Interpelanca përfshin edhe përmbajtjet në të cilat glorifikohet Ratko Mlladiqi, i dënuar për gjenocid. Njerëzit që glorifikojnë kriminelë të dënuar të luftës dhe relativizojnë krimet e luftës nuk duhet dhe nuk guxojnë të ushtrojnë funksione publike. Aq më tepër që në rastin konkret ekziston edhe vepër penale sipas Kodit Penal, e cila ka të bëjë me miratimin ose arsyetimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës”, tha Trajçuleski.
Në kuadër të interpelancës, shtoi ai, përfshihen edhe sharjet, fyerjet dhe kërcënimet e drejtuara ndaj deputetëve të LSDM-së, Fatmir Bytyqit, atij vetë dhe deputetes Arbana Pasholli.
“Ministri ka për obligim të përgjigjet para Kuvendit dhe ta pranojë kritikën parlamentare. Kur pyetjeve dhe kritikave të parashtruara u përgjigjet me kërcënime, ai shkel dinjitetin e institucionit dhe dëshmon se nuk është i denjë për funksionin. Stoillkoviqi nuk është thirrur asnjëherë në përgjegjësi dhe as nuk ka kërkuar falje personalisht”, tha Trajçuleski.
Nga LSDM-ja vlerësojnë se kjo interpelancë është çështje e dinjitetit shtetëror, sovranitetit dhe përgjegjësisë politike. Ata kërkojnë që shumica parlamentare të vendosë nëse do ta mbrojë dinjitetin e Kuvendit dhe interesat shtetërore apo do ta mbrojë ministrin Ivan Stoillkoviq.