Ku duhet të ndërtohen dy hidrocentralet në lumin Doshnicë?
“Barov Doll” dhe “Paprad” janë lokacionet në lumin Doshnicë në malin Kozhuf në të cilat Qeveria ka miratuar ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël. Ky rajon i pasur me specie endemike dhe biodiversitet, tashmë dy muaj po mbrohet nga eko-aktivistë nga i gjithë vendi që janë të vetëdijshëm se ndërtimi do të thotë shkatërrim i biodiversitetit dhe zhdukje e specieve unike shtazore dhe bimore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Të dy lokacionet ndodhen jo shumë larg burimeve të Doshnicës, në natyrë të paprekur, domethënë në një zonë kryesisht të paeksploruar. Burimet e lumit ndodhen në komunën e Kavadarit. Kështu, me vendim dhe leje të Qeverisë dhe komunës së Kavadarit në vitin 2019 u miratua përdorimi i ujit të pijshëm të këtij lumi për prodhimin e energjisë elektrike. Në atë kohë, partnerë koalicioni në Qeveri ishin LSDM-ja dhe BDI-ja ne krye me Zoran Zaevin dhe Ali Ahmetin, ndërsa kryetar i Komunës së Kavadarit në atë kohë ishte Mitko Jançev nga radhët e VMRO-DPMNE-së, i cili njëherit do të jetë edhe kandidat i kësaj partie në zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin tetor.
Në një nga lokaciomet ku do duhet të ndërtohet ka ekskavatorë që për momentin nuk punojnë për shkak të bllokadave të eko-aktivistëve, të cilët janë të vendosur ta luftojnë deri në fund betejën për ruajtjen e lumit.
“Me këtë protestë duam t’u dërgojmë një mesazh autoriteteve, t’ua bëjmë të ditur se kudo në botë hidrocentralet po shemben sepse e shkatërrojnë biodiversitetin dhe ndikojnë në ndryshimet klimatike. E ne, në vend që t’i mbrojmë malet me Kushtetutën tonë, ne lejojmë që ato të shkatërrohen. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me lumin Doshnicë. Në Maqedoni duhet të ndërpriten të gjitha koncesionet për ndërtimin e mini-hidrocentraleve. Nëse e duam vendin tonë, duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë atë”, tha Marina Tomova nga organizata “Change Makers” nga Gjevgjelia.
Përndryshe, siç thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, një pjesë e masivit të Kozhufit tashmë është identifikuar si zonë Emerald, që është një territor me vlerë të lartë natyrore të njohur si e rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit në Evropë.
“Këto zona janë pjesë e Rrjetit Emerald (Emerald Network), i cili u krijua në kuadër të Konventës së Bernës për ruajtjen e florës dhe faunës së egër evropiane dhe habitateve të tyre natyrore. Kozhufi është identifikuar gjithashtu si një zonë e ardhshme Natura 2000 me rëndësi evropiane, që është pjesë e rrjetit më të madh ekologjik të zonave të mbrojtura në botë – NATURA 2000. Ky u themelua nga Bashkimi Evropian me qëllim sigurimin e ruajtjes afatgjatë të specieve dhe habitateve më të vlefshme dhe të rrezikuara në Evropë. Masivi i Kozhufit është identifikuar si një potencial i ardhshëm për një Gjeopark të UNESCO-s për të cilin duhet të analizohen më tej vlerat gjeografike “, thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapsinor.
Kujtojmë se, eko-aktivistët kanë nisur protestën e tyre nga 29 qershori.
- LEXO: Greta Thunberg në bllokadat e Kozhufit: Lufta juaj kundër shkatërrimit të Doshnicës është gjithashtu globale
- LEXO: Një muaj bllokim i Kozhufit, nga Qeveria njoftojnë për dialog dhe mbrojtje të mjedisit jetësor
- LEXO: Shtatëmbëdhjetë ditë bllokadë në rrugën drejt malit Kozhuf: Do të qëndrojmë këtu deri në fund, nuk do të lejojmë hidrocentrale
- LEXO: “Nuk do t’ju lejojmë të prisni venat e Kozhufit”: Qytetarët protestojnë kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve