Lajçak vizitoi Beogradin në kuadër të përgatitjeve për takimin e së enjtes Kosovë – Serbi

Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia pritet të diskutojnë të enjten në Bruksel rreth projekt statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke u mbështetur në një propozim euro-amerikan, i cili ende nuk është shpalosur për opinionin publik, raporton VOA.

Për të dytën herë brenda një jave i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, qëndroi në rajon për të përgatitur takimin e së enjtes. Të martën ai zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, pas të cilit kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, tha se në Bruksel do të diskutohet mbi tekstin e statutit të Asociacionit, që sipas tij’ “është hapi i parë konkret drejt formimit të tij”.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një dokument për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, pjesë e të cilit ishte propozimi për statutin e Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Pesë ditë më vonë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, të cilët kërkuan nga Kosova themelimin e Asociacionit, ndërsa nga Serbia, njohjen de fakto të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për statutin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme.

Propozimi i cili ende nuk është bërë publik, ka nxitur debate të shumta në Kosovë, ku janë shfaqur disa propozime, vërtetësia e të cilëve nuk është pohuar nga diplomatët perëndimorë që kanë kërkuar trajtimin e çështjes në mirëbesim. Javën e kaluar amabsadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i vlerësoi të paarsyeshme debatet rreth kushtetutshmërisë së statutit duke nënvizuar se propozimi është hartuar me shumë kujdes dhe duke respektuar në tërësi Kushtetutën e Kosovës.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është detyrim në kuadër të marrëveshjes që Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë vitit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Por marrëveshja nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie. Sulmi u pasua nga një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhëieve, mes shqetësimeve mbi mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.