Nxënësve në një shkollë në Maqedoni u janë ofruar 1.000 denarë për shitje të substancave narkotike

Në një shkollë fillore në Karposh, Shkup, disa fëmijëve në moshë nga 13 deri në 15 vjet u janë ofruar nga 1.000 denarë që tu shesin drogë shokëve të klasës. Për këto indikacione është njoftuar dhe për këtë temë është biseduar edhe në Këshillin e prindërve, tregon procesverbali në të cilin kishte qasje Kolegium.mk. Për shkak të hetimit policor që është në vijim e sipër redaksia nuk do e publikojë emrin e shkollës.

Sipas indikacioneve që janë ndarë me prindërit bëhet fjalë për fëmijë më të rritur që nuk janë nxënës të shkollës fillore, të cilët kanë keqpërdorur një grup fëmijësh nga klasat e teta dhe të nënta për të “shpërndarë substanca të paligjshme në këmbim të parave”.

Prindërit thonë se janë të befasuar nga kjo dukuri në shkollat ​​fillore dhe paralajmërojnë se po ndryshojnë kufijtë e sjelljes së rrezikshme në mesin e fëmijëve.

“U frikësova shumë kur dëgjova se nxënës të klasës së tetë po ofrojnë amfetamina në një shkollë fillore”, tha nëna e një nxënëseje të klasës së gjashtë që mëson në shkollën në fjalë në Karposh, Shkup.

“Menjëherë u ula të bisedoj me vajzën time, ta paralajmëroj. Nuk ma merrte mendja që do më duhej të bisedoja për parandalimin e drogës me një fëmijë 12-vjeçar”, tha ajo.

Shqetësimin e tyre e ndanë edhe prindërit e tjerë.

“Për ne si familje ky ishte një alarm se ka ardhur koha të fillojmë të bisedojmë për këtë temë, t’i edukojmë fëmijët tanë me kohë, sepse herët a vonë ata mund të bien në kontakt dhe të tundohen… ashtu siç kanë biseduar me mua prindërit dhe gjyshërit e mi në vitet ’90 kur i gjenim shiringat e përdorura nga të varurit nga droga në parqe, kopshte dhe oborre shkollash. Të njëjtën gjë e bëj edhe unë tani me fëmijën tim, në mënyrë që ai të jetë vetvetja, të dijë si të përballet nëse ndonjëherë gjendet në një situatë ku i ofrohet ta provojë, e në të njëjtën kohë të mos stigmatizohet për shkak se nuk ka guxim ose nuk ndjek trende të caktuara në shoqëri”, tha babai i një djali dhjetëvjeçar në Karposh të Shkupit.

Sipas asaj që u është thënë prindërve nga shërbimet profesionale të shkollës bëhet fjalë për fëmijë më të rritur që i joshin më të vegjlit me nga një mijë denarë që të shesin ose transportojnë, të shpërndajnë “materie në formë pluhuri”.

“Ministria e Punëve të Brendshme patjetër duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj dukurie, sepse dikush tashmë po përpiqet të krijojë një rrjet në të cilin shpërndarësit e drogës do të jenë nxënësit “, shtoi ai.

Nga fillimi i muajit janar deri në muajin mars të këtij viti policia ka arrestuar shtatë fëmijë në moshë nga 14 deri në 18 vjet për shitje droge”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme për Kolegium.mk.

“Përveç kësaj ju informojmë se sipas një Plani të përgatitur paraprakisht, nëpunësit e policisë nga SPB Shkup në bashkëpunim me shërbimet psikologjike dhe pedagogjike në shkolla kryejnë kontrolle të një pjesë të nxënësve gjatë hyrjes në të gjitha shkollat ​​e mesme në Shkup”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Gjatë disa ditëve të fundit në kërkim të drogës policia po kryen kontrolle të çantave të nxënësve të shkollave të mesme para hyrjeve të shkollave. Kontrollet e policisë kryhen në hyrjet e disa shkollave të mesme në të gjithë kryeqytetin, me ç’rast disa nxënësve me të mbërritur në shkollë u kërkohet t’i hapin çantat e tyre, ndërsa policia inspekton vizualisht atë që ata mbajnë në to, shkruan portali mkd.mk.

Përveç librave dhe fletoreve në çantat e nxënësve janë gjetur edhe objekte të rrezikshme

Shqetësimi i prindërve u shtua edhe më shumë kur mësuan se disa nga nxënësit në çanta kanë mbajtur objekte të rrezikshme.

“Por, kjo nuk ishte e vetmja gjë që më shqetësoi në atë takimin me prindërit, ne mësuam se në çantat e disa nga nxënësve më të mëdhenj të shkollës fillore janë gjetur tejzerë ” shtoi nëna.

Tejzerët janë pajisje për elektroshok që përdoren nga policia ose rojet e sigurisë për të paaftësuar një person përkohësisht.

Prindërit theksojnë se përveç pajisjeve për elektroshok tek fëmijët janë gjetur edhe sprej me piper dhe thika xhepi, të cilat fëmijët vështirë se kanë mundur t’i blejnë vetë.

Edhe kjo është një temë për të cilën duhet të bisedohet në shtëpi, sepse nuk mund të presim që shkolla ta marrë përsipër plotësisht rolin e edukimit të fëmijëve, edhe prindi ose prindërit duhet të kushtojnë më shumë kujdes, këto nuk janë gjësende të thjeshta dhe përdorimi i tyre, qoftë edhe nga kurioziteti ose si lojë, mund të shkaktojë dëm“, tha prindi me të cilin biseduam.

Shërbimet profesionale u bëjnë thirrje prindërve që të kontrollojnë më mirë se çfarë marrin me vete fëmijët në shkollë, sidomos pas shfaqjes së “trendeve” të rrezikshme dhe sfidave të ndërsjella mes nxënësve.

Indikacionet për keqpërdorimin e të miturve për shitjen e drogës dhe prania e pajisjeve të rrezikshme në çantat e shkollës nuk janë një incident i izoluar, por një sinjal për probleme më të thella sistemike.

Prof. dr. Buxhakovski: Kemi nevojë për një ristart sistemik të sistemit arsimor

Profesori universitar i kriminalistikës, Stefan Buxhakovski, thotë se është e nevojshme të zbulohen shkaqet e sjelljes destruktive të të rinjve që të mund të veprohet në mënyrë sistematike dhe me një plan për t’i reduktuar ndikimet negative tek fëmijët.

“Në Maqedoni duhet të bëhet një ristart sistematik i të gjithë sistemit arsimor, duke filluar nga kopshti e deri në universitet. Kjo duhet të reflektohet në gjendjet aktuale”, tha Buxhakovski.

Ai thekson se delikuenca në mesin e të miturve është në rritje, por edhe se ka raste që mbeten të paregjistruara.

“Institucionet arsimore në masë të madhe e kanë braktisur funksionin e tyre edukativ, ndërsa dobësitë janë të dukshme edhe në procesin arsimor”, shtoi ai.

“Nëse kjo do të zbulohej, ne mbase do të kishim të dhëna shumë frapante, sepse vetë edukimi i fëmijëve, pra mënyra e edukimit, e prodhon këtë. Ja, për shembull, institucionet arsimore e kanë braktisur plotësisht karakterin e tyre edukativ, madje edhe në atë arsimor ka mangësi”, shpjegon Buxhakovski.

Në ditët e fundit incidentet e dhunës nga bashkëmoshatarët tek fëmijët e shkollave fillore, si dhe të dhënat mbi dhunën seksuale midis dhe ndaj të miturve, janë dënuar fuqishëm nga publiku. Në kontekstin e rritjes së numrit të rasteve të dhunës në mesin e bashkëmoshatarëve dhe dhunës seksuale midis të miturve publiku gjithnjë e më zëshëm po ngre pyetje për efikasitetin e institucioneve dhe njohjen në kohë të rreziqeve.

E përderisa policia po kryen kontrolle të intensifikuara ekspertët paralajmërojnë se vetëm represioni nuk është i mjaftueshëm.

Pa parandalim të koordinuar, pa rolin edukativ të shkollave ​​dhe pa përfshirjen aktive të prindërve, rreziku që këto fenomene të bëhen të zakonshme bëhet real.

Pyetja që po imponohet në shoqërinë në Maqedoni është nëse këto incidente do të shërbejnë si paralajmërim për institucionet që të fillojnë të reagojnë në kohë, apo alarmi përsëri do të injorohet deri sa pasojat të bëhen edhe më të rënda.