Nuk është e vërtetë që mamografia shkakton kancer të gjirit

Provat shkencore tregojnë se doza e rrezatimit nga mamografia është shumë e ulët dhe nuk paraqet rrezik të rëndësishëm për shkaktimin e kancerit. Ajo është një metodë e sigurt, me rrezatim të ulët, e provuar klinikisht dhe që shpëton jetë, transmeton Vërtetmatësi.

Po analizojmë një postim në Facebook që thotë:

Me mamografinë shkaktohet kanceri i gjirit.

Ky pohim nuk mbështetet me asnjë argument apo provë mjekësore.

Nuk është e vërtetë që mamografia shkakton kancer të gjirit. Provat shkencore tregojnë se doza e rrezatimit nga mamografia është shumë e ulët dhe nuk paraqet rrezik të rëndësishëm për shkaktimin e kancerit. Dhjetëra vite kërkime nuk kanë treguar që mamografia shkakton kancer. Përkundrazi, ajo shpëton jetë, sepse zbulon kancerin në fazat shumë të hershme, kur ai është më i lehtë për t’u kuruar.

Mamograma, ose rrezja X e gjirit, aktualisht mbetet standardi i artë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Gjatë mamogramit, indi i gjirit kompresohet për të zvogëluar trashësinë e gjirit me qëllim marrjen e imazheve me cilësi të lartë. As kompresimi i gjirit i nevojshëm për mamogramin, as sasia e rrezatimit që përdoret në mamogramin e skriningut nuk shkaktojnë kancer dhe as nuk shkaktojnë përhapjen e tij. Në fakt, sipas Institutit Kombëtar të Kancerit, përfitimet e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit përmes mamografisë janë shumë më të mëdha se çdo rrezik potencial.

Doza e rrezatimit gjatë mamografisë është aq e ulët dhe aq e rregulluar, sa nuk ka prova që të shkaktojë kancer.

Sasia e rrezatimit nga një mamografi është shumë e ulët, e krahasueshme me një fluturim me aeroplan prej 4.5 deri në 6 orë.

Përfitimet e zbulimit të hershëm janë shumë më të mëdha sesa rreziku minimal nga ekspozimi ndaj rrezatimit, thotë Stephanie Woodard, doktore e mjekësisë, profesoreshë e asociuar dhe drejtore e departamentit të imazherisë së gjirit në Departamentin e Radiologjisë.” 

Mamografitë janë gjithashtu rreze X me dozë të ulët të indit të gjirit, por ato i ekspozojnë pacientët ndaj më shumë rrezatimi sesa një radiografi e zakonshme e gjoksit.

Megjithatë, rreziku i dëmtimit nga ky ekspozim ndaj rrezatimit është i vogël, thonë nga Instituti Kombëtar i Kancerit.

Ekspertët dhe organizatat për parandalimin e kancerit rekomandojnë mamografitë për skriningun e kancerit të gjirit, me disa dallime në lidhje me moshën kur duhet të kryhet skriningu. Shoqata Amerikane e Kancerit, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe GjinekologëveRrjeti Kombëtar Gjithëpërfshirës për Kancerin dhe Grupi Punues për Shërbimet Parandaluese të SHBA-së rekomandojnë skrining me mamografi për kancerin e gjirit.

Skriningu mamografik çon në një fazë më të hershme të diagnostikimit, dhe kanceri në fazë të hershme ka një prognozë më të mirë, mund të ulë nevojën për trajtim dhe të përmirësojë cilësinë e jetësthotë për PolitiFact Dr. Eleonora Teplinski, drejtoreshë e departamentit të gjirit dhe onkologjisë mjekësore gjinekologjike në ‘Vali-Mount Sinai Cancer Care Complex’.

Dr. Skyler B. Johnson, profesor i asociuar i onkologjisë me rrezatim në Institutin Huntsman për Kancer në Universitetin e Utah, dhe Teplinski kanë deklaruar se nuk njihen me asnjë ekspert ose organizatë për parandalimin e kancerit që të këshillojë kundër mamografive.

Megjithatë, mund të ketë rekomandime të ndryshme mes organizatave lidhur me moshën e fillimit dhe frekuencën e mamografive, si dhe konsiderata për faktorët individualë të rrezikut, ku mund të rekomandohen mjete shtesë ose të tjera për monitorimin ose diagnostikimin, ka thënë Johnson.”

Nga të gjitha këto mund të përfundojmë se mamografia nuk shkakton kancer të gjirit, siç pretendon postimi që po analizojmë. Ajo është një metodë e sigurt, me rrezatim të ulët, e provuar klinikisht dhe që shpëton jetë.

Për të gjitha këto arsye, e vlerësojmë postimin si të rremë.