Memento për Linditën

Të martën e kësaj jave, familja e fisme e Xhabir Ahmetit humbi dhe vajzën e urtë, kurse shqiptarët poeteshën e madhe të kombit, Linditë Ahmetin. Ajo shkoi të takojë vëllain e dashur dhe aktorin e madh, Luranin. Iku kur prisnim të botojë perla të tjera si përmbledhja:“Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”, me të cilën preku kulmin e artit poetik dhe kapërceu kufijtë e letërsisë kombëtare.

Lindita qe poeteshë me indivi­dualitet të spikatur dhe me frymë të shëndoshë kombëtare. Vargu i saj është origjinal dhe i veçantë për nga frymëzimi i sinqertë lirik, për nga motivet dhe format, për nga figurat letrare, për shijen me të cilën i shprehte ndjenjat, për mundësitë shprehëse të gjuhës së zjarrtë, për mënyrat e reja të thënies së gjërave, për kontekstet origjinale në të cilat e vinte fjalën, për forcën dhe hapësirat e reja që pushton fjala poetike në ato kontekste, për gjetjet e anëve hyjnore të fjalës…

Lindita qe krijuese e lindur që shkroi me jetën e saj, ndaj dhe vargjet i ka të shqetësuara dhe me temperaturë të pazakonshme, me një thellësi dhe gjerësi oqeanike, përmasash dhe horizontesh të arritshme vetëm nga mjeshtërit e mëdhenj. Ajo qe krijuese e vargut risimtar, të mbështetur në perlat e traditës sonë më të mirë.

Poezia e Lindës është përvojë e re e bukurisë në veprim, që nga momenti i bartjes në letër të vibrimeve shpirtërore. Është poezi shumështresore, sugjestive dhe e pangjashme me krijimet e cilitdo poet tjetër. Kushdo që ka lexuar poezitë e saj është bindur se ajo qe në luftë të përhershme me demonët që shprishin ëndrrat njerëzore, është bindur se vargjet e saj subtile janë më të fortë se forcat e errësirës…, sado që beteja e saj me jetën qe më e pabarabartë se kacafytja biblike mes Davidit e Goliatit.

Filozofi dhe esteti i mirënjohur Ferid Muhiq, poezitë e Lindës i quajti poezi të dhembjes. Për të, sa më e madhe është dhembja, aq më e bukur del poezia. Ai e sqaron këtë me një mbret kohërash të vjetra, që të dënuarit me vdekje  i fuste në barkun e një demi prej bronxi, të pajisur me tuba me forma borishë të madhësive të ndryshme, përfundi të cilit ndizej një zjarr i madh. Mbreti satrap, tok me obortarët, ulej në shkallët e amfiteatrit ku kryhej ekzekutimi i të dënuarit dhe kënaqej me klithmat e tij, të cilat, përmes tubash prodhonin tinguj shumë të bukur, që e hidhnin në ekstazë mbretin, veçmas britma e fundit të fatkeqit që ishte e pakrahasueshme me tinguj të tjerë.

Se arti lind nga dhembja e mësojmë edhe nga gjeniu Kadare, i cili thotë se lidhjet e artit me dhimbjen, frikën dhe pritjen janë shumë të natyrshme. Sipas tij veprat më të mëdha letrare trajtojnë pikërisht fenomenet që shkaktojnë dhimbje, si: vdekjet, misteret, mjegullat, maskat, hijet, demonët, kafkat, fantazmat, masakrat, ferri, varrezat, përbindëshat, labirintet, sakrificat, luftërat, kampet, murimet, krimet, burgjet, tiranët, despotët, dyshimet, stuhitë, apokalipsat, mallkimet…

Këtij rregulli nuk mund t’i shmangej dhe Lindita, që gjithashtu qe në betejë të përhershme me demonët e gjithllojshëm. Ajo qe luftëtare e pakompromis, sepse ashtu deshi Krijuesi, i cili me peshat më të rënda i ngarkon lufëtarët e tij më të zgjedhur.

Linda qe pjesë e krijuesve të mirëfilltë, që përherë përbëjnë pakicën. Për shijen time, Ajo qe dhe mbeti LIRA më e veçantë e poezisë shqipe. Se si ia doli të shkruajë me bojërat e shpirtit bilur s’e kam kuptuar kurrë. Ndoshta se ka kuptuar as Ajo vetë. Ndoshta qe rrezatimi i dorës së Zotit mbështetur gjatë në supet e saj, ndoshta hyjnorja e shpërfaqur me penelata vargjesh shumëformëshe, që drithërojnë me vrushkuj ethesh palcën shpirtërore të fatlumëve që kanë privilegjin të lexojnë e të shijojnë atë që arriti ta shkruajë vetëm dora e Lindës.

Prehu në paqe, Linda jonë e dashtun dhe e paharruar, bashkë më vëllain dhe aktorin e madh Luranin, pa të cilin nuk e ndjeje si më parë shijen e jetës së kësobotshme!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.