Kur nëna se njeh birin e kërthizës së saj

Një jetë të tërë dhe si askush tjetër, Josif Bageri jetoi me dhembjet e plagëve të shumëfishta të Rekës së Epërme, të cilën e quajti “Kërthiza e Shqipënis”. Emrat Rekë dhe Shqipëni i gjejmë pothuajse në çdo poezi të tij, në çdo shkrim.

Dhembjet e tij më të mëdha qenë: asimilimi i shqiptarëve në sllavë, grekë e turqë, shpërngulja e bashkëvendësve nga sinoret stërgjyshore dhe mungesa e shkollave shqipe. Ndalimi i shkollës shqipe i therrte më shumë në shpirt, sepse në sh. XIX, Perandoria osmane hapi gjithandej trojeve tona shkolla turke, serbe e greke, misioni i të cilave qe asimilimi i Shqiptarëve ortodoksë në serbë  e grekë, kurse i Shqiptarëve muslimanë në turqë. Ky akt shovenist i detyroi shqiptarët të mohonin etninë, gjuhën dhe tiparet identitare, gjë që shqetësoi tej mase J. Bagerin, i cili, për t’i kthyer në udhë të mbarë ata që ishin bërë pre e armiqve, shkroi vargje të serta e qortuese:

Gjith sa jemi shqipëtar:

Kemi një gjak dhe një farë…

Nona që na rriti n’gji,

Të gjithë ne na ka fëmijë.

 

Kur asht kështu, pse mohoni:

Non e gjuh dhe ju shkoni?

Nëpër t’huajat mësimore

Në ato t’shkreta helmore?

 

O sa keq tash na turpnuet,

Se gjuhën e vet mohuet!

Dhe serbishten zut ta msoni:

“Vake take” të na thoni!

 

Kështu Rekasit mendojn,
Po sërbishten këta msojn!
Me nxitim e me shije,
Sikur s’jon fëmi Shqypnie!

 

Disa mbahen shum azgon,
Se paskan emnin Osmon!

Kta i bien vllait kres…

Për të shkretën and të fes.

 

Disa thiren: agallar!
Pa mos pas as ar, as’ far;
E të tjerët qirie!
po kta t’gjith bij Shqypnie.

 

Mercenarëve në shërbim të tjetrit u thoshte shpesh: “Ju doni të ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipërisë së vjetër”.

Josif Bageri u përpoq të shpëtojë rekasit nga kthetrat e hienave, por i vetëm nuk ia doli të bëjë diçka më shumë. Mjerisht, klithmat e tij nuk i dëgjuan bashkëkombësit e krahinave të tjera. Nuk i dëgjoi as Shqipëria londineze, e mëvetësuar 3 vjet para vdekjes së tij. As Shqipëria komuniste, e cila bëri kinse nuk di gjë për tragjedinë e Rekës dhe kinse nuk kishte dëgjuar as për titanin rekas Josif Bagerin, as për veprën e tij monumentale për kohën dhe rrethanat në të cilat e shkroi. Shi për këtë, shtrohet pyetja: si qe e mundur, që në mes të Evropës së sh. XX të ndodhë një krim i shëmtuar, për të cilin nuk tha e nuk shkroi askush një fjalë të vetme kundërshtuese për kriminelët e Jugosllavisë titiste, që e hiqte veten si shteti më liberali në bllokun komunist? Si qe e mundur vrasja e aq shumë njerëzve të pafajshëm dhe djegia e aq shumë fshatrave, pa një notë proteste të shtetit Amë?

Gjer më tani kemi vetëm një dëshmi të supozuar se shteti Amë, gjatë monizmit nuk e njihte as Rekën as birin e saj më të urtë – Josif Bagerin, Këtë e gjejmë në parathënien e veprës “Kopësht Malësori”, të shkruar nga akademiku Shaban Sinani, në të cilën, mes tjerash thotë: U njoha për herë të parë me emrin, jetën dhe veprën e Jofis Bagerit në vitin 1982, kur studentja shqiptaro-bullgare Natanjella Fallivendosi t’ia kushtonte tezën e saj të doplomës veprimtarisë atdhetare dhe krijuese të Josif Bagerit… Ishte viti i fundmë i studimeve universitare, të gjitha programet studimore për letërsinë ishin përfunduar, por emri i Josif Begerit nuk na ishte shfaqur askund… As “Kopësht Malësori”, vëllimi i vetëm me poezi…, as “Shqipeja e Shqypënis”, e përkohshmja që ai drejtoi disa vite me rradhë, nuk gjendeshin në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Nuk gjendeshin apo nuk shërbeheshin, ishte dhe mbetet ende një pyetje pa përgjigje, por Natanjella Falli, i fotokopjoi të dyja në Bibliotekën Kombëtare të Sofjes…

Sidoqoftë, të paktën në sh. XXI, kur në shpirtërat e disa shqiptarëve të asimiluar të Rekës po rilind ndjenja e topitur etnike, dikush duhet t’ua zgjatë dorën e kurajës, sepse kthimi i tyre tek Ëma, sado i pjesshëm qoftë, përfaqëson triumfin e së vërtetës ndaj mashtrimit shekullor; sepse ndërgjegjësimi i tyre, sado i vonuar qoftë, është tapia e një trashëgimie të paçmueshme vlerash shpirtërore e materiale.

Kjo duhet bërë, sepse me Shqiptarët e krishterë jemi vëllezër. Ata janë si unë, si ti, si ne. Janë bijtë e Rekës së traditave të fisme. Janë pinjollët e Josif Bagerit – digës së pakalueshme për gjithkë që synon konvertimin e rekasve në SHKRETË. Mbi kurrizet e tyre ka rënë njësoj si te shqiptarët tjerë kërbaçi i të kaluarës së dhimbshme. Ata janë pjesa jonë më fatkeqe, që, të mbetur pak në numër, nuk mundën t’i bëjnë ballë asimilimit, nuk ia dolën të izolojnë në kohën e duhur zuzarët që përkrahën zhbërjen e sojit të tyre për interesa  meskine.

Kjo duhet bërë, sepse çështja e ruatjes së tipareve identitare është e drejtë universale e garantuar me ligjet e Zotit dhe të botës demokratike, pjesë e së cilës mëton të bëhet edhe Maqedonia e Veriut.

Kjo duhet bërë, sepse: nuk cenon identitetin dhe dinjitetin e asnjë njeriu dhe asnjë etnie; sepse nuk përvetësojmë vlerat e tjetrit dhe nuk mashtrojmë askënd.

Kjo duhet bërë: për respekt të atyre që ia dhanë zjarrin zgjues Rekës dhe sfiduan asimilimin e Shqiptarëve ortodoksë nëpërmjet instrumentalizimit të fesë; për respekt të bigoreve, këngëvajeve dhe mallkimeve të Rekës së harruar e të lënë pas shpine; për respekt të nënave, nuseve dhe vashave hijerënda të Rekës së Ali Podrimjes, të cilat: Kur vjen e diela, ah, kur vjen e diela, zbresin te varret dhe qajnë SHQIP.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.