Lakmuzs: Ligji i ri për “transparencë” në Hungari mund ta rrezikojë skenën e pavarur mediatike dhe qytetare

A është e mundur që në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian qeveria t’ua ndërpresë mediave të pavarura dhe organizatave qytetare fondet që u nevojiten për të vepruar, vetëm e vetëm sepse nuk u pëlqejnë qëndrimet ose raportimi i tyre? Kjo pyetje u parashtrua nga platforma hungareze e verifikimit të fakteve, Lakmuzs, pas dorëzimit në parlamentin hungarez të një projektligji, të cilin ata e përshkruajnë si “sulmi më serioz deri më tani ndaj institucioneve të tjera të pavarura” në vend, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Projektligji, zyrtarisht i quajtur si “Ligji për Transparencë në Jetën Publike”, u propozua më 13 maj dhe pritet të votohet në gjysmën e parë të qershorit. Nga Lakmuzs paralajmërojnë se ligji përshtatet në mënyrë të përkryer me një sërë ligjesh stigmatizuese për “agjentë të huaj” dhe se ai parasheh që qeveria në mënyrë arbitrare të hartojë një listë të organizatave “të financuara nga të huajt” që, sipas autoriteteve, paraqesin një kërcënim për sovranitetin e Hungarisë. Përfshirja në një listë të tillë nuk mund të kundërshtohet ligjërisht dhe nënkupton kufizime serioze financiare dhe administrative.

Siç thuhet, Administrata hungareze e tatimeve me ndihmën e bankave do të ketë autoritet që t’i monitorojë llogaritë bankare të organizatave të “etiketuara”, t’i analizojë transaksionet e tyre të huaja dhe ta bllokojë qasjen në fondet e huaja nëse konsideron se ato përdoren për të “ndikuar në jetën publike”. Përveç kësaj ky ligj parasheh edhe ndërprerjen e kontratave ekzistuese për financim nga jashtë. Lakmuzs, platforma e parë e verifikimit të fakteve në Hungari, u themelua në vitin 2022 me mbështetjen e Komisionit Evropian si pjesë e iniciativës së Observatorit Hungarez të Medias Digjitale Hungareze. Platforma deri më tani ka publikuar mbi 800 tekste, ndërsa analizat e saj më të lexuara përmes bashkëpunimit me portalin 444.hu kanë arritur deri tek mbi 50.000 lexues.

“Puna jonë është publike, transparente dhe e paanshme. Donatorët asnjëherë nuk kanë ndikuar në politikën tonë editoriale”, thanë nga ekipi editorial i Lakmuzs, duke shtuar se ata janë anëtarë të organizatave ndërkombëtare si Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN) dhe Rrjeti Evropian i Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN).

Sipas platformës, ekzistenca e tyre do të vihej në rrezik nëse do të miratohej ky ligj dhe të ndërpriteshin burimet aktuale dhe të ardhshme të financimit.

“Ne nuk kërkojmë pagesë për qasje, nuk kemi reklama dhe si një media e pavarur nuk mund të mbështetemi në fondet vendase. Për ne kjo do të thoshte një humbje prej 100 përqind të të ardhurave tona”, thonë nga atje.

Lakmuzs bashkë me media të tjera dhe organizata të shoqërisë civile bëri thirrje për një reagim urgjent nga institucionet evropiane.

“Presim që Komisioni Evropian t’i përdorë të gjitha mjetet e mundshme për ta parandaluar miratimin ose zbatimin e këtij ligji. Ai mund të kërkojë një masë të përkohshme para Gjykatës së Drejtësisë të BE-së ose të ofrojë mbështetje shtesë për median e pavarur dhe shoqërinë civile në Hungari”, thuhet në kumtesë.