Tetova, qyteti im i zi!

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Ky qytet nuk është më ai që ishte!

Ka ditë kur më duket gri, ditë të tjera më duket i lodhur, por çdo ditë më duket më i zi se dje.

Ndryshimi që po flas nuk qëndron te infrastruktura, te ndërtesat apo te projektet që promovohen, por te atmosfera që e përshkruan jetën e përditshme. Në shikim nga Sharri lartë duke parë poshtë gjithçka duket funksionale dhe e bukur. Por, realiteti këtu poshtë është ndryshe, po krijohet një ndjenjë pasigurie që po bëhet pjesë e zakonshme e realitetit, sidomos për të rinjtë.

Një grup të rinjsh rrahin bashkëmoshatarët e tyre për shkak të përkatësisë etnike dhe amnistohen. Një vajzë bie nga ballkoni pas një historie të errët dhune familjare. Në rrugë, në mes të natës, të mitur shajnë, kërcënojnë, sulmojnë. Në shkolla, droga qarkullon si të ishte pjesë e inventarit. Alarmet për bomba janë bërë “argëtim”, etj etj etj.

Sot, në këtë qytet të jesh i ri nuk është më vetëm fazë e jetës. Është bërë rrezik.

Tetovë a je ti, se s’po të njoh?

Këto nuk janë seri rastesh të izoluara, është kriza e që na ka kapluar e që çdo ditë po bërtet më shumë.

Mbrëmjeve, rrugët janë të mbushura, por gjallëria shpesh shoqërohet me tension. Grupet ndahen sipas përkatësive, komunikimi shpesh fillon me provokim dhe përfundon me konflikt. Dhuna nuk është më përjashtim, është bërë formë e zakonshme e ndërveprimit social.

Rastet e fundit në Tetovë tregojnë qartë se kemi kaluar nga incidente të izoluara në model shqetësues sjelljeje. Rrahjet mes të rinjve, shpesh me prapavijë etnike, nuk po marrin përgjigjen e duhur institucionale. Kur ngjarje të tilla përfundojnë me dënim me kusht, apo pa ndëshkime konkrete, krijohet perceptim i rrezikshëm: se dhuna tolerohet. Ky perceptim është thelbësor, sepse ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e të rinjve. Në mungesë të ndëshkimit real, kufijtë zhduken dhe dhuna normalizohet. Rrjedhimisht, ajo përsëritet, intensifikohet dhe përhapet.

Në të njëjtën kohë, tensionet etnike mes të rinjve po rikthehen në mënyrë shqetësuese. Ngjarjet e fundit në rrugët e qytetit, ku grupe të miturish përfshihen në fyerje dhe kërcënime ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, tregojnë se urrejtja nuk është më vetëm diskurs, por po shndërrohet në veprim. Problemi bëhet edhe më serioz kur institucionet reagojnë me formulime standarde si “po merren masa”, pa ofruar transparencë dhe pa dhënë rezultate konkrete. Kjo jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por e thellon mosbesimin e qytetarëve.

Tjetër dimension i kësaj krize është përhapja e përdorimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në mesin e nxënësve. Të dhënat tregojnë se ky fenomen nuk është sporadik, por i strukturuar dhe në rritje. Prania e drogës në shkolla nuk mund të trajtohet si çështje e izoluar disiplinore, ajo është tregues i një problemi më të thellë social. Të rinjtë që përfshihen në këto aktivitete nuk veprojnë në vakum. Ata janë produkt i mjedisit ku mungon mbështetja emocionale, ku komunikimi është i dobët dhe ku presioni social është i lartë. Përpjekjet për ta zgjidhur këtë problem përmes masave sa për sy e faqe janë të pamjaftueshme nëse nuk adresohen shkaqet rrënjësore.

Në këtë kontekst, roli i shkollës del në pah si kritik, por edhe problematik. Institucionet arsimore përballen me mungesë të theksuar të stafit profesional. Në shumë raste, një psikolog apo pedagog duhet të mbulojë qindra apo mijëra nxënës, gjë që e bën të pamundur trajtimin serioz të problemeve. Kjo krijon boshllëk të madh në sistemin e mbështetjes për të rinjtë. Nxënësit që përjetojnë bullizëm, ankth apo probleme familjare shpesh nuk kanë ku të drejtohen. Si rezultat, këto probleme akumulohen dhe shfaqen në forma të tjera, përfshirë dhunën dhe përdorimin e substancave.

Rasti i fundit i një vajze të re që përfundoi në spital nga rënia nga ballkoni pas siç u raportua pas një historie abuzimi është dëshmi e fortë se këto probleme nuk kufizohen vetëm në hapësirat publike. Dhuna në familje, e kombinuar me mungesën e ndërhyrjes së hershme, krijon pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve. Ky rast tregon se institucionet shpesh reagojnë vetëm pasi situata arrin në pikën kritike, duke humbur mundësinë për parandalim.

Në përgjithësi, ajo që bie në sy është mungesa e koordinimit institucional. Policia, prokuroria, shkollat dhe institucionet sociale funksionojnë shpesh në mënyrë të fragmentuar. Ka iniciativa dhe projekte, por ato nuk janë të integruara në strategji të qëndrueshme dhe efektive. Kjo bën që reagimi të jetë i pjesshëm dhe afatshkurtër, ndërkohë që problemet janë strukturore dhe kërkojnë qasje afatgjatë.

Për të ndryshuar këtë realitet, nevojitet angazhim serioz dhe i koordinuar. Së pari, duhet të sigurohet zbatim i rreptë i ligjit për rastet e dhunës, në mënyrë që të rikthehet besimi te drejtësia. Së dyti, duhet investim i menjëhershëm në shërbimet psikologjike dhe sociale në shkolla, për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për nxënësit. Së treti, duhet të zhvillohen programe gjithëpërfshirëse për parandalimin e përdorimit të drogës, që të adresojnë jo vetëm simptomat, por edhe shkaqet. Së katërti, institucionet duhet të bashkëpunojnë në mënyrë funksionale, duke ndarë informacion dhe duke koordinuar veprimet. Dhe së fundi, prindërit duhet të jenë pjesë aktive e këtij procesi, sepse edukimi dhe mbështetja fillojnë që në shtëpi.

Qyteti nuk bëhet i zi brenda natës. Ai errësohet gradualisht, si pasojë e problemeve të pazgjidhura dhe reagimeve të pamjaftueshme. Nëse këto probleme vazhdojnë të trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, rreziku është që kjo errësirë të bëhet normë. Dhe në atë moment, nuk do të flasim më vetëm për një qytet në krizë, por për një brez që po rritet pa orientim, pa mbështetje dhe pa besim në sistem.

Qyteti im nuk ka lindur i zi. Është bërë i tillë, pak e nga pak, nga neglizhenca, nga dështimet, nga heshtja dhe bam ja ku jemi. Por, nëse arritëm ta errësojmë këtë qytet, edhe mund ta ndriçojmë. Por a kemi vullnet? Dyshoj! Nëse vazhdojmë kështu, nuk do kemi vetëm qytet të zi, do kemi breza të humbur.

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.