Sulejmani: Nuk është e ndershme të lavdërohemi me bëmat e parisë shqiptare, këtë e demanton ikja masive e rinisë shqiptare

Nuk është e ndershme të lavdërohemi me bëmat e parisë shqiptare, sepse këtë e demanton ikja kaq masive dhe e pakthyeshme e rinisë shqiptare, që nuk ka ndodhur kurrë më parë, as në regjimet më të egra të mundshme. Kështu deklaron profesori universitar, Fatmir Sulejmani në një intervistë për Portalb.mk.

Me Sulejmanin, gjithashtu flasim edhe për sistemin arsimor, kulturën, përfaqësimin e shqiptarëve në RMV dhe gjendjen e skenës politike.

Intervistoi: Suad Bajrami

Pasi punoni me studentë, si mendoni, a dëgjohet zëri i tyre në krijimin e politikave dhe strategjive në nivel lokal dhe republikan?

Fatmir Sulejmani: Universitetet kanë parlamente studentore, që ngrenë zërin e tyre për të gjitha çështjet e rëndësishme për ta dhe institucionin ku studiojnë. Besoj se kjo ndodh kudo, në nivel lokal dhe republikan. Ata organizojnë aktivitete të ndryshme dhe marrin pjesë në debate me kolegët e fakulteteve të tjera. Studentët kanë përfaqësuesin e tyre në mbledhjet e Këshillit mësimor-shkencor dhe Këshillit të Rektoratit, në të cilët miratohen vendime të rëndësishme, që kanë në fokus mbarëvajtjen e punës me student. Ky përfaqësim është obligativ për çdo universitet. Edhe në Këshillit Nacional për Arsim të Lartë në RMV, njëri nga 15 anëtarët/ profesorët që kanë kaluar filtrin e rektorëve të 6 universiteteve publike dhe janë votuar më pas nga kuvendarët e RMV-së, është student. Ai është i obliguar të njoftojë kryetarët e parlamenteve studentore të gjithë universiteteve për ndryshimet që bëhen në favor të mbarëvajtjes së punës edukative-arsimore dhe të përçojë zërin e tyre në këtë institucion…

A i mungon sistemit tonë arsimor kuadri cilësor apo fajin e ka sistemi dhe shteti për gjendjen në të cilën ndodhemi?

Fatmir Sulejmani: Mjerisht, në RMV ka universitete të cilëve u mungon kuadri arsimor. Ndër ta është dhe Universiteti i Tetovës, që ka një përqindje të lartë të profesorëve të angazhuar me honorare. Për këtë faji bie mbi shtetin dhe Ministrinë e Arsimit, që duhet të bëjë më shumë përpjekje për t’i vënë, para së gjithash universitetet publike, në shkallë të njëjtë barabarësie, gjë që akoma lë shumë për të dëshiruar. Në këso rrethanash, kur universitetet detyrohen të plotësojnë stafin akademik me kuadro pa vendime pune, është e natyrshme që të ketë edhe mësimdhënës jo aq cilësor, duke qenë se të tillët detyrohen të kryejnë edhe punë të tjera për të mbajtur gjallë familjet…

Si shoqëri a kemi edukatë të kulturës dhe a investohet mjaftueshëm për projekte reale kulturore?

Fatmir Sulejmani: Në dallim nga e shkuara, tani më jemi edhe ne shoqëri me edukatë kulture, por niveli i saj varet nga investimet përherë të pamjaftueshme që bën shteti për kulturën, shkencën, sportin… Kësaj duhet shtuar edhe diskriminimet në baza të ndryshme, që te ne ndodhin si ajo përsëritja që përsëritet përsëri.

Si e shihni gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në aspektin e përfaqësimit dhe rolit të tyre në ndërtimin e politikave shtetërore?

Fatmir Sulejmani: Pyetja juaj është pak e vështirë, sepse të tillë e bëjnë situatat paradoksale me të cilat përballemi. Në njërën anë, nuk është e moralshme të themi se gjendja jonë është po ajo e viteve të mëhershme, sepse disa gjëra kanë ndryshuar në të mirën tonë, sado që nuk është bërë sa duhet e sa kemi pritur. Në anën tjetër nuk është e ndershme të lavdërohemi me bëmat e parisë shqiptare, sepse këtë e demanton ikja kaq masive dhe e pakthyeshme e rinisë shqiptare, që nuk ka ndodhur kurrë më parë, as në regjimet më të egra të mundshme. Së këndejmi, duam apo s’duam ta pranojmë, ky është barometri i arritjeve të vërteta, që hedh dritë edhe në aspektin e përfaqësimit dhe rolit të shqiptarëve në shtet, që sipas meje nuk është i nivelit të duhur, për shkakun se ne nuk kemi pasur dhe akoma nuk kemi pushtet faktik. Këtë mund ta argumentoj me një varg të gjatë shembujsh konkretë, po nuk e shoh të arsyeshme ta bëj këtë në intervistën e shkurtë me ju.

Në kontekst të zgjedhjeve që na presin gjatë muajve në vijim, cili është këndvështrimi juaj për ndarjen e shqiptarëve në shumë parti, a i shërben interesit të shqiptarëve apo më tepër klaneve dhe individëve të caktuar?

Fatmir Sulejmani: Një komb i ndarë në derexhenë tonë është një komb që rrezikon të shuhet. Unë nuk jam politikan dhe nuk e kuptoj logjikën e subjekteve politike shqiptare me aq shumë parti dhe me aq pak politikanë profesionistë, që do të ishin në gjendje të përgatisin projekte serioze për të ardhmen tonë kaq të zymtë në stinën kur vendbanimet malore e fushore janë braktisur gati plotësisht nga të rinjtë, kryesisht, siç pohojnë vetë ata, për shkak të humbjes së shpresës. Shi për këtë, partitë e hasmëruara, sadoqoftë numri i tyre, nuk mund të jenë në shërbim të shqiptarëve, të cilët në këto kohëra aq të pasigurta, kanë nevojë jo për përçarje por për një bashkim të fortë, që mund të jetë garancë e një të ardhmeje ndryshe. Përgjegjësinë për hullitë e thella ndarëse brendashqiptare e kanë partitë politike, të cilat duhet ta bëjnë dallimin ndërmjet interesave të partisë dhe interesave të kombit. Përgjegjës janë dhe votuesit, që, nëse nuk dinë ta votojnë më të mirin, të paktën të dinë ta zgjedhin të keqen më të vogël në rrethanat aktuale.