Sonte në Teatrin e Tetovës jepet premiera e shfaqjes “Magjistari i Ozit”
Teatri i Tetovës duke filluar sonte dhe tre ditët në vijim (7-10 shtator), nga ora 20:00, do ta sjellë shfaqjen “Magjistari i Ozit”, nën regjinë e Kushtrim Bekteshit. Por publiku nuk duhet të presë thjesht një rikthim të përrallës së njohur të L. Frank Baum. Në versionin e Bekteshit, bota fantastike e Ozit ndërthuret me realitetin e sotëm. Dorotia është një fëmijë që jeton në një botë të pasigurt, të përfshirë nga luftërat, ndërsa personazhet që e shoqërojnë në udhëtimin e saj marrin kuptime të reja dhe shumë më aktuale: Dordoleci është mësuar vetëm të zbatojë urdhra si ushtar, Druvari jeton me zemër të mpirë nga trauma e luftës, ndërsa Luani frikacak ka qenë në shërbim të një pushteti autoritar, sepse nuk ka pasur guxim t’i kundërvihet së keqes, shkruan Portalb.mk.
Regjisori Kushtrim Bekteshi, në një prononcim për Portalb.mk, thotë se në thelb të shfaqjes qëndron ideja se njeriu nuk duhet të ndalojë së ëndërruari dhe të heqë dorë nga kërkimi i gjërave që i japin kuptim jetës.
“Mesazhi, nëse mund ta quaj mesazh, është që asnjëherë nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari, asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi në kërkim të gjërave thelbësore që i japin kuptim jetës tonë, gjërave që na bëjnë të lumtur. Gjërat që konsiderojmë se na mungojnë, se i kemi humbur e që shumë shpesh i kërkojmë diku larg nesh, apo në një vend tjetër, në fakt i kemi brenda nesh, afër nesh, shumë më afër se sa besojmë. Ngjashëm me ‘Alkimistin’ e Paulo Coelho-s ku personazhi kryesor kërkon arin gjithandej nëpër botë dhe në fund e gjen në kopshtin e shtëpisë së tij”, thotë Bekteshi.
Regjisori paralajmëron se publiku do të shohë një “Magjistar të Ozit” që nuk synon ta kopjojë as filmin e famshëm dhe as versionet e tjera skenike, por ta sjellë rrëfimin në kontekstin e botës së sotme.
“Unë fatkeqësisht nuk kam parë ndonjë shfaqje teatrore bazuar në romanin e L. Frank Baum ‘I mahnitshmi magjistar i Ozit’ për të bërë dallimin, pos që si fëmijë e kam parë një herë adaptimin e këtij rrëfimi në film dhe që atëherë më ka ngelur në kujtesë si një prej rrëfimeve më të bukura që kam përjetuar si shikues. Çdo shfaqje dallon nga njëra-tjetra edhe nëse teksti është po i njëjti, sepse secili regjisor ka vizionin e tij dhe interpretimin e tij të veçantë të një vepre teatrore. Sigurisht që shfaqja jonë nuk do të ngjajë me asnjë version të shfaqjeve tjera që kanë për bazë rrëfimin e romanit, për këtë jam shumë i sigurt, meqë unë kam bërë një dramatizim dhe adaptim të veprës që në masë të konsiderueshme i qëndron besnik strukturës narrative të romanit dhe personazheve të romanit, por nga ana tjetër në masë të madhe është e rishkruar dhe dallon në qasje dhe interpretim”, thotë Bekteshi.

Dorotia në versionin e tij është një nga shumë fëmijët e kohës së sotme që jetojnë në një realitet të pasigurt, në një kohë luftërash globale, një fëmijë që ka humbur shtëpinë dhe familjen, por e cila vazhdon të ëndërrojë dhe me këmbëngulje kërkon rikthimin në shtëpi.
Bashkë me qenin e saj Toto, rrugës takon personazhe të çuditshme që njëkohësisht i përkasin botës së fantazisë dhe realitetit: Dordolecin prej kashte, i cili beson se nuk ka tru meqë është mësuar të zbatojë vetëm urdhra si ushtar; Druvarin e llamarinës që jeton me zemër të mpirë si pasojë e një traume pas një tragjedie personale në kohë lufte, dhe Luanin frikacak që i ka shërbyer një pushteti autoritar në mungesë guximi për t’iu kundërvënë të keqes.
“Sigurisht, të gjithë në fund e gjejnë atë që kërkojnë, atë që u mungon për të qenë të lumtur, por jo me magji si në roman, por falë përpjekjeve të tyre, këmbënguljes për ta ndryshuar gjendjen e tyre dhe rikthimit të vetëbesimit në potencialin që bartin brenda vetes së tyre. Jemi përpjekur të ndërtojmë një narracion tonin origjinal bazuar në romanin e L. Frank Baum, një narracion që komunikon paralelisht me fëmijët përmes gjuhës së fantazisë dhe me të rriturit përmes një gjuhe metaforike. Besoj se ia kemi dalë me sukses, por këtë më së miri do ta vlerësojë publiku”, thotë Bekteshi.

Shfaqja ndërton botën e Ozit përmes muzikës, koreografisë, kostumeve, skenografisë dhe video-projeksioneve 3D, duke synuar një përvojë vizuale që funksionon në dy nivele: si aventurë fantastike për fëmijët dhe si rrëfim metaforik për botën ku jetojnë të rriturit.
Në shfaqje interpretojnë: Sheqerije Ilazi, Arsim Fazlija, Blerim Ismani, Adrian Aziri, Arlind Selimi, Arsim Kaleci, Besarta Murtezani, Monna Mustafa Ziba, Elmir Sejfullai, Burhan Amiti, Argjend Hasani, Sami Mustafa, Bekim Smaili, Berat Saliu, Bekim Jahiu, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Muzafer Etemi, Jetmir Arifi, Vullnet Kuchi, Shpresa Hashimi dhe Blendi Abdula.
“Magjistari i Ozit” është produksion i Teatrit të Tetovës, i realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komunës së Tetovës.