RMV, projekt-ligji për amnisti: Për të lehtësuar mbipopullimin në burgje, dënimet do të shkurtohen me 30%

Ministria e Drejtësisë e përgatiti Propozim-ligjin për Amnisti, me të cilin bëhet i mundur lirimi dhe ulja e dënimit me burg për veprat penale të lehta. Me ligjin propozohet, personat të cilët janë dënuar me dënim burg deri në gjashtë muaj, tërësisht të lirohen nga vuajtja e dënimit. Ata, të cilët janë dënuar me burg mbi gjashtë muaj, lirohen nga vuajtja e 30% të dënimit total të shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë, transmeton Portalb.mk.

“Pritet që të miratohet në seancën e ardhshme të Qeverisë Propozim-ligji u dorëzua edhe deri te koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, të cilët duhet t’i japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Qëllimi është që të bëhet i mundur lehtësimi i punës në institucionet ndëshkimore-korrektuese, duke pasur parasysh situatën aty në periudhën e kaluar e që është alarmante, dhe kjo ishte e theksuar në raportet e shumta ndërkombëtare si dhe nga ana e Komitetit për Parandalimin e Torturës në kuadër të Këshillit të Evropës”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Amnistimi nuk vlen për personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, për vepra penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve” nga neni 353, “Punë të papërgjegjshme në shërbim” nga neni 353-c, të gjithë nga Kodi Penal, për krime kundër rendit publik nga nenet 394 deri në 394-d të Kodit Penal, si dhe për krimet e kryera gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

“Amnistia nuk ka të bëjë me veprat penale “Grabitja” nga neni 237 paragrafi 5 dhe “Vjedhja grabitqare” nga neni 238 paragrafi 5 i Kodit Penal, për veprat penale “Mashtrim në dëm të fondeve të Bashkimit Evropian” nga neni 249-a”, “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale” nga neni 273, “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353, “Të punuarit e pandërgjegjshëm në shërbim” nga neni 353-v, “Marrja e ryshfetit” nga neni 357,  “Dhënia e ryshfetit”  nga neni 358, “Dhënia e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” nga neni 358-a dhe për “Marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” nga neni 359, të gjitha nga Kodi Penal”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

  • Amnistia nuk vlen për personat që i kanë kryer veprat që i nënshtrohen amnistisë pas datës 1 shtator 2023.
  • Amnistia nuk vlen për personat të cilët në kohën e kryerjes së veprave janë zgjedhur dhe emëruar persona në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
  • Amnistia nuk vlen për personat e dënuar ligjërisht për të cilët, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, është lëshuar urdhërarrest për shkak se janë të pakapshëm për organet e ndjekjes penale.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.