Për vakitë parazgjedhore

Jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kur shtatëmbëdhjetë partitë dhe koalicionet kanë nisur garën për të siguruar votat e “sovranit”, që po t’kurret dita-ditës në numër për shkak të shpërnguljes së përgjithmonshme të të rinjve gjithandej ku shpresojnë të sigurojnë një jetë më të mirë se në vendin e çudirave.

Si përherë, edhe në këto zgjedhje ashpërsohen marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike, që përbalten në mënyrë të ndërsjellë dhe nxjerrin sheshit ligësitë e rivalëve për të cilat nuk kanë bëzajtur në kohën e duhur. Më të zhurmshmit janë ata që s’kanë argumente reale për të mundur oponentët politikë, ndaj e bëjnë këtë me fyerje banale, me britma kërcënuese dhe me shpifje pa mbulesë, që më shumë flasin për fytyrën e denoncuesit se të denoncuarit.

Këto beteja brendashqiptare, të fryra si tollumbace që pushojnë një ditë pas zgjedhjeve, shërbejnë për joshjen e masave të cilat u bësojnë premtimeve dhe fjalëve të bukura që shtrembërojnë të vërtetat e jetës së katandisur të popullit, i cili, siç u tha më lart, prej vitesh ka nisur të shuhet në këste të padiktueshme vetëm prej qorrave.

Përveç betejave donkishoteske brenda sojit  (respekt përjashtimeve!), fushatat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut  i karakterizojnë edhe rindezjet e urrejtjeve ndëretnike, të cilave u prijnë disa parti ekstremiste, që deklarohen si proevropiane, por në fakt janë proserbe e proruse dhe presin momentin që të qërrojnë hesapet me shqiptarët e konsideruar si ardhacakë dhe pushtues të sinoreve biblike maqedonase.

Jo rastësisht, ata edhe në zgjedhjet e 8 majit të vitit 2024, kërkojnë me ngulm të fitojnë 61 kuvendarë që të mos kushtëzohen me asgjë nga partitë politike shqiptare. Jo rastësisht propozojnë sërish për kryetar një kandidate, që në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, shpërfaqi në mënyrë të hapur nevojën urgjente për pezullimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe rishikimin e të drejtave të shqiptarëve, të cilat janë shumë larg të drejtave që, fjala vjen, gëzojnë joshqiptarët e Republikës së Kosovës. Subjektet e këtilla politike janë ashiqare kundër integrimit të vendit në BE dhe kundër partneritetit me SHBA-në. Ata synojnë forcimin e pranisë ruse në Ballkan, sepse vetëm me ta shpresojnë t’i shndërrojnë shqiptarët në rajë, ashtu siç kanë jetuar edhe vetë nën thundrat e hegjemonive të mëdha, në mesin e të cilave fatmirësisht nuk bën pjesë RMV, me një përqindje shumë të madhe të popullatës shqiptare, që kurrë nuk është përpjekur të zhbëjë e të djegë të tjerët në komora gazi.

Për shkak të trazirave me të cilat përballet aktualisht bota, veçmas për shkak të rreziqeve me të cilat mund të përballet edhe Maqedonia e Veriut, do të duhej që fushata zgjedhore të bëhej në një atmosferë më të paqtë e më tolerante se në zgjedhjet paraprake, sepse, po na përfshiu zjarri i luftërave dhe kacafytjeve ndëretnike, që disa e ndjellin vetëdijshëm, asgjë nuk do të jetë si është sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.