Lavrov përsërit analogjinë e rreme, përpiqet ta barazojë aneksimin në Ukrainë me pavarësinë e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, e ka përsëritur sërish një nga narrativat më të përhapura të propagandës ruse- përpjekjen për ta barazuar pavarësinë e Kosovës me aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia, shkruan Faktoje.al.

Në një intervistë për kanalin hungarez në YouTube Ultrahang, të shpërndarë nga Sputnik dhe e transmetuar edhe nga media serbe, Lavrov tha se Moska i kishte pyetur banorët e rajoneve të Zaporizhzhya, Kherson, Donetsk dhe Luhansk nëse donin të bëheshin pjesë e Federatës Ruse — ndërsa, sipas tij, në rastin e Kosovës “popullsia nuk ishte pyetur fare”.

Kur çlirojmë pjesët e mbetura të rajoneve të Zaporizhzhya dhe Kherson, shumica e njerëzve nuk largohen nga këto vende. Ata qëndrojnë dhe përshëndesin ushtarët rusë që po i çlirojnë. Nuk është fryma jonë imperialiste, por shqetësimi për të ardhmen e njerëzve që ndihen pjesë e kulturës ruse”, tha Lavrov.

Në këtë mënyrë, shefi i diplomacisë ruse përpiqet të justifikojë përfshirjen e territoreve të pushtuara në Kushtetutën e Federatës Ruse, duke e paraqitur si një proces “vullnetar” dhe të “legjitimuar” përmes referendumeve lokale. Por këto të fundit janë hedhur poshtë nga Kombet e Bashkuara si të pavlefshme dhe të paligjshme, pasi janë zhvilluar nën okupim ushtarak rus dhe pa standarde demokratike. Në një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 2022, aneksimi i këtyre territoreve është cilësuar si “shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit të Ukrainës”.

Krahasim i rremë me rastin e Kosovës

Në përpjekje për ta përforcuar këtë analogji, Lavrov pretendoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte imponuar nga lart, duke iu referuar rolit të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili udhëhoqi negociatat për statusin final të Kosovës si i dërguar special i OKB-së.

Megjithatë, ky pretendim bie ndesh me faktet historike dhe juridike. Procesi i statusit të Kosovës përfshiu vite të tëra të negociatave ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, dhe përfundoi me vendimin e institucioneve të zgjedhura të Kosovës për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ky proces nuk ishte një “vendim i njëanshëm ndërkombëtar”, por një akt i brendshëm demokratik, i mbështetur nga shumica e qytetarëve të Kosovës dhe i njohur nga mbi 100 shtete anëtare të OKB-së.

Në dallim nga rastet e territoreve ukrainase, në Kosovë nuk pati pushtim të huaj, por një ndërhyrje ndërkombëtare humanitare në vitin 1999, pas krimeve masive dhe spastrimeve etnike të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, të dokumentuara nga Tribunali i Hagës.

GJND: Pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare

Për më tepër, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Ky opinion është referuar vazhdimisht si precedent për proceset e vetëvendosjes, por në asnjë rast nuk mbështet ndryshime kufijsh të arritura përmes forcës ushtarake apo aneksimit të dhunshëm, si në rastin e Rusisë në Ukrainë.

Në fakt, vetë Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Akti Final i Helsinkit (1975) përcaktojnë qartë se integriteti territorial i shteteve nuk mund të cenohet përmes forcës. Rusia, përmes agresionit të saj ndaj Ukrainës që nga viti 2014, ka shkelur të gjitha këto parime duke aneksuar Krimenë dhe më pas katër rajone të tjera ukrainase.

Narrativa e vjetër e Moskës

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, zyrtarët rusë kanë përdorur rastin e Kosovës për të ndërtuar një narrativë të “dyfishtë standardesh”  duke pretenduar se Perëndimi njeh pavarësinë e Kosovës, por jo “referendumet” e mbajtura nga Rusia.

Ky diskurs është pjesë e një fushate të vazhdueshme dezinformuese që Moska përdor për të legjitimuar politikën e saj ekspansioniste dhe për të relativizuar krimet e luftës në Ukrainë. Duke përmendur Kosovën, Rusia synon të marrë simpati tek aleatët e saj në Ballkanin Perëndimor, ku ende ekzistojnë ndjeshmëri të larta për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe për çështjet e pavarësisë.

Në këtë mënyrë, Lavrov dhe zyrtarë të tjerë rusë vazhdojnë të manipulojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare për të krijuar një realitet paralel  ku agresioni paraqitet si “vetëvendosje” dhe pushtimi si “çlirim”.