Hulumtuesja penale për ish-Jugosllavinë, Tromp: Specialja u krijua për ta kënaqur Serbinë, jo për drejtësi
Procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në dënimet që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shqiptuan më 16 shtator kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët i shpallën fajtorë për krime lufte, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Por, Tromp, e cila ka ndjekur nga afër edhe procesin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në atë që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se më i mundshëm është një ndryshim i pjesshëm sesa i plotë i aktgjykimit ndaj tyre.
Para intervistës, në disa komente për REL-in, Tromp e cilësoi si “mëkat fillestar” të Dhomave të Specializuara faktin që, sipas saj, ato u konceptuan për ta “kënaqur” Serbinë, dhe jo si një institucion i mirëfilltë i përcaktimit të përgjegjësisë.
Ajo vlerësoi se gjykata u krijua më 2015 si çmim për vazhdimin e mbështetjes perëndimore për Kosovën, “me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do të çonin drejt njohjes së pavarësisë” së shtetit.
Sipas Trompit, aktgjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së ka pasoja përtej përgjegjësisë së tyre individuale. Ajo veçon konstatimin për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” dhe përmendjen në aktgjykim të personave që nuk ishin të pandehur në këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë: Mbrojtja e katër të dënuarve ka paralajmëruar apel. Bazuar në aktgjykimin e 16 shtatorit, ku i shihni bazat më të forta juridike për ta kundërshtuar shpalljen e fajësisë?
Nevena Tromp: Kryesorja është kundërshtimi i vetë ekzistencës së “qëllimit të përbashkët kriminal”, së bashku me mënyrën se si aktgjykimi e dalloi kontributin individual të katër të pandehurve.
U konstatua se Thaçi dhe Krasniqi i kishin përdorur aktivisht pozitat e tyre për t’i zbatuar aspektet kriminale të “qëllimit të përbashkët”, ndërsa shpallja fajtor e Selimit mbështetet në një cilësim thelbësisht të ndryshëm: mosparandalimin dhe mosndëshkimin e krimeve për të cilat ai kishte autoritetin dhe dijeninë për të vepruar, një konstatim i bazuar në mosveprim dhe jo në zbatim aktiv.
Kjo është baza më e kundërshtueshme në apel, sepse varet nga vlerësime të lidhura me faktet specifike rreth asaj që ai dinte, kur dinte dhe çfarë mund të bënte realisht lidhur me të.
Një bazë e dytë e mundshme ka të bëjë me vetë materialin provues, veçanërisht me mbështetjen në deklaratat e dëshmitarëve, të marra shumë vite pas ngjarjeve në fjalë, të cilat ekipet e mbrojtjes pranë Dhomave të Specializuara i kanë kundërshtuar në procedura të mëparshme.
Radio Evropa e Lirë: Sa e vështirë është, nga pikëpamja e së drejtës së apelit, të kundërshtohet konstatimi i trupit gjykues se të katër të dënuarit kishin dhe zbatonin një qëllim të përbashkët kriminal?
Nevena Tromp: Është e vështirë. Shqyrtimi në apel në këtë sistem, i trashëguar nga jurisprudenca e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), nuk i peshon sërish provat; ai përqendrohet në zbatimin e ligjit mbi provat dhe faktet, ashtu siç janë konstatuar.
Gjyqtarët e ndërtuan konstatimin për “qëllimin e përbashkët” në mënyrë kumulative – nga modelet e shënjestrimit të “bashkëpunëtorëve” të supozuar para dhe gjatë luftës, nga komunikatat dhe deklaratat politike që u referoheshin “masave ndëshkuese”, si dhe nga struktura dhe mënyra e veprimit të objekteve të ndalimit në të gjithë territorin e kontrolluar nga UÇK-ja.
Pritja realiste është një apel që e ngushton aktgjykimin në aspektet e tij anësore: cili individ lidhej me cilat krime specifike, nëse viktima të caktuara i ishin atribuuar siç duhej “qëllimit të përbashkët”.
Radio Evropa e Lirë: Cilat rezultate janë ligjërisht të mundshme në apel? A mund të rrëzohet shpallja e fajësisë, të ndryshohen konstatime të veçanta ose të ulen dënimet?
Nevena Tromp: Paneli i Gjykatës së Apelit i Dhomave të Specializuara mund ta konfirmojë aktgjykimin, ta rrëzojë shpalljen e fajësisë për pika të caktuara të aktakuzës, t’i rrisë ose t’i ulë dënimet, ose, në parim, të urdhërojë një rigjykim të pjesshëm për çështje të veçanta.
Një shkallë tjetër, Paneli i Gjykatës Supreme, është i disponueshëm në rrethana më të kufizuara, përfshirë rastet kur në apel shpallet fajësi pas një shpalljeje të pafajësisë, ose gjatë shqyrtimit të dënimeve veçanërisht të rënda.
Duke pasur parasysh dallimet tashmë të dukshme në aktgjykimin e shkallës së parë, rezultati më i mundshëm nuk është një rrëzim i plotë, por një i pjesshëm – një ulje, veçanërisht për Selimin ose Veselin, kontributin e të cilëve në “qëllimin e përbashkët”, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara e cilësuan me terma më të dobët sesa atë të Thaçit dhe Krasniqit.
Por, aktgjykimet në apel në gjykatat penale ndërkombëtare mbeten të paparashikueshme. Vlen gjithashtu të kujtohet se vetë Tribunali në Hagë pati raste, në të cilat dënime të rënda të trupit gjykues u rrëzuan në apel, deri në shpallje pafajësie. Gjithçka mbetet e mundshme.
E, çfarë nëse Prokuroria vendos të apelojë? Kjo meriton të merret seriozisht, sepse një apel i Prokurorisë do të shënjestronte pjesën e aktgjykimit që aktualisht i jep mbrojtjes dhe Qeverisë së Kosovës bazën e tyre më të fortë retorike: shpalljen e pafajësisë për të gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit.
Krimet kundër njerëzimit kërkojnë prova për një politikë në nivel shtetëror ose organizativ, dhe zakonisht sjellin pasojat më të rënda në aspektin e dënimit në këtë fushë, prandaj rikthimi i disa ose i të gjashtë pikave nuk do të ishte një ndryshim i vogël. Ai do ta rihapte vetë çështjen e dënimit, me gjasë në drejtim të rritjes.
Në aspektin procedural, ai do të garantonte, gjithashtu, një proces më të gjatë: sipas strukturës me tri shkallë të Dhomave të Specializuara, një vendim i Panelit të Apelit që e shndërron një shpallje pafajësie në shpallje fajësie aktivizon një shtresë tjetër shqyrtimi në Panelin e Gjykatës Supreme.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të ketë ky aktgjykim brenda Kosovës, ku UÇK-ja mbetet në qendër të narrativit politik dhe historik të vendit?
Nevena Tromp: Një nga rezultatet me pasojat më të mëdha të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” është konstatimi i tyre për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” – një konstatim që bie në kundërshtim të thellë me rezultatet e vetë Tribunalit të Hagës për të njëjtën çështje.
Tribunali gjykoi gjashtë komandantë të UÇK-së në dy gjykime për akuza të krahasueshme – keqtrajtimin në kampe ndalimi të njerëzve të akuzuar për bashkëpunim – dhe të dyja çështjet përfunduan kryesisht me shpallje pafajësie.
Në asnjë aktgjykim të Tribunalit të Hagës nuk u konstatua se ekzistonte një “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në nivelin e UÇK-së si të tillë – me një qëllim të përbashkët dhe një synim të përbashkët për të kryer krime. Çështjet “Limaj” dhe “Haradinaj” të TPNJ-së, cilido qoftë rezultati i tyre, u zhvilluan gjithmonë mbi një teori të individualizuar: komandantë të identifikuar me emër, që përgjigjeshin për kampe të caktuara ose incidente të caktuara, pa ndonjë konstatim se udhëheqja e UÇK-së, si tërësi, kishte drejtuar një ndërmarrje kriminale.
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara bën diçka kategorikisht të ndryshme. Përtej katër të pandehurve të shpallur fajtorë, ai emërton shtatë individë të tjerë – Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin – si persona që kishin “ndarë dhe ishin pajtuar me qëllimin e përbashkët kriminal” dhe si vetë “anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale të pretenduar”, pa qenë asnjëri prej tyre i pandehur në këtë çështje, ose pa pasur mundësinë ta kundërshtonte atë cilësim, siç do të mund ta bënte një i pandehur.
Doktrina thotë se konstatime të tilla nuk përbëjnë shpallje formale fajësie për personin e përmendur; ato ekzistojnë vetëm për të përcaktuar formën e përgjegjësisë së të akuzuarve faktikë.
Katër të pandehurit ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë kaluan nëpër një gjykim kontradiktor. Shtatë të tjerët jo: ata nuk kishin avokatë në këtë procedurë, as mundësi për t’i kundërshtuar provat e përdorura për t’i vendosur emrat e tyre në një aktgjykim publik, dhe as të drejtë apeli, sepse nuk kishin qenë asnjëherë palë që në fillim.
Rasti i Fatmir Limajt e shndërron këtë në diçka më serioze sesa versioni i zakonshëm i problemit. Ai nuk ishte thjesht i paakuzuar dhe i padëgjuar në këtë procedurë. Ai u akuzua nga TPNJ-ja, doli në gjyq, dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2005 për, në thelb, të njëjtën kategori akuzash.
Ta emërtosh tani, në aktgjykimin e një tribunali tjetër, që ka të bëjë me një pjesë të madhe të së njëjtës sjellje në themel të çështjes, si pjesëmarrës në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, pa një aktakuzë të re dhe pa një gjykim të ri, në të cilin ai të mund ta kundërshtonte atë cilësim, do të thotë të rihapësh një çështje që një gjykatë tashmë e kishte zgjidhur në favor të tij – jo përmes ndonjë procesi që i jep atij cilësi procedurale për t’u përgjigjur, por përmes një konstatimi të bërë në çështjen e dikujt tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Dhomat e Specializuara u krijuan nga vetë Kosova, megjithatë aktgjykimi po refuzohet nga shumë figura politike dhe qytetarë. Çfarë do të thotë ky moment për besueshmërinë e Gjykatës, dhe për besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë?
Nevena Tromp: Klasa politike që e refuzon këtë aktgjykim sot mbivendoset në masë të konsiderueshme me atë se e pranoi pa dëshirë krijimin e Gjykatës në vitin 2015, nën trysni të konsiderueshme ndërkombëtare.
Kjo mbivendosje vepron në të dyja drejtimet. Do të thotë se kritikët e saj nuk mund ta hedhin poshtë Gjykatën si një imponim tërësisht të huaj, pa asnjë gjurmë vendore, por gjithashtu do të thotë se e njëjta udhëheqje që tani po i kërkon publikut ta shohë aktgjykimin si jolegjitim, dikur e vlerësoi krijimin e Gjykatës si diçka që mund të përballohej, madje si të nevojshme, për pozitën ndërkombëtare të shtetit.
Kjo dykuptimësi ka të ngjarë ta thellojë, jo ta zgjidhë, gërryerjen e besimit publik tashmë të dukshëm në Kosovë: një gjykatë e krijuar brenda vendit, aktgjykimi kryesor i së cilës kundër udhëheqjes themeluese të vendit refuzohet nga një pjesë e madhe e klasës politike dhe publikut, e minon teorinë se ky ka qenë ndonjëherë një akt plotësisht legjitim i vetëqeverisjes dhe e përforcon një narrativ, tashmë të pranishëm në mbarë rajonin, se gjykata të tilla funksionojnë si instrumente të kushtëzimit të jashtëm dhe jo të llogaridhënies së brendshme.
Radio Evropa e Lirë: A ekziston një mënyrë ligjore për ta “zhbërë” Gjykatën?
Nevena Tromp: Vetë aktgjykimi i shkallës së parë ia njeh Thaçit kontributin e tij për ta bërë të mundur krijimin e Dhomave të Specializuara – pothuajse duke e përqeshur për atë bashkëpunim, tani që ai ka ndihmuar në shpalljen e tij fajtor.
Ekziston një parim i përgjithshëm që vlen të përmendet këtu: cilido proces institucional që ka fuqinë për të krijuar diçka, zakonisht ka edhe fuqinë për ta zhbërë atë. I zbatuar te Dhomat e Specializuara, ky mund të ishte, në parim, drejtimi. Por, vetëm nëse Kosova do të ishte në gjendje të çlirohej nga trysnia ndërkombëtare që e prodhoi Gjykatën që në fillim.
Në vitin 2017, Kuvendi i Kosovës tentoi vërtet ta shfuqizonte plotësisht ligjin që mundësoi krijimin e saj, dhe tentativa dështoi nën trysninë e vazhdueshme diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët e bënë të qartë se zhbërja e Gjykatës do ta rrezikonte liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrugën e saj më të gjerë drejt anëtarësimit në BE.
Tani, pas aktgjykimeve konkrete, kjo ka të ngjarë të jetë edhe më e vështirë sesa ishte në vitin 2017, kur ende nuk kishte aktakuza, gjykime ose shpallje fajësie.
Ligjërisht mbetet e mundur, por është një ndërmarrje vërtet komplekse: themelimi i Dhomave të Specializuara është sanksionuar drejtpërdrejt në Kushtetutën e Kosovës përmes amendamentit të vitit 2015 që shtoi nenin 162, prandaj shpërbërja e tyre do të kërkonte një amendament tjetër kushtetues, që do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash të të gjithë deputetëve dhe një shumicë të veçantë prej dy të tretash mes deputetëve që mbajnë vende të rezervuara për komunitetet joshumicë – një prag qëllimisht i lartë, i hartuar për ta bërë të vështirë pikërisht këtë lloj kthimi prapa.
Radio Evropa e Lirë: Duke parë përtej Kosovës, si mund të ndikojë ky aktgjykim në mënyrën se si diskutohen luftërat e viteve ’90, përgjegjësia për krimet dhe drejtësia ndërkombëtare në mbarë Ballkanin Perëndimor?
Nevena Tromp: Aktgjykimi ndikon drejtpërdrejt në rrëfimin themeltar të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të shtetësisë së saj. Të dyja mbështeten në masë të madhe te UÇK-ja si forca qendrore çlirimtare.
Publiku i Kosovës dhe udhëheqja e saj politike dhe shtetërore ndihen të tradhtuar. Kosova bashkëpunoi me bashkësinë ndërkombëtare që nga vera e vitit 1998, dhe që atëherë ka qenë një partnere dhe aleate e besueshme. Në periudhën e pasluftës, Kosova pranoi një qeverisje të gjerë ndërkombëtare dhe mbeti një aleate besnike gjatë gjithë kohës.
Njëzet e shtatë vjet pas humbjes së Kosovës, Serbia është kthyer në lojë, përmes një procesi që përshkruhet më së miri si “lawfare” (luftë me mjete juridike): vazhdimi i objektivave të kohës së luftës me mjete ligjore, duke përdorur të njëjtat gjykata dhe instrumente të drejtësisë penale ndërkombëtare që Beogradi dikur i refuzonte si antiserbe, tani të ripërdorura për ta riformuluar rolin e vetë Serbisë në dhunë dhe për t’i relativizuar aktgjykimet e TPNJ-së kundër zyrtarëve të saj të dënuar, duke e ridrejtuar vëmendjen te “kriminaliteti” i ish-kundërshtarit të saj.
Çështja e TPNJ-së për Kosovën, “Shainoviq dhe të tjerët”, prodhoi dënime përfundimtare, të konfirmuara në apel, prej 22 vjetësh burgim për Nebojsha Pavkoviqin, 18 vjetësh për Nikolla Shainoviqin, 20 vjetësh për Sreten Lukiqin dhe 14 vjetësh për Vlladimir Llazareviqin – për një ndërmarrje të përbashkët kriminale që tribunali e gjeti përgjegjëse për zhvendosjen me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjen e qindra të tjerëve në trembëdhjetë komuna. Millan Millutinoviq, president i Serbisë në atë kohë, u shpall plotësisht i pafajshëm.
Dhomat e Specializuara, duke gjykuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, të ndërtuar rreth 96 vrasjeve dhe ndalimit të më pak se 400 personave, tani i kanë dënuar dy figurat e saj më të larta me nga 25 vjet burgim – një shifër më e lartë sesa ajo që mori përfundimisht cilido zyrtar serb për një fushatë të një shkalle kategorikisht më të madhe.
Në Beograd, aktgjykimi po pritet me diçka të afërt me mosbesimin, edhe mes atyre që mund ta kishin pritur – dhe presidenti Aleksandar Vuçiq do ta përdorë atë sidoqoftë, duke e paraqitur udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës, jo atë të Serbisë, si palën e dënuar më rëndë për krime lufte.
Në Prishtinë, efekti shkon në drejtimin tjetër: zhgënjim, me protesta në rrugë që rrezikojnë vazhdimin e paqëndrueshmërisë në shtetin më të ri të Evropës.
Kryetari i trupit gjykues e trajtoi këtë drejtpërdrejt gjatë leximit të aktgjykimit, duke theksuar se procedurat “nuk ishin një gjykim mbi legjitimitetin e UÇK-së ose përpjekjen e Kosovës për pavarësi”, dhe, në të njëjtën frymë, se çështja “nuk përcaktoi përgjegjësinë për krimet e përmasave të gjera të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe dhe njësitë paramilitare”.
Vlen gjithashtu të pyetet pse një gjyqtar e ndien fare nevojën ta udhëzojë publikun se si duhet ta pranojë kuptimin politik të një aktgjykimi. Legjitimiteti, pavarësia dhe fajësia organizative nuk janë kategori juridike për të cilat vendos një aktgjykim, dhe një gjykatë që ndihet e detyruar të menaxhojë mënyrën se si do të interpretohet vendimi i saj, po pranon në mënyrë të nënkuptuar se pritja e atij vendimi nuk mund t’i besohet vetëm arsyetimit juridik.
Pasojat nuk kufizohen në Kosovë ose në Ballkanin Perëndimor. Drejtësia penale ndërkombëtare, si institucion, tashmë përballet me sulme të vazhdueshme retorike nga udhëheqës që janë subjekt i mekanizmave të saj gjetkë.
Një çështje me vëmendje të madhe publike, në të cilën një tribunal i mbështetur nga Perëndimi, dhe i financuar nga BE-ja, prodhon një rezultat që një pjesë e konsiderueshme e opinionit të informuar e konsideron joproporcional, politikisht të leverdishëm ose strategjikisht të përshtatshëm për një aktor rajonal në raport me një tjetër, ofron pikërisht atë lloj shembulli mbi të cilin mbështeten argumente të tilla, pavarësisht bazës doktrinare të aktgjykimit individual.
Ajo që vihet në lojë nga mënyra se si pranohet ky aktgjykim nuk është vetëm marrëdhënia e Kosovës me aleatët e saj, ose politika e brendshme e Serbisë, por besueshmëria më e gjerë dhe e ardhmja e të gjithë sistemit ndërkombëtar të përcaktimit të përgjegjësisë.