Skriningu i kancerit në RMV funksionon vetëm në letër, 80% e rasteve me kancer zbulohen me vonesë

Kontrollet që mund të zbulojnë kancerin në fazat e hershme nuk po funksionojnë siç duhet në Maqedoninë e Veriut. Revizioni i programeve të skriningut tregon se shteti nuk ka siguruar mbulim të mjaftueshëm të popullatës, ndërsa ndërprerja e skriningut po lë shumë raste pa u zbuluar në kohë. Kjo do të thotë se kanceri, veçanërisht ai i gjirit dhe i qafës së mitrës, në shumë raste zbulohet më vonë, kur trajtimi bëhet më i vështirë dhe mundësitë për shërim zvogëlohen, shkruan Portalb.mk

Programet e skriningut për kancerin e qafës së mitrës dhe të gjirit përfaqësojnë një ndër mekanizmat kryesorë për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje dhe përmirësimin e rezultateve shëndetësore në popullatë. Megjithatë, analiza e periudhës 2021–2024 tregon se këto programe përballen me një sërë sfidash strukturore dhe operacionale që kufizojnë efektivitetin e tyre. 

Një tjetër sfidë madhore është mbulimi i ulët i popullatës së synuar. Për skriningun e kancerit të gjirit, mbulimi varion nga 0.8% deri në 5.4%, ndërsa për kancerin e qafës së mitrës nga 10.3% deri në 15.5%. Këto nivele janë dukshëm më të ulëta se standardet evropiane dhe nuk mundësojnë arritjen e ndikimit të dëshiruar në nivel popullate. Si rrjedhojë, shumica e rasteve të kancerit vazhdojnë të zbulohen në faza të avancuara, gjë që reflektohet edhe në faktin se rreth 80% e pacientëve fillojnë trajtimin në stadet e mëvonshme të sëmundjes. 

Lidhur me mbulimin e ulët të grave me skrining, Portalb.mk bisedoi me radiologun Argjend Imeri, i cili vlerësoi se skriningu ekziston në letër, por jo në jetën e grave. Ai tha se kanceri i gjirit nuk pret që sistemi shëndetësor të organizohet dhe se një grua mund të ndihet krejtësisht mirë ndërkohë që një tumor i vogël rritet në heshtje.  

Argjend Imeri. Foto nga facebooku i tij personal
Argjend Imeri. Foto nga facebooku i tij personal

Ai shtoi se në këtë fazë kanceri mund të mos preket me dorë dhe të mos japë asnjë simptomë, por mund të shihet në mamografi.  

“Pikërisht këtu qëndron kuptimi i skriningut: jo të diagnostikojë sëmundjen pasi ajo të bëhet e dukshme, por ta zbulojë përpara se të ketë kohë të bëhet më e rrezikshme. Kjo nuk është më një ide e re. Suedia e provoi në praktikë që në fund të viteve 1970. Ndjekja për dekada tregoi se përfitimi nuk ishte kalimtar. Evropa ndërtoi mbi këtë përvojë. Vendet me programet më të suksesshme nuk presin që gratë të kujtohen vetë për mamografinë. Ato identifikojnë popullsinë e synuar, dërgojnë ftesa, caktojnë intervale të rregullta, monitorojnë pjesëmarrjen dhe sigurohen që një rezultat i dyshimtë të mos humbasë në rrugën nga radiologjia te biopsia dhe trajtimi”, tha Imeri. 

Më tej, Imeri tha se Maqedonia e Veriut e nisi programin kombëtar të skriningut të kancerit të gjirit në vitin 2015, por një program nuk vlerësohet nga data kur është shpallur, por vlerësohet nga numri i grave që arrin dhe pikërisht këtu qëndron problemi.  

“Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, gjatë viteve 2021–2024 mbulimi i popullsisë së synuar me skrining mamografik lëvizi vetëm ndërmjet 0.8% dhe 5.4%. Në disa vende evropiane me programe të konsoliduara, pjesëmarrja kalon 80%. Diferenca është aq e madhe sa nuk mund të shpjegohet vetëm me numrin e mamografëve apo me kapacitetet e radiologjisë. Pajisjet janë të rëndësishme, por pajisja vetë nuk fton askënd për kontroll. Ajo nuk e kujton gruan pas dy vjetësh. Nuk e lidh rezultatin e dyshimtë me biopsinë. Nuk kontrollon nëse pacientja është diagnostikuar dhe trajtuar në kohë. Këtë e bën organizimi. Prandaj skriningu nuk duhet parë si një luks i sistemeve të pasura. Ai është edhe një mënyrë për të përdorur më mirë burimet e kufizuara”, u shpreh Imeri.  

Sipas tij, skriningu i vërtetë fillon me një listë të qartë të grave që duhet të kontrollohen. Ai tha se secila prej tyre duhet të marrë ftesë personale dhe nëse nuk paraqitet, duhet të marrë rikujtim.  

Duhet financim i qëndrueshëm. Skriningu nuk mund të jetë projekt sezonal që bëhet më i dukshëm në tetor dhe harrohet në muajt e tjerë. Kanceri nuk ka muaj sensibilizimi. Ai shfaqet çdo ditë të vitit.  Mesazhi për gratë duhet të jetë më i thjeshtë: mamografia nuk bëhet sepse mendon se ke kancer. Bëhet pikërisht kur nuk ke simptoma. Por mungesa e këtyre shenjave nuk është arsye për të anashkaluar kontrollin periodik. Në këtë pikë duhet të ndihmojnë mjekët familjarë, gjinekologët, radiologët, organizatat e pacientëve dhe mediat”, theksoi Imeri. 

Portalb.mk ka dërguar pyetje edhe deri te Ministria e Shëndetësisë (MSH), por deri në publikimin e këtij lajmi nga atje nuk janë përgjigjur. 

Ndryshe, në disa institucione shëndetësore publike, kapacitetet e kufizuara të stafit dhe organizimit ndikojnë në dinamikën e planifikimit dhe zbatimin e procedurave dhe trajtimit shtesë diagnostikues. Vëllimi i shtuar i aktiviteteve që lidhen me skriningun në raste të caktuara ndikon në disponueshmërinë e ekzaminimeve të rregullta diagnostikuese dhe kontrolluese në departamentet e radiologjisë, me një rënie në numrin e takimeve të rregullta të regjistruara në disa institucione shëndetësore publike. 

Nuk është krijuar kornizë gjithëpërfshirëse normative dhe strategjike për skriningun e organizuar që përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira, gjë që ndikon në koordinimin dhe vazhdimësinë në zbatimin e programeve të skriningut. Mungesa dhe shpërndarja e pabarabartë e stafit, veçanërisht në radiologji, citologji dhe patologji, përbën një rrezik për zbatimin e vazhdueshëm dhe cilësor të shërbimeve të skriningut. Pajisjet dhe infrastruktura diagnostikuese nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë, dhe sistemet e informacionit nuk ofrojnë lidhje dhe shkëmbim të plotë të të dhënave, gjë që e bën të vështirë menaxhimin e skriningut dhe monitorimin sistematik të rezultateve të programit.