Shaqiri: Nuk kemi recensues për tekstet e reja shkollore

Reagimet për gabimet në librat e historisë kanë patur ndikim, sipas Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, recensentët që kanë aplikuar para përhapjes së lajmeve për gabimet në tekstet shkollore, tani nuk telefonojnë ose i anulojnë aplikimet, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, në intervistën e tij për emisionin “Studio 10” tha se tashmë ka konkurse për shkrimin e teksteve shkollore për vitin e ardhshëm, si dhe thirrje për recensentë që do të vlerësojnë nëse teksti përputhet me kurrikulën, mirëpo recensentët potencial ose nuk telefonojnë ose i anulojnë aplikimet.

“Sipas meje, nuk ka asgjë për t’u kundërshtuar për sa i përket rastit me librat e historisë. Pas atij diskutimi publik për gabimet në përmbajtjen e disa teksteve, interesimi i recensentëve është zero”, tha Shaqiri.

Ai shtoi se ekipet e autorëve tani përbëhen nga profesorë të shquar, por ende nuk ka rencensues.

Sipas tij, problemi me mungesën e recensentëve mund të zgjidhet me ndryshime ligjore dhe BZHA mund të thërrasë ekspertë për shqyrtimin e teksteve.

“Gjithmonë ka pasur gabime në tekste dhe do të ketë gjithmonë. Por profesorët dhe mësimdhënësit reagojnë dhe u thonë nxënësve se cila pjesë e tekstit duhet ndryshuar”, tha Shaqiri.

Sipas Shaqirit, ky vit shkollor është i ndryshëm nga të tjerët, sepse shumica e teksteve janë dorëzuar në shtator.

“Kemi dorëzuar mbi 1.6 milionë tekste, përfshirë edhe ato të arsimit të mesëm profesional dhe të gjitha janë sipas programit të ri. Tani librat mungojnë vetëm në lëndë të caktuara, e arsyet për këtë nuk janë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mungon një tekst mësimor për historinë dhe shoqërinë, por Byroja e Zhvillimit të Arsimit ka përgatitur materiale mësimore për ta”, tha ministri.

Sipas tij, dorëzimi i kërkesave për tekste shkollore në shkolla do të bëhet në muajin mars.

“Për shkak të problemeve të caktuara, si përllogaritjet e këqija të numrit të studentëve apo lëvizjen e studentëve, ndodh që kërkesat të parashtrohen të korrigjuara më vonë”, tha Shaqiri.

Nxënësit kanë patur probleme të vazhdueshme me tekstet shkollore. Miratimi i teksteve për klasën e tretë dhe të gjashtë është bërë me vonesë, kurse shpërndarja e librave u vonua aq shumë sa Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi përgatiti padi për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.