OKB-ja, organizata ku ndërthuren shumë interesa

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), si organizatë ndërqeveritare e themeluar në bazë të Kartës së Atlantikut (1941) dhe të San Franciskos (1945) në mes Fuqive të Mëdha, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me dekada ka shërbyer si vend ku interesat e të mëdhenjve mbizotrojnë, kurse shtetet e vogla janë si spektatorë të teatrit të politikës së pesë shteteve në Këshilin e Sigurimit (KS) me të drejtë të vetos. Për më shumë, pas Konferencës së San Franciskos, OKB-ja filloi zyrtarisht me punë në tetor të vitit 1945. Karta e OKB-së në atë kohë u ratifikua nga SHBA-ja, Franca, Anglia, BRSS-ja dhe Kina. Në aspketin gjeopolitik kur të mëdhenjtë vendosin për një krizë ndërkombëtare, duhet të kuptojmë se është në fuqinë e tyre që çështja të ndërlidhet me interesat e Fuqive të Mëdha të ulura po në selinë e OKB-së. Takimi i fundit i liderëve të shteteve dhe qeverive nga mbarë bota në Nju-Jork këtë muaj, u bë në një kohë vendimtare për sigurinë ndërkombëtare, Ukrainën, varfërinë, ndryshimet klimatike dhe gjendjen e demokracisë globale. Për lexuesit tanë, është me rëndësi të themi se qëllimet e OKB-së janë të shumta, duke filluar “me qëllimin të ruajë paqen, sigurinë ndërkombëtare, të mbrojnë të drejtat e njeriut, të ofrojnë ndihmë humanitare, të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, të mbështesë ligjin ndërkombëtar etj etj”. Po në selinë e OKB-së, liderë demokratë dhe autokratë kanë mundësi të thonë fjalë të mira dhe të këqija për miqtë dhe armiqtë. Po aty, shtetet marrin qendrime dhe bëjnë përpjekje për të lidhë aleanca me shtetet më të fuqishme me të drejtë të vetos. Po ashtu në OKB, dëgjohet edhe zëri i shteteve të vogla dhe atyre shteteve që janë në armiqësi me apo në miqësi me anëtarët e përhershëm dhe të përkohëshëm. Njëkohësisht dhe përfundimisht vetëm të fortit me të drejtë të vetos kanë të drejtë dhe vendosin për shumë situata ndërkombëtare. Rasti i para disa ditëve ku në selinë e OKB-së në Nju-Jork shumica e shteteve demokratike akuzuan Rusinë për thyerrje të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës së OKB-së, tregon se një shtet anëtar i organizatës po vepron në kundërshtim me të gjitha normat kundër njerëzimit. Nga ana tjetër, pavarësisht kritikave nga anëtarët e organizatës, Rusia i ka bërë të njohura linjat e kuqe dhe arsyet e pushtimit të Ukrainës. Andaj po në Nju -Jork, sinjalet e dhëna nga bota demokratike japin shpresë se paqja dhe demokracia do të mbizotërojë. Në takimin e fundit në Nju-Jork, Ukraina ishte në qendër të vëmendjes dhe akuzave në mes Perëndimit dhe Rusisë. Qysh herët para se Rusia të fillonte sulmin mbi Ukrainë, autorë të huaj kanë tërhequr vëmendjen se një ditë lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës do të shpërthejë. Në librin “Të burgosurit e gjeografisë”, të autorit Tim Marshall gjejmë një vërshtrim të jashtëzakonshëm të aspekteve gjeopolitike të marrëdhënieve ruso-ukrainase. Marshall thekson se “gjatë pesëqind viteve të fundit, Rusia ka luftuar “në ose rreth” Rrafshit të Evropës Veriore “një herë në tridhjetë e pesë vjet“. Ndërsa autorja tjetër Kathie Young, në artikullin mbi “Gjeopolitikën mesjetare” nënvizon se “historia e Rusisë dhe Ukrainës tregon se duke u kthyer në mesjetë, kulturat politike në të dy kombet i kanë vënë thekse të ndryshme lirisë dhe pushtetit shtetëror”. Traktatet ndërkombëtare dhe Karta e të Drejtave të Njeriut janë shkelur po nga anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe shumë anëtarë tjerë të organizatës. Historikisht anëtarët e OKB-së kanë arritur që shumë probleme t’i zgjedhin me anë të bisedimeve dhe ndërmjetësimit, ku OKB-ja i ka gjithashtu mekanizmat. Nuk duhet të harojmë se në historinë e konflikteve ndërkombëtare ka ndodhur që trupat e paqëruajtëse të OKB-së të bëhen pjesë e shkeljes së ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të akuzohen për qëndrim pasiv ndaj dhunës dhe vrasjeve. Në ndërkohë, përveç anëve negative ndaj trupave të OKB-së, në disa raste po të njëjtat forca paqëruajtëse kanë pasur rol shumë të rëndësishëm. Kur jemi tek institucionet ndërkombëtare dhe rolin e tyre në konfliket aktuale, lexuesit duhet të njihen me trupat kryesore të OKB-së, këshillat dhe agjencitë e ndryshme që janë janë pjesë e OKB-së. Për Këshillin e Sigurimit kemi dëgjuar shumë në lajme. KS ka përgjegjësinë kryesore të organizatës. OKB ka pesë anëtarë të përhershëm dhe dhjetë anëtarë jo të përhershëm që kyesojnë OKB-në në sistem rotacioni. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, është organi kryesorë i politikëbërjes. Të gjitha 193 shtetet anëtare të OKB-së përfaqësohen në Asamblenë e OKB-së. Çdo vit, në muajin shtator anëtarët e OKB-së takohen në Nju- Jork për sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme në debatin e përgjithshëm ku marrin pjesë kryetarë të qeverive dhe presidentë të shteteve. Po ashtu OKB-ja, ka disa trupa tjerë të rëndësishëm që mundësojnë punën e përditshme të organizatës dhe të agjencive tjera ndërkombëtare nën drejtimin e OKB-së. Duhet pranuar se OKB-ja përveç misionit paqësor, në selinë e saj gërshetohen shumë politika dhe interesa të Fuqive të Mëdha dhe shteteve të dobëta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.