Shoqata e Diabetikëve në RMV “i uroi” fillim të mbarë ministrit Aliu duke i bërë pesë pyetje për situatën e tyre
Unioni i Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë së Veriut ka reaguar publikisht ndaj situatës së vazhdueshme problematike me furnizimin dhe shpërndarjen e terapisë për pacientët me diabet. Përmes një deklarate për media, ata i kanë “uruar” mirëseardhje me pesë pyetje ministrit të ri të Shëndetësisë, Azir Aliu, duke kërkuar urgjentisht transparencë dhe përgjigje për reduktimet e paarsyetuara të barnave, zëvendësimet e tyre dhe vonesat në përmbushjen e kontratave të reja për terapi. Deklarata shpreh shqetësim serioz për shëndetin e mbi 40 mijë pacientëve dhe kërkon që zëri i tyre të dëgjohet, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të mungesës së transparencës prej shumë kohësh në punën e Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë së cilës kohë pati reduktime dhe mungesa të terapisë, mungesë të sasive të mjaftueshme dhe moslëshim të terapisë së plotë, në përputhje me kontratat e reja për blerjen e terapisë, si dhe mungesës së ndonjë përgjigjeje ndaj kërkesave tona, sot i urojmë publikisht Ministrit të ri Azir Aliu fillim të mbarë në Ministrinë e Shëndetësisë me 5 pyetje”, thonë nga Unioni i Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë së Veriu.
Në vijim po i përcjellim të plota pyetjet e tyre drejtuar ministrit Aliu:
- 1. Kush dhe pse nuk po e lëshon sasinë e plotë, me gjithsej 500 pacientë të rinj të Ozempic? Mbi bazën e çfarë provash shkencore po bëhet ulja e sasive?
- 2. Kush dhe pse po i ul sasitë e Insulinave, Ryzodek dhe Novomix 30 dhe kush, pa asnjë shkencë, urdhëron farmacinë të bëjë zëvendësime për 9000 pacientë që ju ua ndryshoni pa konsultim?
- 3. Kush dëshiron të zëvendësojë 40,000 jetët tona dhe shëndetin tonë për “lojëra dhe kotësi” të përditshme ose ndoshta për kursime buxhetore?
- 4. Pse sasia e supozuar e rritur prej 30% nuk po realizohet pas tenderit të ri për ofrimin e TERAPISË (insulina dhe antidiabetikë) në të gjithë vendin? A po e “keqpërdorim” ne terapinë?
- 5. Sa kohë i duhet Komisionit Kombëtar për Diabetin dhe zëvendësministrit, së bashku me shërbimet, për t’iu përgjigjur kërkesave tona për standardet dhe kriteret minimale për prokurimin e shiritave dhe sensorëve? Apo dikush po bën llogaritje pa ne dhe po mendon se kështu do të kalojë me prokurimin?
Kujtojmë se edhe në fillim të prillit të këtij viti Shoqata e të sëmurëve nga diabeti në Maqedoninë e Veriut shprehu shqetësimin për mungesën e insulinës dhe terapisë kundër diabetit. Ata i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të fillojnë menjëherë me shpërndarjen e të gjitha barnave të insulinës nëpër farmaci, sipas nevojave dhe numrit të pacientëve ekzistues.
Ndryshe, sipas edicionit të fundit, të 11-të të “Atlasi për Diabet” të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), në Maqedoni në vitin 2024, janë regjistruar 140.800 persona me diabet të moshës 20 deri në 79 vjeç, që paraqet prevalencë të standardizuar sipas moshës prej 7,4 për qind. Të dhënat tregojnë gjithashtu se rreth një e treta e njerëzve me diabet – 33.5 për qind – janë të padiagnostikuar, që do të thotë se rreth 45,000 njerëz në vend jetojnë me diabet pa e ditur.
- LEXO: Diabetikët kërkojnë pompa insuline, Taravari: Insulina do të blihet për dy vite
- LEXO: Mbi 140,000 njerëz në RMV kanë diabet, alarm për parandalim dhe qasje më të fortë në terapi
- LEXO: Pacientët presin me orë të tëra për insulinë dhe kontrolle në Poliklinikën e Shkupit në Bukuresht pasi nuk ka internet prej disa ditësh