Kuvendi e refuzoi Ligjin e Ziadin Selës për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Komisioni Parlamentar për Sistem Politik në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut e ka hedhur poshtë Prpozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i dorëzuar nga grupi i deputetëve të Lidhjes Shqiptare të kryesuar nga Ziadin Sela, transmeton Portalb.mk.

Në debat shumë pak u fol për propozim ligjin por më tepër u bënë krahasime me propozim ligjin tjetër të dorëzuar nga Qeveria si dhe për të drejtat e bashkësive etnike.

Siç theksoi Sela, propozim ligji i tyre bazohet në kuota etnike.

“Elementi bazë dhe themelor në të cilin bazohemi në ligj është kuota etnike si kriter bazë për të pas një ligj që do të ishte gjithëpërfshirës dhe do i përfshinte të gjitha komunitetet etnike. Kjo nuk do të thotë që përjashton profesionalizmin dhe nuk kam dilemë që të gjithë qytetarët dhe gjitha bashkësitë etnike kanë profesionistët e vet të cilët e kanë dëshmuar në të kaluarën por edhe sot që dinë në të mënyrë të përkryer të bëjnë detyrat që ua ngarkon vendi i punës. Parimet kryesore në të cilat bazohemi është përfaqësimi proporcional i bashkësive etnike”, tha Sela.

Megjithatë, deputetët e shumicës theksuan se një gjë të tillë nuk do të pranojë Gjykata Kushtetuese.

Për propozim-ligjin votuan vetëm dy deputetë.

Kujtojmë se pasi Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive vendosi që procedura për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”, në opinion kanë lindur dilema nëse ky ligj duhet të miratohet me ‘Badenter të vogël’ apo ‘Badenter të madh’. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se në këtë rast duhet të përdoret ‘Badenteri i madh’ pasi përfaqësimi i drejtë nuk mund të vendoset pa pëlqimin e atyre të përfaqësohen. Opozita vazhdon kritikat se ligji është i cekët dhe paralajmëroi bllokadë, ndërsa për pushtetin ligji është historik.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.