Taravari publikoi katër shtyllat e programit presidencial: Do t’i propozoj Kuvendit daljen nga nisma Ballkani i Hapur

Kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, gjatë prezantimit të Platformës së tij për President, ka theksuar që do të kërkojë nga Kuvendi daljen e Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur, transmeton Portalb.mk.

“Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në konferencë për shtyp sot shpalosi Platformën Presidenciale e cila bazohet në katër shtylla, Maqedonia e Veriut e integruar në rajon dhe Evropë,  Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale”, raportojnë nga ekipi i Taravarit.

Ai theksoi që mandati për qeverisje do ti jepet personit që dëshmon se i ka numrat e mjaftueshëm për formimin e qeverisë.

“Bazuar në nenin 121 të Kushtetutës, do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur”, deklaroi Taravari.

Varësinë energjetike dhe sulmet kibernetike i vlerësoi si kërcënime të vazhdueshme, së bashku me Rusinë.

“Do të kujdesem për de-jugosllavizimin e Armatës dhe të Agjencisë së Zbulimit duke emëruar vetëm profesionistët më të mirë dhe më të dëshmuar, përfshirë edhe sa i përket sistemit të tyre të vlerave pro-perëndimore, do të ndihmoj që t’i japim fund varësisë sonë energjetike nga Rusia duke lehtësuar formulimin e një koncepti shtetëror të energjisë dhe do të krijoj një Task Force për siguri kibernetike e cila do në ndihmojë në parandalimin hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike”, deklaroi Taravari.

Taravari premtoi që si president do të mundohet të realizon vetingun në gjyqësor dhe prokurori, ndërkohë premtoi edhe themelimin e Komisionit për Standardet në Jetën Publike.

“Ky trup do të ketë për synim promovimin e etikës dhe moralit në jetën publike, si organ këshillimor i Presidentit dhe organeve shtetërore përgjegjëse për shtetin e së drejtës, do të angazhohem për anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023 që ishin anti evropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit”, premtoi Taravari.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit sot përmes një konference për shtyp ka hedhur dyshime për krim të organizuar në sjelljen e vendimit nga ana e Gjykatës së Tetovës e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës që Sela të jetë kryetar i partisë.