Kundër ignokracisë: Epistokracia (II)

Në veprën Against Democracy (2016), filozofi libertarian Jason Brennan argumenton se është thelbësore që qytetarëve jokompetentë t’u hiqen të drejtat politike, në mënyrë që të parandalohet ushtrimi i autoritetit politik prej tyre mbi individë të pafajshëm dhe kompetentë (Brennan 2016, 17) Claudio López-Guerra (2014) propozon “llotarinë e dhënies së të drejtës së votës” (enfranchisement lottery), e cila funksionon si vijon: Së pari, një grup relativisht i vogël individësh përzgjidhet rastësisht për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Askush jashtë këtij grupi nuk lejohet të votojë. Megjithatë, përpara se anëtarët e grupit të mund të votojnë, ata duhet t’i nënshtrohen dhe të përfundojnë me sukses ushtrimet për rritjen e kompetencës (competence-building exercises) që kanë si synim shtimin e njohurive rreth alternativave në fletëvotim. Ata nuk mësojnë vetëm si funksionon shteti, por ‘studiojnë’ specifikisht platformat e kandidatëve ose pasojat e një ligji të caktuar për të cilin po votohet. Sipas Mill-it çdokush e ka të drejtën për votë, por në bazë provimit të të drejtës së votës (suffrage exam), pra kompetencës, individëve  të caktuar  u jepen më shumë vota. Në këtë drejtim, p.sh., bankierët, tregtarët dhe prodhuesit marrin më shumë vota sesa punëtorët e krahut. Votat mund të ndahen sipas arritjeve arsimore (një diplomë universiteti ju jep një votë shtesë, një diplomë pasuniversitare një tjetër votë shtesë).

Kritikat ndaj këtij sistemi fillojnë nga ajo se politikanët do të përpiqeshin të krijonin një provim për të drejtën e votës që u jep të drejtë votimi mbështetësve të tyre dhe ua heq këtë të drejtë atyre që nuk i mbështesin. Kritikë tjetër është ajo se njerëzit  me kompetencë të matshme nuk do t’i njohin shqetësimet dhe problemet e atyre që u është hequr e drejta e votës; se ata që posedojnë kompetencë të matshme do të kenë më pak motivim për të investuar në prodhimin e dijes krahasuar me stimujt për prodhimin e dijes në demokracitë e zakonshme, gjë që në afat të gjatë çon në rritje të injorancës, të cilën e lufton platforma epistokratike.

Teokracia mund të konsiderohet si një variant i epistokracisë, nëse i mendojmë priftërinjtë (ose klerikët) si ‘ata që zotërojnë njohuri fetare’. (Holmst, 2022) Velajet-i fakih-i, sundimi i elitës klerikale, muxhtehidëve, i praktikës iraniane, përbën shembull praktik të epistokracisë fetare, ku autoriteti iu jepet atyre që konsiderohet se kanë dijen më të lartë mbi ligjin hyjnor. Teknokracia është një shembull tjetër: në shumë qeveri (si p.sh. gjatë krizave financiare në Itali apo Greqi), ministrat zgjidhen jo sepse janë politikanë të votuar, por sepse janë ekspertë (ekonomistë, bankierë, inxhinierë). Deri në mesin e shekullit të 20-të, shumë shtete (përfshirë disa shtete në SHBA-ve apo në Amerikën Latine) kërkonin që votuesit të kalonin teste të shkrim-leximit (literacy tests). Deri në vitin 1950, Britania kishte një formë të kufizuar epistokracie të quajtur “University Constituencies”. Të diplomuarit nga universitete si Oxford, Cambridge dhe të tjerë, kishin të drejtë të votonin dy herë. Një herë në vendbanimin e tyre dhe një herë të dytë për të zgjedhur një përfaqësues special të universitetit në Parlament.

Në mjedisin tonë ballkanik, në veçanti në hapësirën shqiptare, për fat të keq shpesh ndodh ignokracia, sundimi i injorantëve, i të paditurve, një sistem ku injoranca dominon vendimmarrjen politike dhe shoqërore, ku inteligjenca nuk merret për kriter në qeverisje por elemente të tjera si nënshtrimi, lidhjet familjare, përkatësia etnike, racore e të ngjashme. Brennan-i argumenton se shumica e votuesve janë “hobits” (të painformuar dhe apatikë) ose “hooligans” (të informuar keq dhe fanatikë), çka prodhon një qeverisje të bazuar në injorancë. Partitë tona janë shndërruar në ente të gravitimit të të pagdhendurve që me ose pa diploma ngriten atje ku s’e meritojnë. Kështu para na dalin politikbërës e udhëheqës që s’i lexojnë dot dy fjali, që s’kanë prekur libër me dorë pas shkollës së mesme, që s’flasin asnjë gjuhë të huaj, që më tepër janë militantë sesa politikbërës të mirëfilltë, që rezonojnë me kokën e tjetrit, që edhe postimet iu dërgohen të gatshme… Kjo është kakistokracia e shekullit XXI.

Në të vërtetë, epistokracia, si antipod i demokracisë universale dhe oklokracisë (demokracisë së turmave, mob rule) është utopi, por siç shprehet shkrimtari uruguaian, Eduardo Galeano, utopitë janë si horizontet, ndonëse kurrë nuk i arrijmë, ato na tregojnë drejtimin e drejtë, na motivojnë për të avancuar. Pa marrë parasysh nëse mund të jetësohet ose jo, kjo pikëpamje motivon shoqëritë për ngritjen e stekës politike, pra për targetim të një mënyre qeverisjeje të bazuar te njohuritë, dija dhe kompetencat e jo te përkatësia dhe numri i votave të fituara. Jo çdoherë shifrat duhet të jenë determinante të rrjedhave shoqërore. Sipas nesh, epistokracia është formë e qeverisjes që nuk bazohet në kuantitet por në kualitet, jo në numra por në dije dhe kompetenca.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.