Leximi dhe mendimi kritik: Shtyllat e shkrimit të mirë

Mirhat Aliu
Shkruan: Mirhat Aliu

Në jetën tonë të përditshme, shpesh lexojmë libra, analiza, kolumna, kritika apo edhe studime të ndryshme. Secili prej këtyre shkrimeve lë tek ne një përshtypje që na pëlqen ose jo, na bind ose jo, na fton të reflektojmë ose thjesht kalon pa lënë gjurmë. Në mënyrë të natyrshme, pas leximit lind edhe dëshira për të shkruar, për të hedhur në letër mendimet tona, për të reaguar dhe për të kontribuar. Por pikërisht këtu fillon edhe sfida.

Ka raste kur një shkrim na del i rrjedhshëm, i qartë dhe i strukturuar mirë. Ka raste të tjera, pavarësisht dëshirës, teksti duket i thatë, i paqartë ose i paorganizuar. Por përse ndodh kjo? Çfarë konkretisht e dallon një shkrim të zakonshëm nga një shkrim që mbetet në mendje? Besoj fuqishëm se dy komponentët thelbësorë që e bëjnë një shkrim të dalluar janë: të lexuarit, dhe të menduarit.

Të lexuarit – Shkëmbim informacioni

Të lexuarit është hapi i parë dhe themelor. Përmes leximit ne pasurojmë veten me informacione, ide, mendim kritik, këndvështrime dhe stile të ndryshme shkrimi. Leximi nuk është vetëm proces teknik, por është ushqim për mendjen. Sa më shumë që lexohet, sidomos në fushën që studiohet apo trajtohet, aq më e pasur baza intelektuale bëhet. Një shkrimtar që nuk lexon, në fakt, shkruan në boshllëk. Ndërsa ai që lexon rregullisht, ndërton një rezervuar idesh, referencash dhe përvojash, të cilat më vonë reflektohen natyrshëm në shkrimet e tij.

Të menduarit – Proces i brendshëm i ndërtimit

Por leximi sado i rëndësishëm, nuk mjafton. Të menduarit si koncept përfaqëson fazën në të cilën informacioni i marrë përpunohet, analizohet dhe organizohet. Është momenti kur lind struktura e shkrimit. Mendimi logjik dhe kritik si role kyçe në të shkruarit, ndihmojnë shumë në ndërtimin e argumenteve të qarta, pasi që lidhin ide të pastra dhe shmangin kundërthëniet. Një shkrim i mirë nuk është vetëm emocional, por është edhe racional. Një shkrim pa mendim logjik dhe kritik, dhe pa analizë mbetet sipërfaqësor, ndërsa një shkrim i analizuar mirë fiton peshë dhe qëndrueshmëri.

Të shkruarit – Rezultat i dy proceseve të para

Shkrimi është produkti final, por jo pika e nisjes. Është rezultat i një procesi të brendshëm. Kur leximi dhe mendimi janë bërë si duhet, shkrimi rrjedh më natyrshëm. Idetë janë më të qarta, argumentet më të forta, dhe struktura më e organizuar. Në të kundërtën, kur fillojmë të shkruajmë pa reflektim paraprak, shpesh përfundojmë me një tekst të paqartë dhe të shpërndarë.

Leximi dhe mendimi si procese njohëse nuk janë të ndara në zhvillimin intelektual, por ato ushqejnë njëra-tjetrën. Sa më shumë të shkruajmë, aq më mirë kuptojmë se çfarë duhet të lexojmë. Sa më shumë të lexojmë, aq më shumë nxitemi të mendojmë. Dhe sa më thellë të mendojmë, aq më cilësor bëhet shkrimi. Në fund të fundit, shkrimi i mirë nuk është rastësi, është rezultat i një procesi të vetëdijshëm dhe të disiplinuar.

Mungesa e mendimit kritik në kohën e reagimeve të shpejta

Në realitetin e sotëm, sidomos në epokën e rrjeteve sociale, reagimet janë të menjëhershme dhe shpesh emocionale. Shkruajmë pa analizuar përmbajtjen, pa kaluar përmes filtrit të mendimit kritik. Leximi i kujdesshëm dhe mendimi kritik janë çelësi për të ndërtuar shkrime me strukturë, argument dhe qëndrueshmëri. Ndërsa komentet impulsive marrin pëlqime, shkrimi i menduar mirë reflekton thellësi dhe respekt, duke dalluar autorin që ndërton mendim nga ai që vetëm reagon.