Liderët e bashkësive fetare të RMV-së nënshkruan deklaratë kundër ekstremizmit të dhunshëm
Udhëheqësit e bashkësive fetare të vendit nënshkruan një Deklaratë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Iniciativa është e Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) dhe Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare (KMBFGF), transmeton Portalb.mk.
Nënshkruesit e Deklaratës janë Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit, z. Stefan, kreu i Bashkësisë Fetare Islame Shaqir ef. Fetahu, ipeshkvi i Shkupit dhe i Dioqezës së Strumicës dhe Shkupit, Kiro Stojanov, Mbikëqyrësi i Kishës Metodiste Ungjillore Marjan Dimov, kryetari i Bashkësisë Hebraike Pepo Levi, si dhe drejtoresha e KMBFGF-së Olivera Trajkovska dhe drejtori i QMBN-së Aleksandar Krzhalovski.
“Për paraqitjet e tilla siç thatë në Gostivar dhe në vende tjera, ne nuk kishim dijeni sepse ata nuk ishin as punëtor fetar e as profesional ose punëtor të kualifikuar fetar. Është mirë që shteti i ka vërejtur paraqitjet e tilla dhe sigurisht ka marrë masa. Me ardhjen time në BFI, disa xhami që ishin jashtë BFI-së, janë kthyer në BFI, me vendim dhe nga ai moment veprojnë sipas rregullave të BFI-së dhe nuk kemi asnjë problem në të”, tha kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Shaqir Fetahu.
Gjatë nënshkrimit, u theksua se komunitetet fetare janë ndër aktorët kryesorë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, pasi prania dhe aktivitetet e tyre me besimtarët mund të jenë me dobi të madhe në forcimin e komuniteteve në tërësi.