Indeksi i hapjes 2026: Nuk ka përparim të rëndësishëm në transparencën e komunave në RMV ndaj qytetarëve
Indeksi i hapjes së komunave të Maqedonisë së Veriut këtë vit ka shënuar rënie me një pikë përqindjeje, nga 40 përqind në vitin 2025, në 39 përqind. Analiza e hapjes së njësive të vetëqeverisjes lokale, e përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural, tregon se pothuajse gjysma e komunave kanë rezultat nën 40 përqind, ndërsa një pjesë e mirë e tyre edhe nën 30 përqind. Kjo tregon se në një numër të konsiderueshëm komunash ende nuk janë vendosur standardet bazë të funksionimit të hapur, llogaridhënës dhe transparent. Vetëm 15 nga 81 komuna këtë vit kanë pasur rezultat mbi 50 përqind sipas Indeksit të hapjes, transmeton Portalb.mk.
Komuna më e hapur edhe këtë vit është Kriva Pallanka me 73 përqind, e ndjekur nga Berova me 69 përqind, Demir Hisari me 68 përqind dhe Manastiri, Dellçeva dhe Koçani me nga 67 përqind. Në fund të listës janë Studeniçani dhe Lozova me 8 përqind hapje, menjëherë pas Bogovinjes me 11, Sopishtes me 13 dhe Vrapçishtit me 14 përqind.
Rezultatet e Indeksit të hapjes 2026 u prezantuan sot në forumin tematik “Nga komuna e hapur te komuniteti aktiv: Indeksi i hapjes 2026 dhe pjesëmarrja qytetare në nivel lokal”.
Sipas Dançe Danillovska Bajdevskës, drejtoreshë e programeve në Fondacionin “Metamorfozis”, hapja e vetëqeverisjes lokale nuk nënkupton vetëm publikimin e një informacioni në ueb-faqet e komunave apo vetëm përmbushjen e detyrimeve ligjore, por një komunë në të cilën qytetari informohet me kohë, mund të pyesë, të marrë pjesë, të ndikojë dhe të kërkojë llogaridhënie.
“Rënia me një pikë përqindjeje ndoshta nuk tingëllon dramatike, por problemi është se nuk kemi trend përparimi. Edhe pas matjeve shumëvjeçare, rekomandimeve, digjitalizimit dhe pritshmërive gjithnjë e më të mëdha të qytetarëve, komunat tona mesatarisht përmbushin vetëm 39 përqind të treguesve të hapjes. Kur flasim për hapje, nuk flasim për atë nëse një komunë ka një ueb-faqe të bukur, por nëse qytetari mund ta gjejë lehtësisht buxhetin, nëse e di se si shpenzohen paratë e tij, nëse mund t’i shohë vendimet e Këshillit apo nëse e di se çfarë ka planifikuar komuna, çfarë ka realizuar dhe me çfarë rezultati. Kjo nënkupton edhe nëse qytetari mund të marrë pjesë në konsultim para se të merret një vendim që e prek drejtpërdrejt”, thotë Danillovska Bajdevska.
Liljana Jonoski, drejtoreshë ekzekutive e Koalicionit Rural, theksoi se në kuadër të analizës kontrollohen ueb-faqet e vetëqeverisjeve lokale dhe bëhen krahasime me vitet e kaluara, dërgohen pyetësorë të cilëve u përgjigjen komunat, ndërsa kërkohen edhe informacione me karakter publik, të cilat janë tregues edhe për atë se në çfarë mase respektohet Ligji për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik.
“Duhet të konstatojmë se ka ulje të numrit të komunave që janë përgjigjur në pyetësor, shtatë më pak se vitin e kaluar, ndërsa janë edhe 44 komuna që nuk janë përgjigjur. Gjithashtu, vetëm 50 komuna, përkatësisht 61,7 përqind e të gjitha 81 vetëqeverisjeve lokale, janë përgjigjur brenda afatit ligjor ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacione, ndryshe nga viti i kaluar kur ishin përgjigjur 62 komuna. Janë shqetësuese edhe të dhënat se 15 komuna nuk përmbushin asnjë kriter në pjesën e ndërgjegjësimit, ndërsa 10 në pjesën e integritetit”, thotë Jonoski.
Ajo thekson se hapja mesatare është në rënie të lehtë, gjë që tregon se sa vështirë mund të ruhen edhe praktikat tashmë të vendosura, veçanërisht në kushte kur ndryshojnë ekipet në administratë. Rajoni planor Lindor është vlerësuar si më i hapuri, ndërsa më i mbylluri është Rajoni i Pollogut. Jonoski thotë se analiza konfirmon se hapja nuk varet nga madhësia e komunës, por nga përkushtimi i ekipit, pasi ka komuna të vogla me rezultate më të mira se shumica e komunave të mëdha.
Në vitin 2026, gjetjet e Indeksit të hapjes tregojnë se njësia më e hapur e vetëqeverisjes lokale është sërish Kriva Pallanka (73%), e ndjekur nga Berova (69%), Demir Hisari (68%), Manastiri, Dellçeva dhe Koçani (67%), Velesi (65%), Karposhi (64%), Gazi Baba (61%), si dhe Kavadari, Kërçova dhe Gjevgjelia (58%). Në fund të renditjes janë Studeniçani dhe Lozova (8%), ndërsa me rezultate pak më të mira janë Bogovinje (11%), Sopishtja (13%), Vrapçishti (14%), Çuçer Sandeva (16%), Çairi (18%) dhe Shuto Orizarja (19%). Diferenca prej 65 pikësh përqindjeje mes komunave më të mira dhe më dobët të renditura tregon pabarazi të theksuara në zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë në nivel lokal.

Sanija Stankovska nga Komuna e Kriva Pallankës thotë se rezultatet krijojnë detyrim që vitin e ardhshëm të jenë edhe më të mira, të ruajnë praktikat e mira dhe t’u shërbejnë më mirë qytetarëve. Ajo thekson se përpiqen në procesin e marrjes së vendimeve të përfshijnë sa më shumë qytetarë, jo vetëm më të zëshmit, por edhe të rinjtë apo grupet e margjinalizuara, sepse në këtë mënyrë edhe komuna do të ketë rezultate më të mira dhe do të marrë vendime më të mira.
“Komuna e Kriva Pallankës praktikon përditësimin e rregullt të ueb-faqes, e cila gjithmonë duhet të ketë informacione publike, të sakta dhe në kohë për të gjitha thirrjet publike, raportet e buxhetit, seancat e Këshillit, vendimet, procesverbalet dhe të tjera. Organizojmë edhe forume qytetare për buxhetin, ku dëgjojmë mendimin e qytetarëve gjatë procesit të planifikimit. Jemi mirënjohës për mentorimin për përgatitjen e planit vjetor për konsultime publike, nga i cili presim rezultate të dukshme”, thotë Stankovska.
“Shkalla e renditjes nuk është treguesi më i rëndësishëm për komunën, por ajo që do të mësojnë dhe nëse do të përmirësohen e përparojnë”, konsideron Gjorgji Pejovski nga Komuna e Berovës. Ai i theksoi mënyrat që ofrojnë komunikimi modern dhe teknologjia për kontakt dhe matjen e mendimit të qytetarëve, por theksoi edhe mosbesimin që qytetarët shpesh kanë ndaj vetëqeverisjeve lokale dhe qëndrimin se mendimi i individëve nuk dëgjohet dhe as nuk mund të ndryshojë diçka.
Indeksi e mat hapjen përmes katër fushave: transparencës, ndërgjegjësimit, qasjes dhe integritetit, ndërsa të dhënat e hapura ndiqen si parim horizontal në të gjitha fushat. Rezultatet më të mira vetëqeverisjet lokale i arrijnë në fushën e transparencës me 47,8%, megjithëse edhe këtu vërehet rënie nga 49% sa ishte vitin e kaluar. Integriteti është në 40,1 përqind dhe shënon përmirësim të vogël, qasja është në vetëm 33,6 përqind dhe sërish shënon përkeqësim të lehtë, ndërsa komunat e Maqedonisë së Veriut janë më të dobëta në fushën e ndërgjegjësimit me vetëm 26 përqind.
“Qëllimi i Indeksit nuk është të tregojmë me gisht. Kemi punuar drejtpërdrejt me komunat, kemi siguruar mbështetje mentoruese, kemi zhvilluar mekanizma praktikë për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe kemi punuar në mekanizma digjitalë përmes të cilëve qytetarët do të mund të komunikojnë më lehtë me pushtetin lokal. Nuk duam që Indeksi të jetë një listë që do ta publikojmë një herë në vit dhe do ta harrojmë. Duam të jetë udhërrëfyes për ndryshim”, thotë Danillovska Bajdevska.
Në forum u prezantua edhe aplikacioni mZaednica, një mjet për komunikim të drejtpërdrejtë të qytetarëve me komunat. Aktualisht, mZaednica është aktive në dhjetë komuna, ku përveç mundësisë që qytetarët të komunikojnë më lehtë dhe drejtpërdrejt me komunën, zhvillon edhe funksionalitete si forumet qytetare, planet për konsultime qytetare dhe të tjera.
“Aplikacioni jep mundësi që diskutimet për buxhetin, të cilat komunat zakonisht i praktikojnë, të zgjerohen në të gjitha temat. Ekziston mundësia për përpunim statistikor të të dhënave, të cilat janë të dobishme për krijimin e politikave”, thotë Milan Tanqeski nga Qendra për Inovacione Sociale Blink 42-21.
Rezultatet e Indeksit të hapjes edhe këtë vit konfirmojnë se shkalla e hapjes nuk varet vetëm nga madhësia e komunës, numri i banorëve apo burimet financiare në dispozicion, por në masë të madhe nga përkushtimi institucional, procedurat e vendosura të brendshme, menaxhimi aktiv dhe publikimi proaktiv i informacioneve. Te një pjesë e NJVL-ve ende janë të pranishme periudha të gjata pa përditësim të ueb-faqeve, informacione jo të plota ose seksione jofunksionale, si dhe qasje e pamjaftueshme në informacione në të gjitha gjuhët zyrtare.
Një numër i konsiderueshëm dokumentesh mungojnë, nuk përditësohen rregullisht ose publikohen në formate që kufizojnë përdorshmërinë e tyre, ndërsa nevojitet që sa më shumë të dhëna të publikohen në format të hapur.
Për një përmirësim thelbësor nevojitet qasje sistematike, përgjegjësi e qartë për përditësimin e informacioneve dhe investim i vazhdueshëm në transparencë, llogaridhënie dhe përfshirjen e qytetarëve.
Lexo më shumë:
Çfarë tentojnë të fshehin komunat në RMV nga sytë e qytetarëve tregon Indeksi i Hapjes