LSDM-ja dhe VMRO-ja refuzuan kushtin për presidentin në Kuvend

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut tani që ndodhen mesin e fushatës për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kanë aktualizuar çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit përmes Parlamentit, pas përfundimit të mandatit të presidentit të ri që do të zgjidhet në rundin e dytë më 8 maj, raporton REL.

Debati është ndezur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjesë e Qeverisë aktuale, e cila doli me ofertën drejtuar dy partive maqedonase, që nëse duan votat e kandidatit të saj për president, Bujar Osmani, në rundin e dytë të zgjedhjeve, të pranojnë kërkesën e këtij subjekti që presidenti në të ardhmen të zgjidhet nga Kuvendi.

Por, kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë kategorike si nga Partia Social Demokrate (LSDM) e ish-kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, ashtu edhe nga VMRO DPMNE-ja e pretendentit për kryeministër të ri, Hristijan Mickovski.

Bazuar në të gjitha ciklet e deritanishme zgjedhore, në rundin e dytë çdoherë kanë kaluar kandidatët e dy partive maqedonase, LSDM dhe VMRO, por votat e partive shqiptare në vazhdimësi kanë përcaktuar fituesin.

Një kërkesë e tillë është paraqitur edhe nga kandidati i VLEN-it, Arben Taravari, duke e paraqitur si shtyllë kryesore e programit të tij për president: zgjedhjen e presidentit në Kuvend.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 8 maj, ndërsa fushata do të fillojë me 18 prill dhe do të zgjasë deri me 6 maj.