Shqiptaria në tezgën e djallit

Sami Frashëri (1899-1901), njëri ndër shqiptarët më të ditur të të gjitha kohërave, autori i manifestit politik të Lëvizjes Kombëtare “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” ka thënë: Vetëm një Skëbnderbe ka punuarë për Shqipërinë e vetëm Ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.

Kjo thënie e enciklopedistit, poliglotit dhe eruditit të pashoq flet vetvetishëm edhe për burrështetasit e kohërave të mëvonshme të Shqiptarisë, që nuk arritën kurrë më të mbrojnë atdheun dhe inetreset e tij, ashtu siç bëri Skënderbeu para 6 shekujsh të plotë. Këtë më së miri  e ilustrojnë ngjarjet e ndodhura në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878), dhe në kohën para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912-1925), kur përçarjet e brendshme dhe anarkia politike e nxorrën vendin në ankand dhe e bënë plaçkë lehtësisht të rrëmbyeshme nga tufat e çakenjëve sllavo-grekë, të cilët me ndihmën e renegatëve shqipfolës edhe në kohën tonë ia dalin të zhvatin me forcë e me dredhi copa shqiptarie.

Copëtimi i trojeve shqiptare nisi nga të huajt me Traktatin e Shën Stefanit, të nënshkruar më 3 mars të vitit 1878, që pavarësoi Serbinë dhe Malin e Zi dhe i zgjeroi territoret e tyre në kurriz të viseve shqiptare. Kështu, Serbisë iu lejua aneksimi me gjenocid i Sanxhakut të Nishit  dhe iu fal Kosova. Mali i Zi fitoi Ulqinin, Tivarin, Hotin, Grudën, Plavën dhe Gucinë, kurse Bullgaria u rrit gjer në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Dy muaj më pas, Kongresi i Berlinit përligji copëtimin dhe mohoi qenien tonë duke e trajtuar Shqipërinë si plaçkë tregu për të rikënaqur orekset grabitqare të fqinjëve nëpërka. Kësaj here, sërish me amin-in e kuçedrave evropiane, ne humbëm edhe Çamërinë dhe Sanxhakun e Novi Pazarit.

Padrejtësinë ndaj shqiptarëve, të cilët më 1912 shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane, e vulosi më 1913 Konferenca e Paqes në Londër, që me lënien e Vilajetit të Kosovës në kthetrat serbe dhe të Epirit Jugor, të banuar dem baba dem nga shqiptarët etnikë, në kthetrat greke, la jashtë kufijve të Shqipërisë gjysmën e territorit dhe popullsisë shqiptare.

Për habinë e habive të botës, atëherë kur shqiptarët arritën të bëjnë një gjysëmshtet të pranuar ndërkombëtarisht, parësia kopuke e tyre, në shenjë falënderimi për ndihmën ushtarake serbe që ia mundësoi Ahmet Zogut kthimin në Shqipëri pas disfatës së pësuar në qershor të vitit 1924, i fali Serbisë Vermoshin dhe Shën Naumin, kurse zuzarët tjerë si Esat Toptani e Gjon Marka Gjoni, gjithashtu për privilegje pushteti, u ofruan copa Shqipërie armiqve të përjetshëm të kombit tonë.

Mjerisht, mekami i shitjes së territoreve etnike në tezgat e djallit nuk është ndalur as në shekullin 21. Në prill të vitit 2009, gjithnjë për interesa të turpshme e meskine, parësia shqiptare nënshkroi në favor të Greqisë traktatin për ricaktimin e kufijve detar midis dy vendeve, kurse parësia e Kosovës, pas kompromisit të dhimbshëm të bërë me pranimin e Planit të Ahtisaarit më 2007, që u dha sërbeve të drejta që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër kombëtare në rruzullin tokësor, më 2013 nënshkroi kuturu marrëveshjen për formimin e asociacionit të dhjetë komunave me shumicë serbe në veriun e Mitrovicës, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Dy marrëveshjet kubare u shfuqizuan me kohë nga gjykatat kushtetuese të Shqipërisë dhe Kosovës, por, për shkak të konflikteve aktuale ato janë bërë molla sherri midis shqiptarëve dhe fqinjëve grabitqarë, përkatësisht midis Perëndimit dhe aleancës ruso-aziatike. Tani, pas përkeqësimit të situatës politike në botë, edhe mbështetësit tanë më besnikë kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga politikanët shpiptarë. Ata e kanë kuptuar se pjesa dërmuese e prijësve tanë janë shpitxhambazë dhe të gatshëm për pazare me copa atdheu. Këtë e dinë prej shekujsh serbët e grekët, prandaj nuk do të kënaqen kurrë me aneksimin e sinoreve shqiptare. Dëshmi për këtë janë pretendimet e hapura serbe për ripushtimin e gjithë Kosovës, apo synimet grekomëdha për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, përfshirë në këtë mes dhe Himarën e greqizuar nga belero-bollanot para hundëve leshatake të burrështetasve të shitur shqipfolës.

Për çështjet e aneksimeve të dhunshme dhe faljeve/shitjeve të sinorëve të Atdheut është folur e shkruar shumë, por nga ata që e kanë bërë këtë filozofi të mbrapshtë temë konferencash të rëndësishme ndërkombëtare po e përmend Fan Stilian Nolin, i cili në qershor të vitit 1921 paraqiti këtë qëndrim në Gjenevë: Kombi shqiptar ka vuajtur mizorisht nga copëtimi i pajustifikueshëm, viktimë e të cilit u bë vendi në vitin 1913. Krahina të gjera të Kosovës si dhe krahinat e Dibrës, Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë, me një popullsi prej më shumë se një milion shqiptarë, iu aneksuan Serbisë dhe Malit të Zi si rezultat i manovrave politike. Të njëjtin fat pati edhe krahina shqiptare e Çamërisë, e cila iu aneksua Greqisë. Shqipëria nuk mund të durojë më të manipulohet. Dorëzimi qoftë edhe i një pjese të vogël të territorit të saj, do të ishte për të njësoj sikur të hiqte dorë nga ekzistenca.

Kjo është porosia e Nolit, të cilën, ashiqare, akoma nuk e kanë kuptuar drejt burrështetasit mikroskopikë të Shqiptarisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.