Ligji për përfaqësim adekuat drejt Venedikut, por jo drejt kuvendit, opozita: Taktikë bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe VLEN

Ka mbaruar refreni “së shpejti” i koalicionit VLEN për zgjidhjen ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut theksoi se ligji është gati, por, sipas tij, i njëjti pasi të kalojë në seancat e radhës qeveritare do të dërgohet në Komisionin e Venedikut . Reagimi i opozitës shqiptare ka qenë i menjëhershëm. ASH- e Arben Taravarit kritikoi qëndrimin e Mickoskit, për ta dërguar fillimisht ligjin në Komisionin e Venedikut, duke e cilësuar këtë si taktikë bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit VLEN, shkruan Portalb.mk. 

“ Ligji për përfaqësim të drejtë është gati, pritet në seancat e radhës të qeverisë të kalojë, të informohet publiku, pastaj do ta çojmë në Komisionin e Venedikut për mendim, normalisht do të presim mendim nga Komisioni i Venedikut, dhe të shohim, nëse kemi bërë diçka mirë, menjëherë e e lëshojmë në procedurë parlamentare. Shumë kemi pasur kujdes, shumë jemi konsultuar me ekspertë kushtetues, sepse ka parti politike që kur nuk merren me nekrofili, merren me nacionalizëm. Nuk na duhet ndasi tani, kur po përpiqemi që ta bashkojmë shoqërinë. Është kategori kushtetuese dhe duhet të respektohet, njëjtë siç është kategori kushtetuese se gjuhë zyrtare është maqedonishtja dhe shkrimi qirilik, kurse bashkësitë që janë më tepër se 20%, në këtë rast shqiptarët, në nivel qendror mund ta përdorin gjuhën shqipe si gjuhë të tyre, si gjuhë zyrtare”, tha Mickoski. 

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në institucionet shtetërore. Partia kritikon planin e qeverisë, për ta dërguar fillimisht ligjin në Komisionin e Venedikut, duke e cilësuar këtë si taktikë bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit VLEN. Aleanca kërkon që ligji të miratohet fillimisht në Kuvend dhe më pas t’i nënshtrohet vlerësimit ndërkombëtar, për të garantuar barazinë dhe shmangur keqpërdorimet politike. 

Sipas Aleancës për Shqiptarët deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, ngjall shqetësim të thellë për vonesa të qëllimshme dhe taktika bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj të qeverisë nga koalicioni VLEN, të cilët, thonë nga ASH, ose nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje, ose janë verbuar nga etja për pushtet. 

“Përvoja me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve tregon rrezikun real të vonesave të gjata. Ky ligj u dërgua në Komisionin e Venedikut më 22 janar 2019, ndërsa opinioni miqësor u kthye vetëm më 4 maj 2025 – pas plot gjashtë vitesh pritje. Për më tepër, për dallim nga ai ligj që u miratua në Kuvend dhe më pas iu nënshtrua vlerësimit ndërkombëtar, në rastin aktual, Qeveria tenton ta dërgojë ligjin për përfaqësim të drejtë në Komisionin e Venedikut pa miratim parlamentar. Kjo është një praktikë e rrezikshme që mund të krijojë zbraztirë juridike, në një moment kur vendi ka nevojë për garanci të qarta për përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar sistemin e balancerit, vendi ndodhet në një boshllëk ligjor që po keqpërdoret rëndë. Praktikat aktuale të punësimeve – ku në shumë konkurse rezultati është (20 me 0) në dëm të qytetarëve shqiptarë – janë tregues i qartë i shkeljes së parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe rrezikojnë seriozisht harmoninë ndëretnik”, thuhet në reagimin e partisë. 

Aleanca për Shqiptarët kërkon me ngulm që zgjidhja ligjore të miratohet fillimisht në Kuvend dhe vetëm pas kësaj të dërgohet për mendim në Komisionin e Venedikut. Nga aty janë decid se vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen vonesat e pafundme, të mbrohet barazia qytetare dhe të parandalohet keqpërdorimi politik i punësimeve në administratë.  

Për zgjidhjen ligjore sot u prononcuar edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

“Ne kemi premtuar që do të ketë ligj që nuk do të jetë i kontestueshëm nga Kushtetuta apo ligjet tjera dhe i njëjti do të jetë në shërbim të përfaqësimit adekuat, ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutë. A do të ndodhë para, apo pas zgjedhjeve, ne garantojmë që ky ligj do të miratohet”, tha Kasami.

Kujtojmë se procesit të përpilimit të kësaj zgjidhje ligjore i ka munguar transparenca. Fillimisht u premtua debat publik. Mirëpo, opinioni nuk pa asnjë debat publik për ligjin. Nga një prolongim në tjetër, procesi hodhi dyshime në opinion për një ligj të dobët dhe jo në dobi të shqiptarëve. 

Në një paraqitje të mëhershme televizive, në pyetjen se a do thotë kjo se do të zgjasë shumë, derisa të presim mendim nga Komisioni i Venedikut, Mickoski u përgjigj: 

“Sa shpejt do jetë, tani nuk do jem sekundant që do të vendos nëse do të jetë pas një jave, një muaji apo gjashtë muajve, … mund të jetë më shumë se një vit. Por, thelbi është të arrijmë në një zgjidhje që do të na garantojë aktualisht përfaqësim të vërtetë të drejtë, por edhe kushtetutshmëri”. 

Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afatePortalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. 

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.