Kuvendi konfirmoi dorëheqjen e zëvendësministrit të Arsimit Lulzim Aliu

Kuvendi në seancën e sotme konfirmoi dorëheqjen e zëvendësministrit të Arsimit Lulzim Aliu, i cili paraqiti dorëheqje të parevokueshme nga pozicioni i tij më 19 janar të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Në dorëheqjen që Aliu i paraqiti kryeministrit Hristijan Mickoski në fund të janarit, ai deklaroi se largimi i tij nga detyra është një pasqyrim i analizës së tij personale dhe profesionale, duke shtuar se në periudhën e ardhshme ai beson se është më e përshtatshme të vazhdojë kontributin e tij në fushën akademike.

“Në këtë periudhë, është më e përshtatshme për mua të vazhdoj kontributin tim në fushën akademike, në punën time kërkimore dhe shkencore, si dhe përkushtimin tim ndaj familjes sime. Duke ju uruar suksese të mëtejshme në punën e Qeverisë, ju falënderoj sinqerisht për besimin dhe për mundësinë që më është dhënë për të shërbyer në këtë pozicion të përgjegjshëm”, tha Aliu në letrën e tij drejtuar Mickoskit.

Lulzim Aliu është anëtar i koalicionit VLEN, nga radhët e Alternativës.

Ky ishte mandati i dyti i Aliuz si zvëvendësministër i Arsimit, këtë funksion e pati kryer edhe në 2022 – 2023, kur koalicionin qeveritar e përbënin LSDM, BDI dhe Alternativa.