Lloga: Turqia ka caktuar afat për ekstradimin e Palevskit, nuk dua të zbuloj detaje

Autoritetet turke që në shkurt i kanë njoftuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për afatin se kur pritet të ekstradohet Lupço Palevski Pallço, i dyshuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskas dhe Pançe Zhezhovskit. Palevski tanimë tre muaj e gjysmë ndodhet në paraburgim ekstradues në Turqi, pasi që arrestua në qytetin Balikesir pas shpalljes së fletëarrestit ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë. Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, përveç që konfirmon se kanë marrë një afat për ekstradim, nuk dëshiroi të ofrojë detaje tjera, njofton Portalb.mk.

“Na dhanë një afat. Sido që të jetë, unë nuk dua të japë detaje pasi që ajo punë varet prej atyre, dhe jo nga ne”, tha Lloga, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske në kuadër të konferencës ndërkombëtare me rastin e shënimit të 60-të vjetorit të ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ai përsëriti se gjatë kohës së vizitës së tij në Turqi është informuar se pjesa gjyqësore në lidhje me ekstradimin e Palevskit ka mbaruar dhe se ka mbaruar vetëm çështja administrative.

Pret që ekstradimi të ndodh së shpejti, pasi që premtime të tillë ka marrë nga kolegu i tij turk, Jilmaz Tunç.

“Sipas rregullave, patjetër duhet që fillimisht atje të jepet, gjegjësisht të merret nënshkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndërkaq më pas nga ministri i Drejtësisë. Pres që ajo të bëhet shpejtë pasi që fjalë të tilla kishte edhe kolegu nga Turqia”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se në ndërkohë nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar me autoritetet turke në lidhje me këtë çështje, por se ka pasur kontakte jozyrtare.

Palevski është i dyshuari kryesor për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska, trupi i së cilës u gjet më 3 dhjetor.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.