Kush kontrollon nëse respektohet vendimi për vaksinimin e plotë të fëmijëve kundër kollës së keqe?

A respektohet vendimi për ndalimin e pranimit në kopsht të fëmijëve që nuk i kanë pranuar dozat e nevojshme të vaksinës DiTePer? Në vrullin e një epidemie të kollës së keqe në kryeqytet dhe në vrullin e rritjes së përditshme të numrit të të infektuarve të rinj, autoritetet thonë se drejtorët e kopshteve i pranojnë vetëm fëmijë të vaksinuar. Por prindërit me të cilët biseduam kanë dyshime për këtë, duke pasur parasysh se askush në kopsht nuk u ka kërkuar atyre vërtetim se fëmija është e vaksinuar, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ndërkohë, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (IShP), nga 28 personat e sapoinfektuar brenda një jave, 17 janë fëmijë nën moshën 4 vjet.

“Rreth dy javë më parë, kur u bë bujë mediatike për pertusis, nga kopshti na shkruajtën në Viber se duhet të çojmë një vërtetim për vaksinat e pranuara, ose kartonin e azhurnuar të vaksinimit dhe na thanë që të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen plotësisht dhe të kenë bërë rivaksinimin për pertusis. Pothuajse të gjithë fëmijët në grupin tonë nuk ishin plotësisht të vaksinuar kundër kollës së keqe, pra më shumë se 90 përqind e fëmijëve në grup. Ne e vaksinuam fëmijën tonë, por pastaj askush nuk na kërkoi vërtetim, as karton vaksinimi, asgjë nuk ndryshoi”, tha për Meta.mk një prind i një fëmije që shkon në kopshtin e fëmijëve në komunën e Karposhit.

Për të parë nëse bëhen kontrolle dhe nëse drejtoret e kopshteve vërtetë i regjistrojnë dhe pranojnë vetëm fëmijët të vaksinuar plotësisht kundër kollës së keqe u drejtuam pranë Komisionit për Sëmundjet Infektive. Nga atje u përgjigjën se për këtë duhet ta kontaktojmë Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (KShSSh). Por në inspektorat na thanë se për këto kontrolle kompetente është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, nën të cilën janë kopshtet e fëmijëve.

Inspektorët thonë se çdo ditë janë në terren

Për Meta.mk nga atje thonë se inspektorët e MPPS-së çdo ditë kanë qenë në terren dhe i kanë kontrolluar dosjet e fëmijëve.

“Ato dosje duhet të përmbajnë dëshmi për gjendjen shëndetësore që është parakusht për pranimin dhe qëndrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore. Deri më tani nuk është konstatuar mosrespektim i ndalimit të pranimit të fëmijëve të pavaksinuar”, pohojnë nga MPPS-ja.

Në nenin 203 të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve  thuhet se mbikëqyrjen e punës profesionale për realizimin, përkujdesjen, edukimin, qëndrimin, kujdesin, ushqyerjen e bën Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Për zbatimin e punës edukative-arsimore – Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa mbikëqyrjen e kujdesit shëndetësor në kopshtet e fëmijëve e bën Ministria e Shëndetësisë.

Në dispozitën e nenit 60 paragrafi (10) të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, thuhet se prindërit janë të detyruar që gjatë pranimit të fëmijës në kopsht të dorëzojnë vërtetim nga mjeku amë për gjendjen shëndetësore të fëmijës.

Përndryshe, gjatë regjistrimit të fëmijëve në kopsht, në dosjen që hapet për fëmijën detyrimisht duhet të ketë të dhëna për gjendjen shëndetësore të fëmijës, të cilat plotësohen dhe vërtetohen nga mjeku amë i fëmijës me rastin e regjistrimit në kopsht, si dhe për çdo vit arsimor në të cilin fëmija qëndron në kopshtin e fëmijëve. Të dhënat përmbajnë emrin, mbiemrin, datën dhe vendin e lindjes së fëmijës, të dhëna për statusin e vaksinimit dhe vaksinat e pranuara (sipas kartonit personal të imunizimit) dhe të dhëna të përgjithshme për gjendjen e tij shëndetësore, emrin, mbiemrin, nënshkrimin dhe faksimilin e mjekut amë, të dhënat për kontakt dhe datën e plotësimit.

Në Shkup 12.638 fëmijë nuk janë vaksinuar plotësisht 

Sipas të dhënave nga I.Sh.P. Shtëpia e Shëndetit – Shkup, nga shërbimet e vaksinimit (Gazi Babë, Çair, Karposh, Kisella Voda dhe Qendër) është konstatuar se janë gjetur 12.639 fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar, ose nuk janë vaksinuar plotësisht, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Prej tyre janë vaksinuar 4.142 (32,8 përqind). Nga të vaksinuarit, numri dhe përqindja më e madhe ka pranuar rivaksinimin e parë (1.933, pra 46,7 përqind). Sipas moshës dhe kalendarit të vaksinit të rregullt, janë vaksinuar 7.792 fëmijë nën moshën 7 vjeçare, ndërsa numri dhe përqindja më e madhe (4.792 ose 61,5 përqind) e fëmijëve të vaksinuar kanë pranuar dozën I, II ose III të primovaksinimit”, informojnë nga IShP-ja.

Numri i përgjithshëm i dozave të vaksinës që përmban komponentë kundër kollës së keqe të dhëna si primovaksinim (doza I, II, III) ose rivaksinim (rivaksinim I, II) në territorin e Shkupit në periudhën nga 18 janari deri më 22 shkurt është 11.934.

Për vetëm një javë janë raportuar 28 raste të reja me kollë të keqe, kryesisht në Shkup. Mosha e pacientëve sillet nga 0 deri në 47 vjet, ndërsa numri më i madh i rasteve bëjnë pjesë në grupmoshën nën një vjet.

Sa i përket vendbanimit nga 67 persona të infektuar deri më tani, numri më i madh është nga Shkupi – 55. Pesë persona janë nga Tetova, 4 nga Kumanova, dy nga Gostivari dhe një nga Struga.

Kujtojmë se shenjat e para të kollës së mirë janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Rreth një javë më pas, personi mund të ketë sulme të kollës që janë aq të rënda sa që lëshojnë një tingull të lartë midis kollitjeve ndërsa përpiqen të marrin frymë. Më 19 shkurt u raportua që rreth 5 mijë fëmijë nga Shkupi nuk janë vaksinuar tërësisht për pertusis (kolla e keqe).

Ngjitshmëria e kësaj sëmundje zgjat 5-6 ditë, periudha e inkubacionit mund të variojë nga 7 deri në 21 ditë dhe rastet e konfirmuara duhet të qëndrojnë të izoluara pesë ditë pas fillimit të terapisë me antibiotikë.