Kuvendi paguan mamografi private për deputetet derisa në shëndetësinë publike me muaj pritet për termin
Kuvendi do t’u paguajë deputeteve ekzaminim privat për mamografi të gjirit, në kohën kur gratë prej muajsh përpiqen të caktojnë termin për mamografi në shëndetësinë publike, sepse nuk ka termine të lira, transmeton Portalb.mk nga SDK.
Ekzaminimi privat për mamografi në Maqedoninë e Veriut kushton nga 3.000 deri në 5.000 denarë.
Paketa është shtuar në paketën bazë për kontrollet sistematike të deputetëve dhe të punësuarve në Kuvend.
Shërbimin e ekzaminimit privat për mamografi të gjirit do ta përdorin edhe nëpunëset në Kuvend, si dhe gratë e punësuara në kabinetin e kryetarit të Kuvendit.
Nëse tashmë paguhen ekzaminime private për deputetët me mjete buxhetore, është e paqartë pse nga foltorja e Kuvendit nuk shtrohet si problem pyetja se përse është kaq e vështirë të caktohet termin për mamografi në shëndetësinë publike, përse në Maqedoninë e Veriut ka kaq shumë raste të sëmundjes dhe vdekjes nga kanceri i gjirit dhe përse është kaq e lartë shkalla e vdekshmërisë.
Vendimi për ofertën më të favorshme me një institucion privat shëndetësor nga Shkupi është marrë në mars.
Punonjësit e institucioneve buxhetore gjithnjë e më shpesh po largohen nga shëndetësia publike dhe, me paratë e mbledhura nga qytetarët, po paguajnë sigurim shëndetësor privat. Madje edhe drejtorët e një prej ndërmarrjeve më të mëdha shtetërore me humbje, SHA për Prodhimin e Energjisë Elektrike “Elektranat e Maqedonisë së Veriut“ (EMV), në pronësi shtetërore, kanë blerë paketë. Prokurimi quhet: “LOT 10 Sigurim shëndetësor shtesë privat për të punësuarit në SHA EMV“.
Edhe Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë ka lidhur kontratë për “Prokurimin e shërbimeve për sigurim shëndetësor vullnetar privat për periudhë prej 2 vitesh sigurimi“, në mënyrë që të mos presin për termine dhe të kryejnë kontrollet në institucionet private, ndërsa këtë do ta paguajë shteti.
Sigurim shëndetësor privat kanë edhe të punësuarit në Bankën Popullore. Menaxhmenti dhe të punësuarit e Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut SHA Shkup kanë sigurim shëndetësor privat, të cilin nuk e paguajnë nga xhepi i tyre, por me paratë e shtetit, përkatësisht të qytetarëve, të cilët gjithnjë e më vështirë kanë qasje në shërbimet shëndetësore në kujdesin shëndetësor sekondar dhe, veçanërisht, atë terciar, në spitalet klinike.
Sigurim shëndetësor privat kanë blerë edhe profesorët e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, të cilët marrin pagë nga Buxheti. Edhe ata kanë zgjedhur kompani sigurimi për sigurim shëndetësor privat.
- LEXO: Skriningu i kancerit në RMV funksionon vetëm në letër, 80% e rasteve me kancer zbulohen me vonesë
- LEXO: Nën standardet evropiane: Skriningu në RMV me mbulim tepër të ulët dhe efekt të kufizuar, zbuloi Revizioni
- LEXO: Numri i rasteve me melanomë për 5 vite në RMV është rritur për 116 përqind, ndërsa me kancer të gjirit për 40 përqind
- LEXO: Nuk është e vërtetë që mamografia shkakton kancer të gjirit