Pompat në Gostivar u vendosën në “të zezë”, ndalesa e përdorimit të ujit mbetet në fuqi

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, dhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, deklaruan se institucionet po ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit të ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar. Hoxha theksoi se kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve nuk duhet të ketë kompromise, duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe morale për të gjithë ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë kontribuar në këtë situatë. Nga ana tjetër, Milanov njoftoi se ndalimi i përdorimit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije dhe përgatitje të ushqimit mbetet në fuqi deri në konfirmimin laboratorik të sigurisë së tij, ndërsa kontrollet inspektuese dhe analizat shtesë vazhdojnë për të përcaktuar burimin e kontaminimit dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, transmeton Portalb.mk.

Siç theksoi Hoxha para se të shpalleshin gjetjet e Inspektoratit të Mjedisit, institucionet po e ndjekin me vigjilencë zhvillimin e ngjarjeve. Ai shprehu shqetësim për të gjithë qytetarët e sëmurë nga rajoni i Pollogut. Ministri theksoi gjithashtu se furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e sistemeve të furnizimit me ujë, mbledhja dhe trajtimi i ujërave të zeza janë përgjegjësi e komunave dhe kompanive të shërbimeve publike.

Komunat, vuri në dukje ai, janë vija e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për krijimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtjes sanitare rreth burimeve të ujit.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Gostivarit se Qeveria po merr të gjitha masat, sigurisht brenda kompetencave të saj, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në sqarimin përfundimtar të këtij rasti. Është e rëndësishme që qytetarët të dinë se cilat janë kompetencat ligjore. Furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e sistemeve të furnizimit me ujë, mbledhja dhe trajtimi i ujërave të ndotura janë përgjegjësi e komunave dhe kompanive të shërbimeve publike. Komunat janë vija e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për krijimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtjes sanitare rreth burimeve të ujit. Në të njëjtën kohë, kontrolli i cilësisë së ujit të pijshëm është detyrim ligjor i Qendrave të Shëndetit Publik, të cilat kanë detyrimin të monitorojnë vazhdimisht cilësinë e ujit dhe të informojnë menjëherë publikun dhe institucionet kompetente kur identifikohet një rrezik për shëndetin publik. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbetet plotësisht e përkushtuar për të siguruar kushte për një infrastrukturë më të mirë komunale”, shpjegoi Hoxha.

Ai gjithashtu vuri në dukje se cikli më i madh i investimeve është duke u zbatuar aktualisht për të përmirësuar furnizimin me ujë, sistemet e kanalizimeve, impiantet e trajtimit dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim komunat me investime, ndihmë nga ekspertë dhe politika që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Megjithatë, vetëm investimet nuk janë të mjaftueshme. Çdo bartës i funksionit publik dhe çdo institucion si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal duhet t’i kryejë përgjegjësitë e veta në mënyrë profesionale, ligjore dhe të ndërgjegjshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sistem në të cilin incidente të tilla nuk do të ndodhin. Detyrimi ynë është të mbrojmë mjedisin, por mbi të gjitha të mbrojmë shëndetin e qytetarëve. Prandaj presim një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent, një sqarim të plotë të rastit dhe llogaridhënie të përshtatshme për të gjithë të përfshirët”, theksoi Hoxha.

Milanov: Mbetet në fuqi ndalimi për përdorimin e ujit në Gostivar, kontrollet inspektuese vazhdojnë

Ndalimi i përdorimit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit mbetet në fuqi derisa analizat laboratorike të konfirmojnë se uji është i sigurt për përdorim. Ne vazhdojmë ta monitorojmë me kujdes situatën dhe të ndërmarrim masat e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit dhe eliminimin e shkaqeve që çuan në këtë gjendje dhe rrezikuan shëndetin e qytetarëve. E sigurojmë opinionin se nuk do të lejojmë që asnjë aspekt i procedurës të mbetet i pahetuar, deklaroi sot drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Milanov.

Në konferencën për media të mbajtur në Qeveri, Milanov bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme vazhdojnë aktivitetet e shërbimeve inspektuese përmes kontrolleve te operatorët ushqimorë në rajonin e Gostivarit. Qëllimi i këtyre masave të jashtëzakonshme është të përcaktohet me saktësi burimi i kontaminimit, niveli dhe përhapja e ndotjes, si dhe të sigurohen rezultate të reja laboratorike mbi bazën e të cilave do të ndërmerren të gjitha masat e mëtejshme.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po e ndjek me vëmendje të madhe gjendjen e cilësisë së ujit të pijshëm në Komunën e Gostivarit. Që nga momenti i parë kur u morën informacionet për një rrezik të mundshëm ndaj shëndetit publik, bazuar në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar dhe kallëzimin e SPB Gostivar për cenimin e mundshëm të sigurisë së ujit të pijshëm në sistemin e ujësjellësit, shërbimet inspektuese të AUV-së kryen një kontroll të jashtëzakonshëm në sistemin e furnizimit me ujë në fshatin Vërtok. Në përputhje me kompetencat ligjore dhe protokollet në fuqi, kontrolli u realizua më 16 korrik në orët e vona të mbrëmjes, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar dhe teknikës kriminalistike të SPB Gostivar. Gjatë kontrollit u konstatua se në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit ishin instaluar në mënyrë të paligjshme pompa, pa leje, të cilat injektonin drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit me ujë”, tha drejtori.

Sipas tij, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik morën katër mostra uji nga rezervuari, uji sipërfaqësor dhe nga një çezmë publike në një xhami, për analiza laboratorike me qëllim verifikimin e sigurisë së ujit.

“Për të parandaluar një rrezik më të madh për popullatën e këtij rajoni, AUV-ja menjëherë nxori ndalim të përkohshëm për përdorimin e ujit për pije. Gjatë ditës së djeshme aktivitetet u zgjeruan ndjeshëm, ndërsa shërbimet inspektuese të Agjencisë morën mostra shtesë nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, duke përfshirë institucionet publike, çerdhet, objektet hotelierike dhe subjektet e tjera që e përdorin këtë ujë për pije dhe përgatitjen e ushqimit. Në kuadër të kompetencave ligjore, Agjencia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo subjekti ku do të konstatohen lëshime ose mosrespektim i detyrimeve ligjore. U bëjmë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente shëndetësore dhe autoriteteve lokale lidhur me përdorimin e ujit për pije, deri në marrjen e rezultateve përfundimtare laboratorike dhe normalizimin e plotë të situatës”, theksoi Milanov.

Ai shtoi se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë merr mostrat zyrtare të ujit, ndërsa analizat laboratorike kryhen nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili do t’ia dorëzojë zyrtarisht rezultatet Agjencisë.

Prokuroria Publike mbrëmë rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftuan se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.