Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi edhe Ligjin për lojërat e fatit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në vazhdimin e seancës së 145-të dhe 148-të i miratoi ndryshimet në Ligjin për media dhe Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, raporton MIA. Në kuadër të seancës së 148-të, deputetët votuan edhe propozim-ligjin për ndryshimin e ligjit për veprimtarinë hulumtuese shkencore

Paraprakisht, në seancën e 140-të, 138-të dhe 135-të, të cilat po ashtu u mbajtën sot, u miratuan disa ligje, ndër të cilët  Ligjin për garancinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për obligimet nga Marrëveshja për hua për financimin e Projektit të gazifikimit rajonal, që do të nënshkruhet ndërmjet Shoqërisë Aksionare për Kryerjen e Veprimtarisë Energjetike – Përçimi i Gazit Natyror NOMAGAS Shkup, në Pronësi të Shtetit dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ligjet për peshkatari dhe akuakulturë dhe për shërbime pagesore dhe sisteme pagesore,

Në lexim të parë, miratuan ligjet për falje, për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Avokatin e Popullit, ndërsa u votuan edhe Plani Financiar për vitin 2024 i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe  Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Vendimi për përcaktimin e përqindjes së zënies nga të ardhurat totale vjetore, për financimin e funksionimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe  Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.

Ndryshe, Ligjin për Lojërat e Fatit, fillimisht nuk hyri në fuqi pasi nuk e nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski. Sipas propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i miratuar me 7 shkurt nga Kuvendi i RMV-së, lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet deri më tani nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre. Më 26 shkurt, kjo lëvizje ka apeluar te deputetët në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut që ta votojnë Ligjin për Lojërat e Fatit, duke shtuar që e përkrahin këtë ligj, sado i keq të jetë, është përsëri më i mirë për një vend që nuk ka ligje mbrojtëse për bixhozin.