Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet ligjore që mundësojnë rritjen e rrogës, pensionit, K-15 dhe çështje tjera

Ndryshimet ligjore që mundësojnë rishpërndarjen e buxhetit në vlerë prej 18.2 miliardë denarë, u miratuan sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Përmes këtij ndryshimi pritet të përfitojnë të punësuarit në sektorin publik, bujqit, studentët dhe pacientë, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi e miratoi Propozimin e vendimit për rishpërndarjen e mjeteve në Buxhet për vitin 2023. Me këtë vendim rishpërndahen 18.2 miliardë denarë për pagesën e pagave më të larta, për rritjen e pensioneve, për regresin e pushimit vjetor për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, për të drejtat sociale, për subvencionet e bujqve, për mbrojtjen shëndetësore, përkatësisht për medikamentin “Trikafta” dhe për matësit e diabetit, si dhe mjete për pakon e re të masave antikrizë”, njoftoi Ministria e Financave.

Ndryshe, shumë të punësuar në sektorin publik do të marrin këtë muaj rrogë më të lartë për 10 % në bazë të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, derisa të sektori i arsimit është planifikuar rritja për 15 %.

Më 18 korrik, në orët e pasdites u nënshkruar Marrëveshja e re kolektive për sektorin publik ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Pjesë e ekipit qeveritar ishte kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, ministri i financave Fatmir Besimi, ministrja e punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska, si dhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov.

Ministrja  sqaroi që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, pas 15 vjetëve, do të siguron metodologji të re për llogaritjen e pagës prej marsit të vitit 2025, ndërkohë në shtator të këtij viti do të ketë rritje të rrogës për 10 % për 130 mijë të punësuar në sektorin publik, si dhe K-15 në vlerë prej 10 mijë denarë deri në dhjetor të këtij viti.