Lotaria Shtetërore: Dëmi u rivlerësua në 9.7 milionë euro, Grubi nuk ndjehet fajtor, seanca u shty pasi u kërkua përkthim në shqip

Seanca e dytë gjyqësore për rastin ‘Lotaria Shtetërore’ është shtyrë për shkak se i akuzuari Bashkim Avdiu kërkoi që aktakuza të përkthehet në gjuhën shqipe. Në ndërkohë sipas rivlerësimit, dëmi nga 8.2 u rrit në 9.7 milionë euro, raporton Portalb.mk.

Në seancën e sotme, i shoqëruar nga policia, u paraqit edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. I pyetur nga gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski nëse ndihet fajtor për veprën për të cilën akuzohet, Grubi u përgjigj shkurt: “Jo”.

Ndërkohë, Prokuroria ka bërë rivlerësim të dëmit të pretenduar në rastin “Lotaria”. Sipas përllogaritjes së re, dëmi kap shumën prej 596.125.511 denarësh, apo rreth 9.7 milionë euro. Kjo shumë është më e lartë prej 1.5 milionë euro se vlerësimi i mëparshëm, i cili ishte rreth 8.2 milionë euro.

Seanca e radhës është caktuar për më ditën e premte, më 11 shtator. 

Përveç Grubit, në këtë rast janë të akuzuar gjithsej edhe shtatë persona të tjerë.

I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është në arrati dhe ndaj tij gjyqi zhvillohet në mungesë.

Akuzohet edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore.

Sipas propozim-aktakuzës së Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, ata akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm financiar “Lotarisë Shtetërore”. Sipas rivlerësimit të Prokurorisë, dëmi është në vlerë prej 596.125.511 denarësh, apo rreth 9.7 milionë euro.

Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, për çka parashihet dënim me burg prej më së shumti pesë vite.

Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurtnë orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës. Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.