Gjorgjievksi: Qyteti i Shkupit na bllokon në çdo fushë
Gjatë kohë thuajse nuk ekziston bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, thotë kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, thotë Orce Gjorgjievski, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.
Ai vlerëson se nëpërmjet reformimit të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale Shkup”, kompetencat duhet t’i marrin komunat e Shkupit, që të ketë higjienë më të mirë në qytet, por edhe të shmangen punësimet partiake.
“Janë të pakta fushat ku kemi bashkëpunim, thuajse askund. Kjo nuk ka ndodhur në muajin apo javën e kaluar, por zgjat me muaj të tërë. Ne praktikisht kemi bllokadë në çdo fushë nga ana e Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjet publike dhe tërë situata kulmoi në natën kur ne praktikisht kemi hyrë ta kryejmë punën si kryetarë të komunave të Shkupit, për ata që duhet ta kryejnë punën, por nuk e kanë kryer. Nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ana e tyre dhe në vend që thonë faleminderit, pasi që u përballëm me problemi që për disa ditë u grumbulluan mbeturinat nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërkaq shëndeti i qytetarëve u vendos në rrezik, ne morëm bllokadë në atë mbrëmje përpara ndërmarrjes Drislla, ndërkaq më pas u përballëm me ata deklarata, do të thosha të ngathëta nga ana e tyre për atë se do t’i gjobisin Kisella Vodën dhe Sopishten si komuna pasi që e kemi hedhur një pjesë të mbeturinave para Drisllës”, tha Gjorgjievski.
Në lidhje me trazirat në Higjienën Komunale, Gjorgjievski inkurajon që të veprohet kundër personave që kanë marrë paga dhe nuk kanë shkuar në punë, por pyet se pse nuk është vepruar më herët, nëse është ditur paraprakisht për atë.
Kryetari i Kisella Vodës është në “luftë të hapur” ne Danella Arsovskën, ndërkaq mosmarrëveshjet kulmuan pasi që ajo paralajmëroi gjobë prej 90.000 eurosh për derdhjen e mbeturinave përpara hyrjes së deponisë Drislla. Gjorgjievski tha se nuk do ta paguajë shumën, pasi që Arsovska nuk është kompetente për atë, pasi që deponia nuk është në territorin e Qytetit të Shkupit.
Arsovska ia ktheu se prona e parcelave të Drisllës është në pronësi dhe e themeluar nga ana e Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe është në kompetencë direkte të Qytetit të Shkupit. Për Arsovskën, Gjorgjievski është analfabet funksional.
Kaosi në Higjienën Komunale Shkup
Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.
Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.
Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.
Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.
- LEXO: Rasti Higjiena Komunale – Shkup: “Mafiozët” e mëhallës që pastrojnë qytetin
- LEXO: Drejtoresha largoi nga puna edhe 27 punëtorë te “Higjiena Komunale”
- LEXO: Punëtorët e Higjienës Komunale e ndërprenë protestën, do të dalin në terren, por kërkesat vazhdojnë të vlejnë
- LEXO: Forcat policore përkohësisht bllokuan protestuesit, ka edhe qytetarë të lënduar, ndërkohë pengohet gazetari të raporton nga vendi i ngjarjes