Qeveria do të vendosë se cilat programe dhe institucione do të akreditohen në Maqedoninë e Veriut, paralajmëroi FNA-ja
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka alarmuar se me ndryshimet e fundit ligjore, planifikohet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të vendos se cilat institucione do të akreditohen në arsimin e lartë, transmeton Portalb.mk.
“Përmes ligjit të propozuar për cilësi në arsimin e lartë, po legalizohet kapja e dy bordeve kruciale që vendosin se cilat programe studimore dhe institucione të arsimit të lartë akreditohen dhe cilat jo”, raportuan nga FNA-ja.
Ata vlerësojnë se përmes ndryshimeve ligjore po tentohet te vendoset instrument kontrolli politik, përkundër standardeve të përcaktuara nga Asociacioni Evropian për Kualitet në Arsimin e Lartë, ENQA.
“MASh-i propozon dy struktura vendimmarrëse: Këshillin për Cilësi dhe Bordin Drejtues, por shqetësuese është se si është paraparë përbërja së tyre . Shtatë nga 15 anëtarët e Këshillit për Cilësi, organit që vendos se cilat programe dhe institucione akreditohen, emërohen drejtpërdrejt nga Qeveria. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me standardet e ENQA”, raportoi FNA-ja.
Ata alarmojnë se anëtarët e Bordit Drejtues të Agjencisë për Cilësi do të emërohen nga Qeveria. Për tejkalimin e këtij problemi, FNA-ja propozoi që anëtarët e Agjencisë të përzgjedhen bazuar në merita, të përfshihen ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa kryetari i Bordit të miratohet nga Kuvendi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar versionin final të paketës së tre ligjeve që lidhen me arsimin e lartë, përfshirë Ligjin për arsimin e lartë, Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë dhe atë për hulumtimet shkencore.
Projektligji për arsimin e lartë, i cili supozohet të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore, u prezantua nga Janevska më 6 shkurt të këtij viti. Disa nga risitë e publikuara deri më tani kanë shkaktuar reagime në komunitetin akademik, por edhe nga partitë politike të opozitës, disa prej të cilave kanë kërkuar tërheqjen e ligjit të ri. Zgjidhja e re ligjore është tani cak i kritikave nga partitë opozitare, veçanërisht nga Lidhja Social Demokrate, e cila sheh në të elementë që do të ishin të dëmshëm për sistemin e arsimit të lartë në vend.
Të premten, kryeministri Hristijan Mickoski komentoi gjithashtu projektligjin e ri për arsimin e lartë, duke deklaruar se sistemi që prodhon personelin më të arsimuar në vend ka pësuar dëme të mëdha nga zgjidhja ligjore e miratuar në vitin 2018.
Sipas tij, disa nga kritikat ndaj zgjidhjeve të reja ligjore janë spekulime politike dhe përpjekje për manipulim, duke theksuar, ashtu si ministri përkatës, se autonomia e universiteteve nuk është e kërcënuar.
- LEXO: Qeveria e miratoi paketën për ligjet kontroverse të arsimit të lartë, Sali: ndryshimet ishin të domosdoshme
- LEXO: Ligji për Arsim të Lartë do të hyjë në procedurë qeveritare, MASH dhe VLEN patën dje diskutimet e fundit
- LEXO: Ligjet e arsimit të lartë në këtë formë do të shkaktojnë dëme të pariparueshme, reagoi Sindikata e Pavarur Akademike
- LEXO: Universitetet shqiptare e demantuan Janevskën: Asnjë profesor i joni nuk ka marrë pjesë në hartimin e Propozim-ligjit për Arsimin e Lartë
- LEXO: Ligj publik, autorët sekret: Ministra e Arsimit vazhdon t’i fshehë emrat që e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e lartë