Ligji për përfaqësim të drejtë assesi të miratohet, Mickoski vazhdon me arsyetime

Derisa publiku mbi dy vite pret miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e ka me të ngutur këtë çështje, nuk dihet ende kur ky ligj do të dorëzohet në Kuvend dhe më pas të miratohet, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se ky ligj mori dritë jeshile nga Komisioni i Venedikut muaj më parë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka dorëzuar në Kuvend këtë ligj.

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve theksoi se Ligji për përfaqësim të drejtë, pasi kaloi të gjitha filtrat dhe mori rekomandim nga Komisioni i Venecias, shumë shpejt do të gjendet në Kuvend, por pa precizuar se kur.

“Ligjin për përfaqësim të drejtë pres ta sjellim së shpejti para deputetëve, pasi ka kaluar të gjitha filtrat, përfshirë edhe atë të Komisionit të Venecias. Me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ai do të miratohet në Parlament, do të kalojë në Qeveri dhe shpresoj që do ta mbështesni. Por është kushtetues, e jo jokushtetues siç ju dhe koalicioni që i përkisni i keni mashtruar shqiptarët në Maqedoni për më shumë se 20 vjet”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Skender Rexhepi.

Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi tha se kjo qeveri si çdo qeveri në të kaluarën, përveç asaj 2016-2024, të gjitha qeveritë e tjera, edhe LSDM edhe VMRO e kanë ushqyer elektoratin e tyre me pemën e quajtur përçarje ndëretnike dhe shkelje të drejtave të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.

“Përse e kanë bërë këtë? Për shkak se elektoratit i ka interesuar më shumë fitorja e qeverisë ndaj të drejtave të shqiptarëve sesa gjendja e rëndë ekonomike apo varfëria e tyre. Gjithë qytetarët duhet ta dinë se në Kuvend dy gjuhë janë komfor Kushtetutës gjuhë zyrtare, gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe. Prandaj kryeministër unë ju lus, të bëheni ju shkaktar, të bëhemi ne shkaktar, ta presim pemën që na shkakton përçarje”, deklaroi Rexhepi.

Portalb.mk kërkoi nga kabineti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetait, se kur konkretisht Qeveria do ta dorëzojë këtë ligj në Kuvend, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Që nga shfuqizimi i “balancuesit”, ligji ec me këmbë të breshkës

Ndonëse ka kaluar mbi tre muaj që kur ky ligj u shqyrtua në seancë plenare të Komisionit të Venedikut, në Shkup nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Ky ligj u dorëzua në Komisionin e Venedikut për mendim vitin e kaluar, ndërsa në fillim të muajit dhjetor, në seancë plenare u shqyrtua dhe mori vlerësim pozitiv.

Paraprakisht, në fillim të shtatorit 2025, delegacioni i Komisionit të Venedikut erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.

Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.

Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.

Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare në Kuvend, konkretisht BDI-së, nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.