Reagim ndaj thirrjes për tubim në Blatec kushtuar miqësisë maqedonase-ruse
Ditët e fundit në rrjetet sociale po qarkullon një thirrje drejtuar qytetarëve të komunave të Vinicës dhe Koçanit për të marrë pjesë në atë që përshkruhet si një “tubim mbarëpopullor dhe bisedë”, kushtuar miqësisë maqedono-ruse, lidhjes ortodokse dhe të ardhmes së Maqedonisë. Sipas njoftimit, tubimi është paralajmëruar për më 14 qershor para kishës ortodokse ruse në fshatin Blatec. Mbetet e panjohur se kush është organizatori i këtij tubimi, transmeton Portalb.mk.
Pas publikimit të thirrjes, reagoi kleriku Dragan Arsovski, i cili informoi se ngjarja nuk është organizuar dhe as mbështetur nga Kisha Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit (KOM-AO).
“Të dashur besimtarë, në rrjetet sociale ka filluar të shpërndahet një ftesë për një tubim në Blatec, ku do të bisedohet për miqësinë maqedono-ruse dhe lidhjen ortodokse. Është detyrimi ynë t’ju informojmë se ky tubim nuk është nën patronazhin e Kishës dhe është organizuar pa dijeninë dhe bekimin e peshkopit tonë kompetent. Për këtë arsye, ne distancohemi nga çdo lidhje me këtë ngjarje. Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë se objekti i kishës ku është planifikuar tubimi është ende në ndërtim e sipër dhe nuk është vend i përshtatshëm për aktivitete të tilla. Kisha e mohon dhe nuk e miraton këtë tubim, pasi është organizuar pa dijeninë e saj. Kisha është maqedonase dhe i përket popullit të Zotit në Blatec dhe të gjithë njerëzve, ndërsa administrohet nga KOM-AO, Eparkia e Bregallnicës”, shkroi Arsovski në profilin e tij në Facebook.
Për qëndrim lidhur me këtë çështje u kontaktua edhe Kisha Ortodokse Maqedonase, nga ku shkurtimisht thanë se nuk kanë dëgjuar për një thirrje të tillë dhe se deri më tani, në të kaluarën, nuk ka pasur raste të ngjashme të thirrjeve drejtuar qytetarëve që lidhen me kishën ruse.