Leonard Ademaj: Informatat për rastin e Liridonës i marrim nga mediat, kërkojmë takim urgjent me kryeprokurorët

Sot, vëllai i Liridonës, viktimës së vrasjes tragjike në Kosovë, Leonard Ademaj, ka bërë të ditur se deri më tani nga Prokuroria e Prishtinës nuk kanë kontaktuar fare me familjen që t’i lajmërojnë për procedurat gjyqësore që do të zhvillohen dhe të gjitha informacionet që i kanë, i kanë prej raportimeve në media, shkruan Portalb.mk.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook letrën që i është dërguar Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës për rastin e Liridona Ademajt, vrasja e të cilës dyshohet se është porositur nga burri i saj. Sipas vëllait të Liridonës, familja Ademaj nuk e di as se kush do të jetë prokurori përkatës për rastin dhe kërkon një takim urgjent me personat zyrtarë përgjegjës.

“Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media”, shkruan Ademaj, duke shtuar se nuk kërkojnë informacione konfideciale, vetëm duan të jenë të informuar për rastin.

Deri tani për vrasjen e Liridonës është mbajtur një seancë dëgjimore në fillim të dhjetorit, e cila ishte e mbyllur për mediat.

LEXO: Është arrestuar edhe personi i katërt për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

LEXO: Një muaj paraburgim për të dyshuarit për vrasjen e Liridonës (VIDEO)