Kuptimi dhe menaxhimi i rrezikut të paqëndrueshmërisë në Kosovë dhe Bosnjë

Rreziqet gjeopolitike janë një konstantë e përhershme për qeveritë dhe shtetet. Vendndodhja gjeografike e një shteti, fuqia ekonomike, fuqia blerëse për kokë banori, fuqia ushtarake, kohezioni i brendshëm dhe lidhjet e një shteti me shtetet tjera në arenën ndërkombëtare, e rrisin dhe sigurisht bëjnë zvoglimin e rriskut gjeopolitik që ekziston për një shtet në politikën ndërkombëtare.

Çdo udhëheqës dhe zyrtarë që mbajnë funksione të rëndësishme shtetërore, duhet t’i kenë në konsideratë tiparet gjeopolitike të rriskut. Në të vërtetë, pa këto njohuri themelore, është vështirë të menaxhohet rreziku që vjen nga një shtet armik dhe nga kundërshtarët. Për lexuesin duhet të sqarojmë se rreziqet gjeopolitike përkufizohen si rreziqe të mundshme politike, ushtarake, financiare, dhe sociale që mund të dalin nga përfshirja e një kombi në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale. Disa zhvilime ndërkombëtare nuk mund të mënjanohen nga shtetet e vogla apo edhe nga shtetet që kanë peshë në politikën botërore.

Ukraina është rasti më konkret, ku dhe shtetet e fuqishme të BE-së mbetën pothuajse pa opsione konkrete se si duhet bërë më tej me agresionin rus. Atyre ju duhej një lider me një fuqi më të madhe ushtarake, që të vendoste për rriskun dhe benifitet gjeopolitike të një fronti global kundër Rusisë. Këtu me rëndësi është t’i shohim faktorët që vendosin për këtë rrisk si: rrugët detare, lumenjtë, afërsia e tyre me ndarjet kontinentale, pozita e maleve, e qyteteve dhe shumë specifika tjera që fitojnë një rëndësi strategjike në llogaritjet e rriskut gjeopolitik. Po këtu, kryqëzimi i regjimeve, identiteti etno-fetar dhe lidhjet transnacionale të rajoneve tregojnë një kontekst të fuqishëm për përcaktimin e rriskut gjeopolitik.

I gjithë ky zhvillim mund të ndodh në mes ndryshimeve globale dhe të sigurisë kufitare, ku shtetet mund të mbeten në pozitë asnjëanëse. Rasti konkret është Bosnja dhe problemi i veriut në Kosovë, ku qoftë tani apo në të ardhmen nevoja për kufij i ri do të bëhet domosdoshmëri. Kur kufiri bëhet si variabël i studimit të rrsikut gjeopolitik dhe kryesorja që vendosë fatin e kombeve-etnive si në rastin e Bosnjës dhe Kosovës; përshkak të pozitës së mbyllur gjeografike të dyja shteteve, mungesës së armatimit dhe pavarësisë ushtarake për të vendosur një rend të ri në veri të Kosovës dhe për të bërë një federatë funksionale, çështja atëherë bëhet më e rrezikshme, pasi në të dyja rastet Fuqitë e Mëdha janë të vendosura të kërkojë sakrifica në dëm të shtetësisë së Kosovës dhe Bosnjës.

Disa gjëra në politikën ndërkombëtare nuk funksionojnë sipas të drejtës. Punët mund të marrin teposhtëzën për shtetet e brishta. Për të bërë një ndarje në mes rriskut gjeopolitik dhe ambicieve nacionale të qeverive, duhet të kemi parasysh ndryshimin e regjimeve, pra në qoftëse pala kundërshtare është shtet autokratik dhe me çdo kusht kërkon në bazë të forcës të zbatojë politika të dhunës. Në analizën e rriskut gjeopolitik, përveç politikave shtetërore në lidhje me kufijtë ose shtetësinë që ndikojnë përfundimisht në ndarjet kufitare, angazhimi i aktorëve të tretë gjeopolitik e sidomos të grupeve radikale dhe të njësive klandestine për të minuar stabilitetin e një vendi, përbëjnë faktorë tjerë shtesë në llogaritjen e rriskut gjeopolitik. Këtu qeveritë duhet të ndërmarrin veprime që lidhen me çështjet kufitare, por kur çështjet janë historike dhe kur një pakicë etnike nuk dëshiron tu nënshtrohet ligjeve të një shteti, atëherë rrisku gjeopolitik nuk vjen kryesisht nga jashtë, por është i brendshëm që kërkon kohë dhe planifikim se si të dilet nga kriza ndëretnike e pa shpërndarje të konfliktit në zonat tjera urbane.

Besnikëri etnike në rastet e përmendura si në Kosovën veriore dhe në Bosnjë nuk ekziston, dhe këtu qeveria qendrore duhet të vendosë nëse do të lejojë që ndarjet të bëhen në vija etnike apo sovranitetin do ta mbrojë me një plan të mbështetur edhe nga faktori i jashtëm. Pasi Fuqitë e Mëdha jo çdoherë mbështesin palën më të dobët, i vetmi opsion mbetet që rrisku gjeopolitik të llogaritet në bazë të kapaciteteve të brendshme të një shteti dhe miqve që i ka shteti përkatës. Në praktikën politike, qeveria qendrore duhet të përfshihet në këtë rrisk, sepse është i vetmi autoritet që mund t’i hyjë rriskut, kalkulojë, të marrë detyrime dhe të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve. Në Kosovë dhe në Bosnjë, pikërisht me presionin e faktorit të jashtëm dhe të serbëve, qeveritë në Prishtinë dhe Sarajevë do të detyrohen të kalojnë nëpëmes këtij filtri apo tipareve që bëjnë sitjen e elementeve të rriskut gjeopolitik për apo kundër një veprimi politik që ka efekte të brendshme dhe të jashtme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.