Llukarevska: Kompanive që nuk do të paguajnë taksën e solidaritetit më 24 nëntor do t’u bllokohen llogaritë

Më 6 nëntor, Drejtoria e të Ardhurave Publike do t’u bëjë vërejtje atyre kompanive që nuk kanë paguar taksën e solidaritetit, ndërsa nëse edhe pas kësaj nuk kanë kryer pagesën më 24 nëntor, llogaritë e tyre do të bllokohen. Kështu bëri të ditur sot drejtoresha e Administratës së të hyrave publike (DAP), Sanja Llukarevska, në një konferencë për media ku informoi për të dhënat nga deklaratat tatimore të qytetarëve për vitin 2022, transmeton Portalb.mk.

“Duke qenë se afati ka qenë deri më 25 tetor, për të gjithë ata që nuk kanë paguar taksën e solidaritetit, do të marrim masa në përputhje me ligjin për procedurën tatimore, pra sipas kalendarit tonë, paralajmërimet do t’i dorëzojmë më 6 nëntor, ndërsa nëse pagesa nuk është bërë më 24 nëntor, ne do të fillojmë t’i bllokojmë llogaritë e tyre”, tha Llukarevska në përgjigje të pyetjes së gazetarëve.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Llukarevska, 150 tatimpagues kanë pasur detyrim të deklaruar për të paguar taksën e solidaritetit. Lukarevska tha se shuma e përgjithshme e mjeteve të paguara deri më sot është 2.210.108.927 denarë.

“Shuma më e ulët e tatimit të solidaritetit të paguar është 39.342 denarë, ndërsa shuma më e lartë e paguar individualisht për tatim solidariteti është 257.293.088 denarë. Ne kemi vetëm një tatimpagues që ka bërë kompensim me rimbursim të TVSH-së në shumë prej 42.259.181 denarë”, ka shtuar Llukarevska.

E pyetur se sa nga ata 150 tatimpagues nuk e kanë paguar ende dhe nëse në mesin e tyre ka ndërmarrje publike, Llukarevska tha se 99 tatimpagues kanë kryer pagesë dhe pohoi se në mesin e të tjerëve që nuk e kanë shlyer borxhin ka ndërmarrje publike.

“Sipas Ligjit të Procedurës Tatimore, nuk do të mund të shpallnim të gjitha ato kompani që janë debitore në bazë të taksës së solidaritetit, përtej afatit. Mirëpo, po, ka edhe ndërmarrje publike që ende nuk e kanë paguar borxhin”, tha Llukarevska.

Lukarevska shtoi gjithashtu se tatimpaguesve iu është shpjeguar mënyra e pagesës, e cila përfshin taksën e solidaritetit, gjegjësisht se mund ta bëjnë në tre këste deri në fund të vitit 2023 ose me shtyrje një herë deri në fund të dhjetorit.

Në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se Ligji për Tatimin e Solidaritetit është antikushtetues dhe nëse mjetet e paguara do t’u kthehen kompanive, Llukarevska tha se do të vendosin për veprim kur ta shohin njoftimin nga Gjykata Kushtetuese dhe varësisht si do të jetë.

Më 13 tetor, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar një iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për tatimin e solidaritetit në Gjykatën Kushtetuese, me propozim për marrjen e vendimit për ndalimin e ekzekutimit të akteve dhe veprimeve individuale të miratuara në bazë të ligjit të kontestuar, deri në miratimin e vendimit përfundimtar.

Ligji për taksën e solidaritetit ka kaluar nga Qeveria në mesin e korrikut, ndërsa Kuvendi e ka miratuar më 19 shtator pas procedurës së shkurtuar, me flamur evropian.

Zgjidhja ligjore ka hasur në reagime të ashpra nga komuniteti i biznesit. Më pas Oda ekonomike doli me qëndrimin se ligji është katastrofik dhe shkatërrues për të gjithë biznesin dhe ekonominë në vend. Nga aty kanë reaguar edhe për faktin se gjatë bartjes nuk janë marrë parasysh vërejtjet e atyre që duhet të paguajnë taksën.

Ministria e Financave, e cila ishte propozuese e ligjit, në mbrojtjen e saj theksoi se është një zgjidhje e njëhershme, e jashtëzakonshme dhe e përkohshme, e cila kryhet në kushte krize dhe që do të sjellë vetëm efekte pozitive.

Taksa e solidaritetit vlen për të gjitha kompanitë që vitin e kaluar kanë pasur të ardhura mbi 10 milionë euro dhe kanë një fitim 20 për qind më të lartë se mesatarja e katër viteve. Diferenca në të ardhura që tejkalon mesataren do të taksohet me 30 për qind. Me këtë tarifë të njëhershme, pritet që në buxhet të grumbullohen mjete që do të përdoren për masat kundër krizës.