Ku po shkon ky vend: Të rinjtë në Tetovë e ngritën zërin për problemet, nga nepotizmi te mungesa e hapsirave dhe shpresës për ndryshim
Me qëllim që zëri i të rinjve të zërë më shumë vend në hapësirën mediatike, sot (5 maj) në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë gazetarët e Portalb.mk mbajtën një diskutim të hapur me studentët për problemet të cilat i shqetësojnë ata.
Në një format të hapur “open-mic”, studentët folën drejtpërdrejt për sfidat që i prekin çdo ditë, duke identifikuar një sërë problemesh që, sipas tyre, vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Një ndër shqetësimet kryesore ishte kostoja e lartë e librave universitarë. Studentët theksuan se shumë prej tyre janë të papërballueshëm dhe propozuan digjitalizimin si zgjidhje më të drejtë dhe më të qasshme.
Nepotizmi në proceset e punësimit u rendit si një tjetër problem serioz. Sipas pjesëmarrësve, shpesh përparësi u jepet kandidatëve me lidhje partiake, duke lënë në plan të dytë meritokracinë dhe duke ulur besimin e të rinjve në sistem.

Në sektorin e shëndetësisë, studentët ngritën shqetësimin për mungesën e pajisjeve mjekësore në institucionet publike. Ata thanë se pacientëve u kërkohet shpesh t’i blejnë vetë pajisjet që duhet të sigurohen nga spitalet, gjë që e rëndon më tej gjendjen e tyre.
Mungesa e hapsirave për aktivitete rinore ishte një tjetër temë që u theksua. Të rinjtë u shprehën se opsionet e vetme mbeten kafenetë, ndërsa mungojnë aktivitetet kulturore dhe sociale që do t’i angazhonin në mënyrë më produktive. Në këtë kontekst, ata përmendën edhe zvarritjen e projekteve si ndërtimi i teatrit dhe bibliotekës, që sipas tyre janë të domosdoshme për zhvillimin kulturor të qytetit.

Përtej problemeve konkrete, diskutimi reflektoi edhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe demotivimi. Shumë prej të rinjve u shprehën se nuk besojnë se gjërat do të ndryshojnë, duke e parë migrimin si një nga alternativat e vetme për një të ardhme më të mirë.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që problemet e identifikuara nga vetë të rinjtë dhe studentët të shërbejnë si bazë për storje hulumtuese dhe narrativa mediatike me ndikim. Përmes këtij dialogu, synohet fuqizimi i të rinjve për të propozuar zgjidhje për sfidat e tyre lokale, duke i shndërruar idetë e tyre në pika referimi për politikat publike.

Aktiviteti u relaizua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.