Këto janë “kushtet”. Dhe kur e thonë këtë fjalëzim, e kanë fjalën për dritare me pamje nga deti i shtrenjtë, për shtëpi që nuk njohin dimër, për ekrane që tregojnë botën para se ajo të mbërrijë te të tjerët. Kanë kushte për të pushuar, për të harruar, për të zgjedhur. Janë të ashtuquajturit të privilegjuar—politikanë, pasanikë, hipokritë të pa ndreqshëm, sharlatanë të rehatisë, të sistemit—që kanë ndërtuar qetësi për veten dhe për bijat e bijtë e tyre, duke e kthyer jetën në një korridor të sigurt pa pengesa.
Ne nuk patëm kushte. Ne patëm jetë.
Nuk njihnim pushime. Plazhet tona nuk ishin brigje të largëta me rërë të artë, por skajet e liqenit, ku uji nuk të pyeste sa ke, por sa guxon. Aty ku vala nuk të përkëdhel, mësuam të notojmë, jo vetëm në ujë, por edhe në jetë.
Biçikletat tona ishin më shumë se mjete. Ishin krahë druri e hekuri që na çonin drejt dritës, drejt shkollës, drejt një bote që e imagjinonim më të madhe se ajo që na rrethonte. Me to rendnim të kapnim ëndrrat. Zinxhiri kërciste, rrugët ishin të pjerrëta, por ne nuk ndaleshim. Sepse ndalimi ishte luks që nuk e njihnim.
Prindërit tanë nuk udhëtonin… Ata ecnin nëpër baltë, nëpër borë, drejt fshatrave më të thella, për të dhënë mësim, për të mbjellë e kultivuar dritë aty ku mungonte gjithçka tjetër. Dhe ne, fëmijët e tyre, mësuam herët se drita nuk vjen gjithmonë nga llamba.
Nga balta bëmë top për të luajtur. Nga lastikët e çorapeve krijuam lodrat tona. Nga një pasqyrë e kthyer drejt diellit, ndriçuam dhomat për të lexuar librat që kalonin dorë më dorë, si një amanet i shenjtë. Nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin dhe një uri të pashuar për të ditur, për të qenë, për të dalë përtej.
Historinë tonë nuk e shkruam me luks. E shkruam me laps— fshihej e rishkruhej, por nuk ndalej kurrë.
Ndërkohë, ata ndërtuan një botë tjetër për fëmijët e tyre. U siguruan kushte që të mos u mungojë asgjë, përveç ndoshta kuptimit të asaj që do të thotë të luftosh për diçka. Trashëguan pasuri, por jo gjithmonë vlerë.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi: ata trashëguan komoditetin, ne trashëguam shqetësimin – luftën. Ata trashëguan qetësinë, ne trashëguam mungesën—dhe prej saj krijuam forcë.
Sepse kushtet nuk janë gjithmonë ato që të jepen. Ndonjëherë janë ato që i krijon vetë, nga asgjëja, me duar të zbrazëta e me shpirtin plot.
Dhe sot, kur hedhim shikimin prapa, kuptojmë diçka që nuk matet me para e as me pushtet: ne jemi më të lumtur. Sepse ndërtuam nga asgjëja. Sepse çdo gjë që kemi, e kemi ndjerë, e kemi fituar, e kemi vuajtur dhe e kemi dashur në proces. Ne dimë të vlerësojmë një rreze drite, sepse kemi jetuar edhe në errësirë. Ne dimë të gëzohemi me pak, sepse kemi njohur mungesën. Ne dimë të dashurojmë jetën me të mirat dhe të bëmat e saj, pa iluzione, pa maska.
Ne jemi ata që nuk u dorëzuam.
Ne jemi ata që krijuam lojë nga mungesa, shpresë nga varfëria, dhe ëndrra nga balta.
Ne jemi ata që mësuam të ecim vetë, dhe prandaj sot dimë të qëndrojmë drejt.
Dhe ndoshta më e rëndësishmja: ne dimë të jetojmë – vërtet.
Shkruan:
Delvina KËRLUKU